Skenar i ri rus për zgjedhjet në Kosovë? Islami “ia shuan shpresat” Putinit - jep paralajmërimin e fortë për Serbinë

Intervista

Skenar i ri rus për zgjedhjet në Kosovë? Islami “ia shuan shpresat” Putinit - jep paralajmërimin e fortë për Serbinë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 1 nëntor 2024 Në ora: 10:25
Avni Islami

Profesori i Shkencave të Sigurisë Avni Islami, ka thënë se Rusia është e interesuar që përmes Serbisë ta destabilizojë Kosovën. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai megjithatë, ka paralajmëruar se institucionet e Kosovës, janë të gatshme që t’i kundërpërgjigjen çdo skenari të mundshëm të Serbisë dhe të Rusisë.

Eksperti e ka vlerësuar si të kënaqshme gjendjen e sigurisë në Kosovë, sidomos në katër komunat në veri të vendit, duke thënë se ajo ka ndryshuar drastikisht gjatë katër viteve të fundit.

Ndërsa, teksa ka komentuar alarmin e kryediplomates Donika Gërvalla se Vladimir Putin mund të nisë një luftë të re në Ballkan, Islami ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare, nuk do të lejojnë që të shpërthejë edhe një konflikt në Kosovë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Kryetari i Këshillit euro-atlantik të Serbisë, Dragan Sormaz, ka paralajmëruar se Rusia ka hartuar një plan për të destabilizuar dhe për të krijuar një atmosferë jodemokratike në Kosovë para zgjedhjeve parlamentare me 9 shkurt, duke synuar të ndikojë në procesin zgjedhor përmes individëve të angazhuar nga komunitetet pakicë. Si mund të parandalojë Kosova këto veprime?

Avni Islami: Jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por në vazhdimësi, Rusia është e interesuar që përmes Serbisë ta destabilizojë Kosovën, dhe kur kihen parasysh rezultatet, të cilat viteve të fundit janë të dukshme dhe evidente, në shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të institucioneve të Kosovës, pa dyshim që Rusia do të tentojë ta destabilizojë Kosovën. Por, jo vetëm Kosovën, por edhe Malin e Zi, Maqedoninë si dhe Bosnje e Hercegovinën, sepse kështu i konvenon edhe për shkak se lufta në Ukrainë, është duke zgjatur dhe planet e Rusisë, për ta mposhtur dhe aneksuar Ukrainën, nuk i kanë dalë, për shkak të përkrahjes që ka marrë ajo nga Perëndimi.

Kur kihen parasysh të gjitha këto, nuk është diçka risi që nuk pritet nga një shtet siç është Rusia dhe vartësja e saj, Serbia. Mirëpo, duhet të kihet parasysh që institucionet e Republikës së Kosovës, janë të përgatitura, që së bashku me ato të vendeve mike ndërkombëtare, që t’i përgjigjen secilës sfidë veç e veç. Prandaj, pavarësisht tendencave të Rusisë, që para zgjedhjeve nacionale në Kosovë, që mbahen me 9 shkurt, unë nuk pres që ajo të ndikojë drejtpërdrejtë qoftë në rezultatin zgjedhor, qoftë në destabilizim të situatës, në mënyrë që shteti i Kosovës të dalë keq para bashkësisë ndërkombëtare, ose të dështojnë zgjedhjet.

Pra, për çdo skenar të mundshëm, institucionet e Republikës së Kosovës, janë të gatshme që t’u kundërpërgjigjen institucioneve të Serbisë dhe të Rusisë.

“Bota sot”: Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në raportin e hartuar së fundmi për Kosovën, ka thënë se “atmosfera në Kosovën veriore mbetet e tensionuar dhe potenciali për përshkallëzim vazhdon". Si e vlerësoni ju gjendjen e sigurisë në vend?

Avni Islami: Sa i përket raportit të OKB-së, është hera e parë që në atë raport marrin pjesë edhe vendet, të cilat nuk janë mike të Kosovës apo janë përkrahëse të Serbisë. Andaj, raportet e tilla janë një farë balancimi, që t’i kënaqin edhe interesat e atyre që nuk e kanë njohur Kosovën dhe punojnë kundër Kosovës si dhe vendeve të tjera. Mirëpo, gjendja faktike, në Kosovë dhe sidomos në katër komunat veriore të vendit, ka ndryshuar në mënyrë rapide, në të mirë. Kjo, sepse edhe vet qytetarët serbë, boshnjakë dhe të tjerë, janë të kënaqur me lirinë, të cilën ata në një farë mënyre, e kanë pasur në duart e grupeve kriminale terroriste.

Prandaj, unë vlerësoj se gjendja e sigurisë në katër komunat veriore, është e kënaqshme dhe dita-ditës edhe vet qytetarët janë duke u kënaqur, sepse ka rënë krimi i organizuar, korrupsioni dhe grupet e dirigjuara nga Beogradi, që më herët u kanë bërë presion atyre.

Mendoj, se as që gjendja e sigurisë në këto komuna, as që mund të krahasohet me atë të para katër viteve.

“Bota sot”: Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla, në mbledhjen e fundit në Këshill të Sigurimit të OKB-së, alarmoi se Kosova është në rrezik, pasi Putini mund të nisë luftë në Ballkan. Si e shihni këtë paralajmërim?

Avni Islami: Secili e ka mendimin e vet dhe sigurisht që përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës kanë informacione shtesë se sa unë në cilësinë e një profesori të Shkencave të Sigurisë. Mirëpo, duke përcjell gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë globale, duke pasur parasysh rrezikun që mund t’i kanoset Ballkanit Perëndimor dhe Evropës, unë me bindjen time them që bashkësia ndërkombëtare apo BE-ja dhe vendet mike të Kosovës, nuk do të lejojnë që të shpërthejë edhe një konflikt. Marrë parasysh analizat që i kam bërë, kur kihet parasysh që në Kosovë janë të stacionuara forcat e KFOR-it, çdo tentativë për hyrje në sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, konsideroj që do të jetë ndërhyrje apo konflikt i drejtpërdrejtë me aleancën veriatlantike -NATO-n.

Prandaj, Kosova faktikisht nuk rrezikohet nga Rusia, sepse ajo është shumë larg. Rusia mund ta destabilizojë Kosovën vetëm përmes Serbisë. Mirëpo, nuk pres që Serbia të bie në grackën e Rusisë, pavarësisht raporteve vëllazërore, sepse çdo tentativë e shtetit serb, që të ndërhyjë në Kosovë, do të thotë ndërhyrje ose konflikt i drejtpërdrejtë me NATO-n.

“Bota sot”: Që pas sulmit terrorist në Banjskë vitin e kaluar, vendi ishte në pritje të tensionimit të mëtejshëm që vazhdoi gjatë tërë vitit të fundit. Cilat mendoni se janë kërcënimet kryesore ndaj sigurisë në vend?

Avni Islami: Që nga 24 shtatori i vitit të kaluar, gjendja e sigurisë në katër komunat veriore, ka ndryshuar në mënyrë drastike, në kuptimin pozitiv, për shkak se në këto komuna ka funksionuar ligji i xhunglës ose më mirë të themi, këto komuna kanë qenë drejtpërdrejtë të dirigjuara nga grupet e ndryshme kriminale, të cilat kanë pasur kompetenca shtetërore. Në katër komunat veriore, ka pasur laboratorë të drogës, kultivim të drogës, kriptovaluta, pastaj krim të organizuar, kontrabandë, prostitucion, kontrabandë me armë, pra, të gjitha gjërat e mundshme, që janë në kundërshtim me ligjin, kanë ekzistuar atje.

Ndërsa, që nga 24 shtatori, gjendja e sigurisë ka ndryshuar plotësisht. Unë mendoj që në këto komuna, gjendja e sigurisë është relativisht e njëjtë me komunat e tjera, sepse në qytete të ndryshme në pjesë tjera të Kosovës, çdo ditë shohim zjarrvënie, vjedhje, plaçkitje, vrasje të grupeve të ndryshme për motive të ulëta ose motive të tjera. Prandaj, krahasimisht me komunat e tjera, gjendja e sigurisë në këto katër komuna veriore është e njëjtë si me komunat tjera dhe unë nuk shoh një përshkallëzim të situatës më tutje.

Duhet përmendur se bashkëpunimi i qytetarëve serbë, boshnjakë dhe të tjerë, është i kënaqshëm. Institucionet e sigurisë, sidomos Policia e Kosovës, gëzon autoritet dhe besueshmëri të lartë te popullata serbe në këto katër komuna veriore, me përjashtim të disa grupeve, në emër të OJQ-ve, të cilat janë të dirigjuara nga Radoiçiqi dhe vartësit e tij. Përndryshe, mendoj se gjendja e sigurisë në atë pjesë është shumë e mirë dhe duke pasur parasysh këtë bashkëpunim të qytetarëve me institucionet e sigurisë, mendoj se kjo është një indikacion se edhe në të ardhmen ata do të bëjnë një jetë normale, të prosperojnë dhe ta ndjejnë vetën të sigurtë në këto komuna, që dikur ishin të shantazhuara nga kriminelët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat