Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka flour Fiknete Bejta, kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për postin e deputetes në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Ajo në këtë intervistë ka dhënë vlerësimin dhe kritikat e saj për situatën politike aktuale të vendit.
Bejta ka folur rreth nevojës urgjente për ndryshim, duke theksuar se Kosova ka humbur kursin e saj tradicional të zhvillimit dhe partneritetit me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në.
Për më tepër, Bejta ka theksuar “dështimet” e Qeverisë Kurti, ndërsa ka përsëritur angazhimin e LDK-së për një program qeverisës të reformuar dhe një qeveri të orientuar drejt stabilitetit dhe zhvillimit afatgjatë.
Intervsita e plotë:
“Bota sot”: Zonja Bejta, si e komentoni politikën në vend?
Fiknete Bejta: Kosova tani është në një situatë politike që më shumë se asnjëherë më parë ka nevojë për një ndryshim të shpejt për ta kthyer në binarët e saj tradicionalë që e kanë sjellë te liria e më vonë te pavarësia. Këto arritje historike për Kosovën janë bërë realitet në aleancë të ngushtë me SHBA-në dhe partnerët e tjerë perëndimorë. Pikërisht kjo aleancë me SHBA-në dhe këto aleanca me partnerët perëndimorë janë lëkundur me qeverinë aktuale të z. Kurti përmes përplasjeve të shpeshta dhe të ashpra. Është e pabesueshme vetëm të mendohet se sot Kosova ende është nën masa sanksionuese të BE-së dhe në një komunikim kundërshtues me SHBA-në. Kjo sjellje e Kosovës me aleatët duhet ndalur sa më parë. Asgjë e mirë nuk do të vijë nga kjo politikë e çoroditur. Në vend të kësaj duhet gjetur rrugën e partneritetit strategjik me aleatët drejt zgjidhjeve të qëndrueshme politike, përpara politikave ditore që kanë qëllime elektorale e partiake. Kjo, sipas mendimit tim, është krye-ngjarja politike në vendin tonë në këto vitet e fundit.
“Bota sot”: Si e patë zgjedhjen e Trump për president të SHBA, cili mendoni se do të jetë ndikimi i tij për Kosovën?
Fiknete Bejta: SHBA është modeli i demokracisë më të përparuar në botë ku qytetarët thonë fjalën e fundit për çdo vendim të madh. Amerikanët vendosën që z. Donald Trump ta kthejnë në Shtëpinë e Bardhë. Asnjë ndryshim në Shtëpinë e Bardhë nuk ka prodhuar asnjëherë lajm të keq për Kosovën. Politika amerikane ka qenë konsistente për pothuajse 3 dekada në raport me Kosovën dhe të gjithë shqiptarët. Presidenti Trump si republikan, sikurse Presidenti Biden si demokrat janë të palëkundur në qëndrimin e tyre mbi Kosovën shtet të pavarur dhe sovranë. Po ashtu, jam plotësisht e bindur se SHBA me z. Trump do të vazhdojë të jetë garancë e sigurisë për Kosovën, por edhe mbështetje e fuqishme ekonomike dhe zhvillimore, siç ka qenë për 25 vitet e fundit në mënyrë të pa ndalur.
“Bota sot”: Cila është zgjidhja e LDK-së për dialogun Kosovë-Serbi?
Fiknete Bejta: Tavolina e dialogut duhet të zhvendoset në Uashington. Dialogu nuk do të krijojë një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme pa përfshirjen e SHBA-së në tavolinën e dialogut, si garancë zbatimi të marrëveshjeve që mund të arrihen. Kryetari i LDK-së, z. Lumir Abdixhiku është shprehur shkurt dhe qartë publikisht për këtë gjë, që me t’u zgjedhur Kryeministër i Kosovës, gjëja e parë që do ta ndërmarrë në këtë drejtim, është përfshirja e SHBA-së në procesin e dialogut. Jemi dëshmitarë se si në këto katër vitet e fundit marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë kanë shënuar vetëm përkeqësim dhe e kanë rënduar gjendjen e sigurisë në vend e sidomos në veri, me politika e aksione të pakoordinuara me partnerët tanë. Kjo qasje duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë. Kur në tavolinë negociatash është gjetur edhe SHBA, Kosova asnjëherë nuk ka humbur.
“Bota sot”: Në rast të ndonjë koalicioni, cila është alternativa e LDK-së?
Fiknete Bejta: LDK shkon në këto zgjedhje e reformuar, me program të vërtetë qeverisës dhe me një listë kandidatësh që kanë vlera dhe pjekuri të lartë, nën drejtimin e një kryeministri të ardhshëm siç është kryetari z. Abdixhiku. Në këtë fazë të vrullit të punës dhe organizimeve të shumta, as nuk është duke menduar për koalicione të mundshme. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, dhe çfarë është më e rëndësishme se kaq, është që do ta implementojmë programin tonë qeverisës, duke ndryshuar kursin politik dhe ekonomik të vendit. Kjo është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.
“Bota sot”: A është gati LDK dhe cili është parashikimi juaj për zgjedhjet e 9 shkurtit?
Fiknete Bejta: Natyrisht, LDK tani është gati. Natyrisht jo vetëm shpresojmë, por edhe presim që LDK të dal më e votuara në këto zgjedhje. Duke parë indikatorët e ndryshëm, por mbi të gjitha nevojën për një ndryshim dhe entuziazmin e qytetarëve për një LDK të re, që mbështetet në vlerat e saj tradicionale dhe vizionin e saj të qartë për të ardhmen, ne presim një fitore të fuqishme. Këtë fitore assesi nuk mund ta shohim si një privilegj postesh e pozitash të pushtetit, por si një përgjegjësi të lartë për të punuar me angazhim, përgjegjësi e disiplinë të lartë.
“Bota sot”: Qeveria Kurti është në fund të mandatit, si e keni parë punën e tyre?
Fiknete Bejta: Duhet thënë e vërteta. Kjo qeveri e z. Kurti krijoi shumë shpresë në fillimet e saj. Aq shumë premtime dhe zotime u dhanë nga z. Kurti, sa që të gjithë menduan se ai ka një plan të qartë, një program të detajizuar dhe një vullnet të madh për ta ndryshuar pozitivisht Kosovën. Mirëpo, duket se asgjë të vërtetë nuk kishte përtej fjalëve boshe pa analizë e shkencë. Z. Kurti është shndërruar në një dëshpërim të madh për qytetarët e Kosovës. Qeveria e tij ka dështuar ta bëjë ndryshimin e premtuar. Sot, qytetarët e Kosovës janë më të shtrënguar se asnjëherë më parë në kuptimin ekonomik dhe më të kërcënuar se asnjëherë më parë në aspektin e sigurisë. 4 vite inflacion e kërcënime të përditshme për luftë, kjo ishte qeveria e Kurtit, që në fillimet e saj u quajt qeveria e shpresës.