“Strategji shumë e rrezikshme”, politologu bullgar jep alarmin: Serbia po tenton ta shkatërrojë Kosovën, BE duhet të…!

Intervista

“Strategji shumë e rrezikshme”, politologu bullgar jep alarmin: Serbia po tenton ta shkatërrojë Kosovën, BE duhet të…!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 tetor 2024 Në ora: 20:50
Ilustrim

Situata në Ballkanin Perëndimor për momentin është e turbullt, me Serbinë që po tenton në çdo mënyrë të krijojë konflikte të reja me Kosovën, ashtu edhe me Bosnjën dhe Malin e Zi.

I gjithë ky ‘vrull’ i Serbisë vjen si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, ku me këtë rast e shfrytëzon këtë luftë për qëllime konfliktuale.

Si duket, shteti serb në krye me Vuçiqin kanë filluar t’i trazojnë ‘ujërat’ në Ballkan, përmes provokimeve dhe kërcënimeve të ndryshme.

Për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, ndikimin rus në rajonin tonë dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, në një intervistë ekskluzive ka folur albanologu dhe politologu bullgar, Dr. Anton Pançev.

Si fillim, ai u shpreh se situata e sigurisë në rajonin tonë nuk është shumë e keqe, por që ka mjaft tensione.

Sipas tij, shteti serb është faktori kryesor që po ndikon në këto tensione, me provokime të vazhdueshme ndaj Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi, etj.

Në këtë pikë, Pançev komentoi edhe lidhjet e Rusisë me Serbinë, si dhe tentativat për të krijuar konflikte të reja përmes propagandës ruse.

Politologu bullgar nuk e hodhi poshtë mundësinë e përsëritjes së një sulmi të ri të ngjashëm me atë të Banjskës, pasi siç thotë shteti serb nuk ka fuqi të ndërhyjë ushtarikisht në Kosovë, por do tentojë ta destabilizojë situatën në veri.

Ndër të tjera, ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe ndikimin e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në Ballkan.

Intervista e plotë

Image
Dr. Anton Pançevi

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor? A po vazhdon Serbia të provokojë vendet përreth, përfshirë Kosovën, me ndihmën e Rusisë?

Dr. Anton Pançev: Situata e përgjithshme e sigurisë nuk është shumë e keqe, por ka mjaft tensione, sepse Serbia i ndjek me këmbëngulje planet e saj hegjemoniste ndaj vendeve të tjera të rajonit. Ndoshta shkalla e rrezikut është më e lartë në Bosnjë e Hercegovinën, ku eksponenti i Vuçiqit, Millorad Dodik, shpesh deklaron që përgatitet shkëputja e entitetit serb nga shteti federativ, përkundër paralajmërimeve të përfaqësuesve perëndimorë që do të parandalojnë një akt të tillë. Dodiku shpesh shkon edhe në Rusi dhe koordinon politikën e tij me Moskën. Në Mal të Zi ka përplasje të vazhdueshme politike midis forcave proserbe dhe mbështetësve të shkëputjes së këtij shteti nga kthetrat e Serbisë. Ndaj Republikës së Kosovës Serbia i vazhdon të gjitha veprimet që kanë për qëllim destabilizimin e shtetit. Në Maqedoninë e Veriut skena politike dominohet nga partitë proserbe që sillen si nacionalistë, por faktikisht janë instrumente të Beogradit. Qeverisja e re në Shkup ka ndërmarrë një fushatë kundër të drejtave të komuniteteve jo shumicë në këtë shtet. Bëhen përpjekje që shqiptarëve t’u zvogëlohen të drejtat kolektive, që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit 2001 dhe janë të garantuara nga Kushtetuta dhe ligjet e këtij shteti. Heqja e “balancuesit”, që siguron përfaqësimin e drejtë të komuniteteve etnike në institucionet publike, nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut më 9 tetor është hap në këtë drejtim negativ. Në dhjetor në këtë Gjykatë do të shqyrtohet edhe kërkesa e nacionalistëve maqedonas për shfuqizimin e Ligjit për gjuhët, që rregullon përdorimin e gjuhës shqipe në hapësirën publike. Gjithashtu, qeveritarët në Shkup bllokojnë procesin eurointegrues të vendit të vet duke refuzuar t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese me përfshirjen e komunitetit bullgar, që është kusht i domosdoshëm në kornizën negociuese, votuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në korrik 2022. Pra, ky shtet dirigjohet nga Serbia me qëllim që të mbetet në “botën serbe” dhe të lihet jashtë BE-së. Nuk mund të ketë dyshime se edhe Rusia qëndron pas politikës agresive serbe ndaj fqinjëve, sepse bllokimi i perspektivave eurointegruese i jep hapësirë Moskës për ndërhyrje në politikën e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gazeta “Bota sot”: Sa e pranishme është propaganda dhe ndikimi rus në vendet e Ballkanit?

Dr. Anton Pançev: Rusia nuk ka shumë mundësi zyrtare për ta shpërndarë propagandën e saj në vendet ballkanike (me përjashtim të Serbisë natyrisht), sepse mediat e saj kryesore janë bllokuar në shumicën e vendeve. Por makineria propagandiste ruse i përdor me shumë sukses mundësitë e mediave sociale, ku shpesh mund t’i shohim pikëpamjet ruse për luftën në Ukrainë dhe jo vetëm. Këtu ndikojnë edhe veçoritë kulturore – p.sh. shumë bullgarët mund të flasin ose së paku ta kuptojnë rusishten që ndihmon për shpërndarjen e propagandës ruse. Për sukseset e propagandës ruse fajin e kanë edhe qeveritë perëndimore, sepse në agjendën e tyre zyrtare hyn edhe promovimi i ideologjive neoliberale (LGBT etj.) te vendet e tjera që nuk mund të pranohet lehtë nga shumica e bullgarëve, por besoj edhe nga shoqëritë e tjera ballkanike dhe në një kontekst të tillë Rusia paraqitet si mbrojtëse e “vlerave tradicionale kundër Perëndimit të degraduar”.

Nga ana tjetër, ndikimi rus në vendet e Ballkanit është zvogëluar pas shpërthimit të luftës, sepse u kufizuan mundësitë për përdorimin e instrumentit kryesor të Moskës – energjia. Nuk mund të zhvillohen edhe kontaktet e gjithanshme ekonomike, që pengon ndikimin rus në përgjithësi.   

Gazeta “Bota sot”: A mund të jetë qëllimi i Vladimir Putinit që përmes Serbisë, në këtë rast Aleksandër Vuçiqit, të krijojë konflikte në Ballkan dhe të tërheqë vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë?

Dr. Anton Pançev: Problemet me stabilitetin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë cak i Serbisë dhe i agjendës së saj nacionaliste janë të shumta, sepse Beogradi rrezikon integritetin territorial, sovranitetin, pavarësinë e Kosovës, të Bosnjës, të Malit të Zi, kontrollon dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut. Mendoj se Serbia nuk është në gjendje që të fillojë ndonjë konflikt më të hapur, sepse nuk i ka fare resurset e nevojshme që t’i kundërvihet NATO-s, por do t’i përforcojë veprimet e saj diversive duke thelluar problemet ndëretnike në disa vende dhe duke e bllokuar procesin eurointegrues përmes politikanëve të kontrolluar prej Beogradit. Nga ky lloj politike të Serbisë dëmtohen edhe pakicat serbe në vendet fqinje, sepse nuk mund të integrohen në shtetet ku jetojnë dhe humbin perspektiva ekonomike, sociale, kulturore.

Gazeta “Bota sot”: Sa rrezik ka për inkursion serb në veri të Kosovës, duke parë zhvillimet e fundit?

Dr. Anton Pançev: Gjithmonë mund të presim ndonjë incident si ky në Banjskë vjet, sepse grupet ekstremiste serbe nuk janë shpërbërë dhe përdoren si instrument nga Beogradi për ta tensionuar situatën në momente të caktuara. Siç thashë, Serbia nuk është në gjendje që të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë, por do të vazhdojë me përpjekjet për destabilizimin e pjesës veriore përmes strukturave serbe.

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni qasjen e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës dhe Serbisë? A do të arrijnë të finalizojnë përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje përfundimtare mes dy palëve?

Dr. Anton Pançev: Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve, të QUINT-it etj., bëjnë përpjekje që të kenë një qasje neutrale ndaj të dy shteteve, por faktikisht kështu e ndëshkojnë Kosovën dhe e shpërblejnë Serbinë. Republika e Kosovës thjesht mbron elementet më të rëndësishme të shtetit të saj, derisa Serbia bën përpjekje të vazhdueshme që ta shkatërrojë Kosovën si shtet funksional. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka sukses deri tani me lojërat e tij midis Perëndimit dhe Lindjes dhe në vendet perëndimore ende ka mjaft politikanë naivë (ose sillen si naivë) që mendojnë se Serbia mund t’i bashkohet “kampit perëndimor” dhe do ta braktisë Rusinë, por ata thjesht nuk e kuptojnë strategjinë shekullore serbe që ka për qëllim marrjen e përfitimeve edhe nga të dyja anët në kushtet e një përplasjeje me përmasa botërore. Por kjo strategji është shumë e rrezikshme, sepse ka sjellë disfata dhe humbje tepër të rënda për Serbinë në disa raste. Në këtë kontekst janë të pakuptueshme edhe sanksionet nga ana e BE-së ndaj Kosovës që duhet të hiqen sa më shpejt është e mundshme.  

Gazeta “Bota sot”: Sa është e vështirë “rruga” e shtetit tonë drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, marrë parasysh propagandën e Serbisë?

Dr. Anton Pançev: Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare është çështje komplekse dhe më shumë varret nga marrëdhëniet midis Fuqive të Mëdha sesa nga përpjekjet e institucioneve të Kosovës. Prapëseprapë, nuk duhet të harrojmë se Kosova ka bërë përparim në këtë drejtim dhe institucionet e saj kanë kryer një punë të mirë gjatë këtyre viteve pas shpalljes së pavarësisë, por qëllimi i madh – anëtarësim në OKB – do të arrihet me rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që nuk shihet në horizont.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet presidenciale në SHBA? Gjasat janë rritur për një rikthim të Trumpit në pushtet, sidomos pas largimit të Bidenit nga gara zgjedhore. Si do të ndikonte fitorja e Trumpit për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit?

Dr. Anton Pançev: Nuk kam shumë njohuri për proceset politike në SHBA, por nëse Donald Trumpi do të fitojë një mandat të ri, atëherë ndoshta do të ketë ndryshime më të mëdha sa i përket angazhimit amerikan në rajonin tonë. Këtu duhet të themi se Ballkani, madje edhe Evropa Lindore, nuk kanë një rëndësi të veçantë për SHBA. Rajoni ynë nuk mund t’i ofrojë asgjë të rëndësishme Amerikës – as treg, as teknologji, as burime energjetike, nuk kemi ndonjë vlerë edhe për sigurinë e SHBA-ve. Evropa Juglindore ka rëndësi për Amerikën për dy arsye kryesore – e para, ndikimi ideologjik i Pax Americana duhet të jetë i pranishëm kudo në botë sipas koncepteve të qarqeve liberale, dhe, e dyta, Ballkani ka peshë strategjike për bllokimin e Rusisë. Nëse Donald Trumpi do të zgjidhet president dhe nëse do t’i realizojë premitimet e tij – SHBA të tërhiqet nga përpjekjet për shpërndarjen e vlerave të tyre ideologjike në pjesët e tjera të botës dhe do të merret vesh me Putinin që të përqendrohet në Lindjen e Mesme dhe në Lindjen e Largët, atëherë interesi i amerikanëve ndaj Ballkanit do të zbehet edhe më shumë. Në një rast të tillë Viktor Orbani, kryeministri i Hungarisë, i cili mburret prej muajsh në mënyrë të hapur që ai do të bëhej “ministri i jashtëm i Trumpit” madje edhe për Evropën, do të ketë një ndikim edhe më të madh. Orbani nuk e fsheh aleancën e tij me Serbinë dhe i mbështet regjimet pro-serbe në “Republikën Srpska” në Bosnjë dhe në Maqedoninë e Veriut. Si rezultat nga fitorja eventuale e Trumpit ka gjasa se ndikimi serb në Ballkan të rritet në dëm të shqiptarëve dhe të bullgarëve për shkak të përforcimit të pozitave të boshtit Orban – Vuçiq prapa cilit qëndron Moska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat