Mbështetje e madhe për koalicionin LVV-Lista ‘Guxo’ - Deputeti ka një paralajmërim për opozitën para zgjedhjeve të 9 shkurtit

Intervista

Mbështetje e madhe për koalicionin LVV-Lista ‘Guxo’ - Deputeti ka një paralajmërim për opozitën para zgjedhjeve të 9 shkurtit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 nëntor 2024 Në ora: 18:15
Nasuf Bejta

Deputeti nga radhët Listës ‘Guxo’, Nasuf Bejta në një intervistë për “Bota sot” ka folur mbi zhvillimet e fundit në vend, si dhe zgjedhjet e reja parlamentare.

Së pari, ai kritikoi opozitën për mosbashkëpunim në çështjet që presin interesant e shtetit, ndër to ishin edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Bejta foli edhe në lidhje me sanksionet e vendosura ndaj Kosovës nga ana e BE-së, ku i cilësoi shumë të padrejta, derisa kritikoi ashpër ndërkombëtarët për qasjen e tyre.

Në këtë pikë, përmendi edhe mbarëvajtjen e dialogut me Serbinë, po ashtu edhe mosndëshkimin e shtetit serb, pavarësisht veprimeve dhe vendimeve të ndryshme që ka marrë ndaj Kosovës.

Tutje, deputeti u tregua optimist për zgjedhjet e reja parlamentare, ku u shpreh i bindur se koalicioni LVV-Lista ‘Guxo’, do të korrë fitore të thellë.

Në fund, ai kishte disa fjalë për opozitën dhe koalicionet, ku potencoi se janë në “frikë e panik se mund të dalin shumë keq në këto zgjedhje”.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Nasuf Bejta: Konsideroj se situata politike në vend nga qershori e këtej ka shumë pak ndryshime meqë e tërë energjia e opozitës është e orientuar në pamundësimin e shtyerjes përpara të shumë çështjeve që i prekin direkt interesat e qytetarëve të Kosovës. Mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtarëve nuk ka ndonjë arsyje përveç se para opinionit të krijohet përshtypja e paaftësisë së pozitës momentale.

Gazeta “Bota sot”: Tash e një kohë të gjatë Kosova është nën sanksione, a është koha që BE t’i largojë ato dhe të tregohen më tolerante dhe përkrahëse ndaj Kosovës?

Nasuf Bejta: Sa u takon masave që BE i ka vendosur ndaj Kosovës edhe më herët jam deklaruar se ato janë vendosur shumë njëanshëm. Vendosja e këtyre masave nuk mund të argumentohet përveç politikave jo parimore ndaj shqiptarëve që i kanë rrënjët në historinë e hershme, ku dihet botërisht se çfarë dëmi i kanë shkaktuar kombit tonë.

Përndryshe, a ka kush që ndryshe mund ta arsyetoj mllefin dhe urrejtjen ruse ndaj nesh kur as nuk luftuam me ta e as nuk i kemi në kufi…

Marrëveshjet e europianëve me Rusinë, kur kanë qenë në pyetje shqiptarët gjithëmonë e kanë pasë edhe nga një aneks marrëveshje të fshehtë në dëm të shqiptarëve 

Gazeta “Bota sot”: A do duhej që Serbia të ishte tashmë në sanksione dhe pse gjithë kjo ‘përkëdhelje’ nga ana e BE-së për shtetin serb?

Nasuf Bejta:  Konsideroj se Serbisë është dashur t’i vendosen sanksionet që nga vitet 90. Ajo nuk ka bërë asnjë përmirësim dhe çdo ditë e më agresore po tregohet, sepse me ledhatimet që po ia bëjnë po i japin kurajo dhe mundësi për agresivitet…

Gazeta “Bota sot”: Së fundi, u mbajtën zgjedhjet në SHBA, si e keni parë fitoren e Trumpit dhe a është ky sinjal pozitiv për Kosovën?

Nasuf Bejta: Fitorja e Trumpit në SHBA është zgjedhje e popullit amerikan. Të presim edhe vendimin e dhomave të Kongresit ….

Gazeta “Bota sot”: A do ndryshojë rrjedha e dialogut Kosovë-Serbi me ardhjen e Trumpit në pushtet?

Nasuf Bejta: Po mënyra e dialogut Kosovë Serbi duhet të ndryshoj. Kosova i ka krye detyrat lidhur me dialogun. Serbia duhet të ndryshoj rrënjësisht prandaj asaj duhet t’i tregohet njëherë e përgjithmonë se si duhet me u sjellë e me jetu me të tjerët.

Gazeta “Bota sot”: Duke parë që zgjedhjet e reja parlamentare janë afër, çfarë prisni nga këto? A do arrijë që LVV me Listën Guxo ta përsërisin suksesin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021?

Nasuf Bejta: Po besoj se përkundër sulmeve që po i bëhen nga: Serbia, opozita e të tjerë, koalicioni që për momentin është në pozitë do të ketë mbështetje të madhe edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Gazeta “Bota sot”: Po ashtu, po përflitet për koalcione të ndryshme zgjedhore, derisa nga opozita kanë deklaruar se do bashkohen kundër LVV. Si e perceptoni këtë?

Nasuf Bejta: Koalicionet e tjerëve kundër pozitës momentale i shoh si dëshirë të tyre për të rimarrë pushtetin dhe si frikë e panik se mund të dalin shumë keq në këto zgjedhje.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat