Zgjedhjet e reja parlamentare, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje mesazh opozitës: Nuk kemi nevojë për koalicione

Intervista

Zgjedhjet e reja parlamentare, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje mesazh opozitës: Nuk kemi nevojë për koalicione

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 5 nëntor 2024 Në ora: 08:00
Gramos Agusholli.

Në prag të zgjedhjeve të reja parlamantare, fushatës zgjedhore dhe përgatitjeve të partive politike për këtë proces, në një intervistë politike, ka folur deputeti i pozitës, Gramos Agusholli.

Agusholli deputet nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur për përgatitjet e partisë së tij për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai ka thënë se Vetëvendosja është e përgatitur për zgjedhje të reja dhe se pret që procesi të zhvillohet pa incidente.

Deputeti Agusholli potencoi e Qeveria Kurti e mbajti mandatin deri në fund edhe përballë gjithë presioneve, si nga politika e brendshme edhe ajo e jashtme.

Gjithashtu, ai ka treguar nëse kjo parti do të formoëj qeverinë me parti të tjera dhe a do të jetë sërish kandidat për deputet.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: A është përgatitur Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjet e reja?

Gramos Agusholli: Mendoj se çdo parti politike është e përgatitur për zgjedhje, veçanërisht tani, kur po i afrohemi përfundimit të mandatit të plotë të qeverisjes. Vetëm se, historikisht opozita duhet të jenë më entuziaste në këtë drejtim, sepse të qenit në opozitë sjell një dinamikë më ndryshe dhe shpesh mund të jetë më sfiduese si mendësi, ndërsa, politikisht opozita e ka shumë më të lehtë të artikulojë qëndrimet e saj dhe të ndërmarrë nisma politike. Pastaj, edhe Lëvizja Vetëvendosje ka nisur përgatitjet e para për zgjedhje, dhe shpresojmë që ky proces të zhvillohet në mënyrë të rregullt, me transparencë dhe pa incidente!

“Bota sot”: Pse mendoni se Vetëvendosja është e vetmja parti që e mbajti mandatin qeverisës deri në fund?

Gramos Agusholli: Një nga arsyet kryesore që ky mandat ka arritur të zgjasë deri në fund është sepse Qeveria nuk është dorëzuar përballë presioneve, qoftë nga politikat e brendshme apo nga ato te jashtme. Kemi qenë dëshmitarë të presionit të vazhdueshëm mbi kryeministrin, sidomos nga ana e BE-së, lidhur me dialogun me Serbinë, megjithatë, Qeveria ka arritur të qëndrojë e vendosur dhe e qetë përballë këtyre sfidave. Pastaj, kur një parti fiton me një përqindje të lartë mbështetjeje, siç ishte rasti i Vetëvendosjes në zgjedhjet e vitit 2021, pakënaqësitë brenda popullit janë më të pakta dhe, rrjedhimisht, presioni i brendshëm bie. Qytetarët e dijnë qe kanë zgjedhur një subjekt që i adreson nevojat e tyre dhe ndihen më të përfaqësuar në politikën e vendit. Kjo gjendje e ka kriju një stabilitet politik, edhe ja ka mundësuar qeverisë me i zbatu planet e saj pa shumë pengesa. Nga ana tjetër, opozita ka qenë në një heshtje thuajse të plotë përgjatë shumicës së këtij mandati, ndërsa vetëm tani në përfundim ka filluar të bëhet më e zëshme. Gjatë seancave në Kuvend, kritikat e opozitës shpesh kanë qenë të paqarta, duke mos ofruar alternativa konkrete për qeverisjen. Megjithëse besoj se ka pasur çështje mbi të cilat opozita do të mund të kishte ndërtuar një strategji të fuqishme dhe të bëhej zëri i qytetarëve në Kuvend.

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë e juaja për zgjedhjet e ardhshme?

Gramos Agusholli: Nëse po mendoni se çfarë pres nga procesi zgjedhor, unë besoj se Kosova ka pasur historikisht një proces zgjedhor të rregullt dhe me shumë pak incidente, sidomos kur krahasohet me vendet fqinje. Kjo reflekton përparimin tonë në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në kulturën politike. Ndërsa nëse është fjala për pritshmëritë e mia lidhur me rezultatet e zgjedhjeve, unë nuk pres që të ketë ndryshime në renditjen e partive politike. Megjithatë, ajo që mendoj është se në këto zgjedhje mund të ketë një rënie të pjesëmarrjes së votuesve, për arsye të ndryshme. Ajo që do të jetë interesante për t’u parë është gara për vendin e dytë, dhe pyetja se a do te ketë parti të 4-të ne Kuvend legjislaturen e ardhshme. Por, ka ende kohë, dhe besoj se derisa i afrohemi periudhës së fushatës dhe zgjedhjeve, këto dinamika do të bëhen më të qarta.

“Bota sot”: A do të ketë nevojë Vetëvendosja për koalicione për të formuar qeverinë?

Gramos Agusholli: Për të pasur një qeverisje të qëndrueshme dhe për të shmangur lodhjen e qytetarëve me zgjedhje të shpeshta, si në të kaluarën kur kishim zgjedhje çdo 1-2 vjet, është e rëndësishme që qeveria të formohet nga një parti e vetme. Pakënaqësitë që lindin brenda koalicioneve mund të theksohen edhe më shumë sidomos kur bëhet fjalë për një parti si Lëvizja Vetëvendosje, e cila tashmë ka qenë në pushtet për 4 vite, dhe qasja e saj ka qenë me bo reforma. Nuk mund të bësh reforma, me partitë e vjetra politike të cilat nuk kanë ndërruar shumë në mendësi. Koalicionet shpesh përballen me ndasi të mëdha ideologjike dhe mungesë të unitetit në vendimmarrje, çka mund të vështirësojë zbatimin e politikave dhe të çojë në rënien e qeverisë brenda një periudhe të shkurtër. Unë besoj se as në këto zgjedhje nuk do të jetë e nevojshme krijimi i një koalicioni paszgjedhor për të formuar qeverinë.

“Bota sot”: Cilën fushë Qeveria Kurti e sheh si arritjen e saj më të madhe gjatë këtij mandati?

Gramos Agusholli: Gjatë këtij mandati, Kosova është përballur me sfida të mëdha, sidomos në arenën ndërkombëtare, ku dinamika gjeopolitike ka ndryshuar në mënyrë të shpejtë dhe të thellë. Këto zhvillime kanë nxjerrë në pah sfida të reja që lidhen me sigurinë, stabilitetin dhe sovranitetin tonë. Një nga ngjarjet më kritike ishte sulmi në Banjskë, i cili ndodhi në një kohë kur ndryshimet globale sidomos luftërat kanë qenë në katër anët e botes. Menaxhimi i këtij sulmi ishte, sipas mendimit tim, një nga arritjet më të mëdha të qeverisë. Ky reagim i mirë dëshmoi aftësinë e shtetit për të mbrojtur vendin dhe për të siguruar qytetarët në momente shumë kritike! Ky incident na tregoi gjithashtu sesa i ndërlikuar ka qenë realiteti në veri dhe sa sfiduese ka qenë që qytetarët tanë të ndihen të sigurt përballë grupeve kriminale dhe bandave. Zbatimi thuajse i plotë i ligjshmërisë në atë rajon është një arritje e rëndësishme, duke garantuar sigurinë dhe integritetin e territorit tonë. Në arenën ndërkombëtare, nuk kemi bërë kompromise të dhimbshme, as për kufijtë e vendit dhe as për çështje të tjera të ndjeshme. Kemi mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, duke qëndruar të palëkundur përballë presioneve të shumta. Në të njëjtën kohë, kemi bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Bota sot”: A do të jeni kandidat për deputet edhe për një mandat?

Gramos Agusholli: Ky ka qenë mandati im i parë si deputet, dhe jam mundu me qenë zëri i qytetit tim dhe bindjeve të mia. Besoj se kam qenë parimor, dhe jam krenar që nuk jam përfshirë në ndonjë aferë korrupitive ose ndonjë përfitim të parasë pubilke. Për momentin, askush në Lëvizjen Vetëvendosje nuk është kandidat për deputet ose në listën zgjedhore. Besoj që listat do të dalin shpejtë, shpresojmë të jenë dinjitoze dhe të ketë hapësirë për përfaqësimin e të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm një pjese të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat