Kryetari i Rinisë Paneuropiane në landin e Bavarisë dhe nënkryetari federal të Rinisë Paneuropiane në Gjermani, Christian Hoferer, ka thënë se dërgimi i draftit për Asoacionin e Komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, do të ishte një kompromis i mirë.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Hoferer ka deklaruar se aktualisht nuk ka rrezik akut të luftës në Kosovë. Ndaj, ai ka kërkuar kujdes nga kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla, që të mos shqetësohet popullsia në Kosovë me deklarata për luftë, ani pse ka pranuar se gjendja e sigurisë në veri të vendit është e tensionuar kohë pas kohe.
Ai ka komentuar edhe paralajmërimet se Rusia ka hartuar një plan për të destabilizuar dhe për të krijuar një atmosferë jodemokratike në Kosovë para zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Ndërkombëtarët po vazhdojnë t’i bëjnë presion Qeverisë së Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. A duhet Qeveria e Kosovës ta çojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese? Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Christian Hoferer: Mendoj se paraqitja e një drafti të statutit në Gjykatën Kushtetuese është një kompromis i mirë.
“Bota sot”: Deri më tani, Kosova ka akuzuar BE-në për njëanshmëri dhe ledhatim ndaj Serbisë. A mund të priten ndryshime pozitive në favor të Kosovës, me rotacionin e udhëheqësve atje si Kaja Kallas apo Riho Terras?
Christian Hoferer: Personalisht jam një fans i madh i Kaja Kallas. Ish-kryeministrja e Estonisë ka punuar ngushtë me Bashkimin Pan-Evropian. Kallas që nga fillimi i këtij viti jo vetëm që i është ndaluar hyrja në Rusi, por kërkohet edhe në Rusi me urdhër arrest. Ajo nuk dyshohet se është pro-ruse apo diçka e tillë. Kjo më bën optimist për pozicionin e saj të ri si Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë.
“Bota sot”: Kryetari i Këshillit euro-atlantik të Serbisë, Dragan Sormaz, ka paralajmëruar se Rusia ka hartuar një plan për të destabilizuar dhe për të krijuar një atmosferë jodemokratike në Kosovë para zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt, duke synuar të ndikojë në procesin zgjedhor përmes individëve të angazhuar nga komunitetet pakicë. Si mund të parandalohen këto veprime nga Kosova?
Christian Hoferer: Kjo është një sfidë me të cilën po përballen pothuajse të gjitha demokracitë evropiane. Rusia po përpiqet të prishë stabilitetin politik dhe të ndikojë në vendimet politike përmes fushatave dezinformuese si manipulimi i mediave sociale. Kjo është veçanërisht e vërtetë në prag të zgjedhjeve. Sulmet kibernetike dhe hakimet gjithashtu luajnë një rol, siç luan edhe minimi i partive kryesore dhe mbështetja financiare e grupeve populiste. Fusha e betejës është veçanërisht në botën digjitale. Një qasje proaktive dhe e koordinuar, veçanërisht ajo që përfshin masat e sigurisë kibernetike, ndërgjegjësimin e publikut dhe bashkëpunimin me platformat e mediave sociale, mund të ndihmojë në ndërtimin e një mbrojtjeje elastike kundër ndërhyrjeve në zgjedhje.
“Bota sot”: Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në raportin e hartuar së fundmi për Kosovën, ka thënë se “atmosfera në Kosovën veriore mbetet e tensionuar dhe potenciali për përshkallëzim vazhdon". Çka mendoni ju për këtë?
Christian Hoferer: Situata në veri të Kosovës është e tensionuar herë pas here. Ngjarjet e këtij viti dhe të vitit të kaluar e tregojnë këtë.
“Bota sot”: Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla në mbledhjen e fundit në Këshill të Sigurimit të OKB-së, alarmoi se Kosova është në rrezik, pasi Putin mund të nisë luftë në Ballkan. Si e shihni këtë paralajmërim?
Christian Hoferer: Lëshimi i përsëritur i paralajmërimeve të tilla nuk është i dobishëm për momentin. Ata vetëm shqetësojnë popullsinë e tyre. Rusia sigurisht që është thelbësisht e interesuar në destabilizimin e Evropës Juglindore. Megjithatë, forca mbrojtëse e KFOR-it është ende e pranishme në Kosovë, me shtyllat e forta amerikane dhe evropiane të NATO-s. KFOR-i ka rezerva të konsiderueshme ushtarake jashtë vendit që mund të vendosen në Kosovë në rast emergjence, në aspektin e personelit dhe materialit. Aktualisht nuk ka rrezik akut të luftës për Kosovën. Pak më qetësi do të ishte e përshtatshme. Partnerët ndërkombëtarë e dinë këtë.
“Bota sot”: Qeveria e Kosovës, si rrallë herë u përgëzua për veprimet me CEFTA-n dhe pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e radhës të Procesit të Berlinit. A mund të shënojë kjo një kthesë në marrëdhëniet shpesh të ndërlikuara të Kosovës me aleatët e saj?
Christian Hoferer: Në thelb, është gjithmonë e rëndësishme të komunikoni mirë me miqtë, me respekt dhe të mbani sa më shumë që të jetë e mundur marrëveshjet ekzistuese. Partnerët e mirë mund të flasin gjithmonë me njëri-tjetrin.