Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Evropian: Kosova mund të detyrohet të pranojë një model asociacioni, që do t’ia imponojnë evropianët

Intervista

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Evropian: Kosova mund të detyrohet të pranojë një model asociacioni, që do t’ia imponojnë evropianët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 nëntor 2024 Në ora: 13:06
Ramadan Gjanaj

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Evropian (KAEC), Ramadan Gjanaj, thotë se vonesat në krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe mund ta detyrojnë Kosovën në fund ta pranojë një model asociacioni që do t’ia imponojnë evropianët.

Gjanaj në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, shprehet se dialogu Kosovë- Serbi ka bllokuar si rezultat i dallimeve themelore ndërmjet palëve dhe të njëjtën kohë ndërmjetësimi ndërkombëtar është i dobësuar nga mungesa e unitetit midis BE-së dhe Shteve të Bashkuara dhe levave të pamjaftueshme të presionit.

“Lufta në Ukrainë është një element shtesë në ketë ekuacion ku duket se Serbia më shumë po favorizohet nga BE-ja dhe SHBA. Për të « ringjallur » dialogun, koordinimi BE-SHBA është vendimtar, por pa lëshime të ndërsjellta (si në diskutim mbi Asociacionin e komunave serbe pa autonomi të tepruar) asgjë nuk do të ecë. E ardhmja do na tregojë nëse administrata e re amerikane është ajo që do ta përkrahë dialogun, por sidomos si do t’i përkrahë veprimet e BE-së në këtë dialog”, deklaron Gjanaj.

Sipas tij, për të thyer bllokimin, Kosova duhet të adoptojë një qasje pragmatike, sidomos për Asociacionin e Komunave Serbe, ndërsa BE-ja duhet të qartësojë kërkesat e saj dhe të forcojë unitetin e saj.

Duke folur rreth rizgjedhjes së presidentit Donald Trump në krye të Amerikës dhe atë se çfarë e pret botën e Ballkanin Perëndimor, Gjanaj pohon se, rizgjedhja e Trump-it mund të ofronte rezultate pragmatike në afat të shkurtër, por pa një vizion strategjik për Ballkanin, duke rritur rrezikun e tensioneve.

Gjanaj në intervistë flet edhe rreth masave ndëshkuese të BE-së dhe mos largimit të tyre, mos përmendjen e dialogut nga ana e Kaja Kallas dhe rreth zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Intervista:

"Bota sot": Zotëri Gjanaj, si e keni parë rizgjedhjen e presidentit Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çfarë e pret botën dhe Ballkanin Perëndimor rizgjedhja e tij?

Ramadan Gjanaj: Donald Trump favorizon një politikë të jashtme transaksionale të fokusuar në interesat amerikane me një mosangazhim shumëpalësh (multilateral) dhe me një fokus në marrëveshjet ekonomike.

Për Ballkanin Perëndimor, kjo do të thotë më pak mbështetje nëpërmjet BE-së dhe NATO-s, një diplomaci dypalëshe dhe nisma ekonomike por pa i zgjidhur konfliktet politike në themel. Lidhjet e tij me disa udhëheqës populistë (Rusi, Hungari etj..) mund të inkurajojë politika nacionaliste, ndërsa reduktimi i përfshirjes së SHBA mund të hapë derën për ndikim më të madh nga Kina dhe Rusia. Ballkani pret që Shtetet e Bashkuara të ndërmjetësojnë për stabilitetin rajonal, mbështetje ekonomike dhe nisma energjetike. Sipas meje, rizgjedhja e Trump-it mund të ofronte rezultate pragmatike në afat të shkurtër, por pa një vizion strategjik për Ballkanin, duke rritur rrezikun e tensioneve.

"Bota sot": Ekzistojnë deklarata se rizgjedhja e Trumpit dhe emërimi i mundshëm i Richard Grenell si sekretar i Shtetit apo në ndonjë pozitë tjetër të lartë në politikën e jashtme do ta vënë kryeministrin Kurti në zgjidhje të vështira. Si e komentoni këtë, a mendoni se do të rikthehet ideja e ndryshimit të territoreve?

Ramadan Gjanaj: Deri më sot, ngelet për të parë nëse Grenell do të zgjidhet në një post te rëndësishëm dhe nëse po, çfarë detyre do të ketë ai. Besoj se kushdo që do të emërohet Sekretar i ri i Shtetit (sipas të gjitha gjasave do të jetë Marco Rubio) Kosova dhe Albin Kurti mund të përballen me presion të shtuar për të pranuar kompromise në dialogun Serbi-Kosovë, kompromise të pranuara më para nga Kosova në Marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit. Mirëpo, qoftë Rubio, qoftë Grenell, të cilët favorizojnë marrëveshjet e shpejta ekonomike dhe jo zgjidhjet gjithëpërfshirëse politike, mund të margjinalizojë pretendimet e Kurtit për sovranitet dhe respekt reciprok. Kurti rrezikon të detyrohet të dorëzohet për çështje delikate, siç është autonomia e komunave serbe, pa marrë njohjen e plotë nga Serbia. Nëse ai nuk është dakord me qasjen amerikane, ai mund të jetë subjekt i presionit diplomatik ose financiar. Kurti do të mundohet padyshim t’i përgjigjet këtij presioni duke i forcuar lidhjet me BE-në, duke e mobilizuar mbështetjen e popullit kosovar dhe duke kërkuar mbështetje nga vendet me ndikim. Megjithatë, vonesat e Kosovës në implimentimin e marrëveshjeve të firmosura me Serbinë nën kujdesjen e BE dhe me mbështetjen e SHBA-ve e kanë dobësuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

"Bota sot": Dialogu Kosovë- Serbi tash e një vit ka ngecur, ai ka kaluar në nivel kryenegociatorësh dhe pa rezultate në takime. Si e keni parë ecurinë e dialogut Kosovë- Serbi dhe kush “gaboi” për këtë stangim të bisedimeve?

Ramadan Gjanaj: Bllokimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rezultat i dallimeve themelore ndërmjet palëve. Kosova kërkon njohje reciproke, kurse Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe kërkon të ruajë ndikimin e saj mbi komunitetet serbe. Me thënë të drejtën, Qeveria e Kosovës po merr një qasje jo fleksibile, padyshim popullore por bllokuese, ndërsa Aleksandar Vuçiç po përdorë  këtë bllokim për të forcuar lidhjet e tij me Rusinë dhe Kinën. Në të njëjtën kohë, ndërmjetësimi ndërkombëtar është i dobësuar nga mungesa e unitetit midis BE-së dhe Shteteve të Bashkuara dhe levave të pamjaftueshme të presionit mbi palët. Lufta në Ukrainë është një element shtesë në ketë ekuacion ku duket se Serbia më shumë po favorizohet nga BE-ja dhe SHBA. Për të « ringjallur » dialogun, koordinimi BE-SHBA është vendimtar, por pa lëshime të ndërsjellta (si në diskutim mbi Asociacionin e komunave serbe pa autonomi të tepruar) asgjë nuk do të ecë. E ardhmja do na tregojë nëse administrata e re amerikane është ajo që do ta përkrahë dialogun, por sidomos si do t’i përkrahë veprimet e BE-së në këtë dialog.

"Bota sot": Nga Kosova shpesh herë kemi dëgjuar akuza ndaj qasjes jo neutrale të ndërmjetësuesit te BE-se, për dialog dhe shefit të BE-së. Me emërimin e Kaja Kallas, është parë një entuziazëm dhe shpresë për neutralitet, ndërsa në seancën dëgjimore para PE-së, ajo nuk ka prekur dialogun si temë. A po bie në “hije” dialogu Kosove- Serbi nga BE-ja, si e komentoni paraqitjen e saj të parë dhe çka mund të pres Kosova nga ajo për dialog?

Ramadan Gjanaj: BE-ja akuzohet nga Kosova për anëshmëri në favor të Serbisë dhe përfshirja e saj në dialogun Kosovë-Serbi është dobësuar pjesërisht për shkak të krizave të brendshme si lufta në Ukrainë duke parë edhe krediibilitetin e saj në ulje, sidomos në sytë e shqiptarëve të Kosovës. Prezantimi i Kaja Kallas para deputetëve evropianë javën e kaluar, pa asnjë përmendje të dialogut, pasqyron një mungesë të dukshme prioriteti për këtë çështje dhe natyrisht dhe e la një shije të hidhur në sytë e shqiptarëve, që presin shumë nga emërimi i saj në krye të EEAS në vend të Josep Borrell-it. Megjithatë, ndjeshmëria e saj ndaj sovranitetit kombëtar mund të forcojë mbështetjen për Kosovën si dhe të balancojë presionet nga të dyja palët. Nëse BE nuk rrit përpjekjet e saj, SHBA mund të luajë një rol në rritje, duke komplikuar një strategji të unifikuar. Për ta rifituar besueshmërinë në dialog, BE-ja do të duhet të sqarojë objektivat e saj për rajonin, të sigurojë ndërmjetësim të balancuar në kuadër të dialogut si dhe dhe të ofrojë perspektiva konkrete për integrimin evropian për gjithë rajonin. Mbas zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit, institucionet e reja të BE-së kanë për t’i caktuar prioritetet e tyre për legjislaturën e re. Shpresojmë se dialogu Kosovë-Serbi do të zë vend kyç në këto prioritete!

"Bota sot": Kosova ende gjendet nën masa ndëshkuese të BE-së, edhe pse sipas Kosovës janë përmbushur kushtet që të largohen ato. Ekzistojnë zëra se ka vende brenda BE-së, që nuk duan largimin e masave, cili është komenti juaj rreth kësaj çështjeje dhe cilat vende mund të konsiderohen pengesë për mos largimin e masave?

Ramadan Gjanaj: Sanksionet evropiane kundër Kosovës pasqyrojnë tensionet në veri të vendit dhe ngurtësinë e Qeverisë Kurti në dialogun me Serbinë si dhe në disa vendime të njëanshme. Tani flasim për heqjen e atyre masave, mirëpo nuk duhet të harrojmë se disa vende të BE-së, sidomos ato që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës (Spanja, Greqia etj.) apo ato që mbështesin Beogradin (si p.sh. Hungaria), po e ngadalësojnë heqjen e sanksioneve. Të tjerë, si Franca dhe Gjermania, kritikojnë qëndrimin jo fleksibil të Kurtit. Këto sanksione nxjerrin në pah ndarjet e brendshme të BE-së dhe mungesën e konsensusit të saj për statusin e Kosovës. Kjo dobëson besueshmërinë e BE-së dhe mund të inkurajojë përfshirjen më të madhe të aktorëve të jashtëm, si Shtetet e Bashkuara apo Rusia. Për të thyer bllokimin, Kosova duhet të adoptojë një qasje pragmatike, sidomos për Asociacionin e Komunave Serbe, ndërsa BE-ja duhet të qartësojë kërkesat e saj dhe të forcojë unitetin e saj. Sigurisht se edhe vonesat në krijimin e Asociacionit e kanë dobësuar pozitën e Kosovës duke e nxjerrë Kosovën si vend jo lojal ndaj aleatëve të saj.

"Bota sot": Asociacioni është çështja tjetër që kërkohet me ngulm si nga BE, ashtu edhe nga zyrtaret e SHBA-së, nga Kosova kërkojnë garancë që ai nuk do të jetë me kompentenca ekzekutive dhe një Republikë Srpska. Cili është mendimi juaj dhe çfarë versioni të asociacionit do të duhej të bënte Kosova?

Ramadan Gjanaj: Kosova ka frikë se Asociacioni i Komunave Serbe me kompetenca të gjera, do të bëhet një entitet paralel që kërcënon sovranitetin e saj, si Republika Srpska në Bosnjë. Serbia kërkon një Asociacion me kompetenca të gjëra në fusha të ndryshme, të cilat Shtetet e Bashkuara dhe BE i refuzojnë, duke këmbëngulur në një model në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Një version i pranueshëm i Asociacionit mund të përfshijë një rol këshillimor dhe administrativ të kufizuar në kompetenca si kultura, arsimi dhe shëndetësia, pa autoritet ekzekutiv apo legjislativ. Kjo zgjidhje, e mbikëqyrur dhe e garantuar nga aktorët ndërkombëtarë, do të siguronte respektimin e integritetit të Kosovës, ndërsa do t’i plotësonte nevojat e serbëve. Në të njëjtën kohë kjo do të forconte besueshmërinë e Kosovës dhe do të kontribuonte në zvogëlimin e tensioneve. Kam frikë se siç e thashë edhe më parë vonesat në krijimin e asociacionit do ta detyrojnë më në fund Kosovën ta pranojë një model asociacioni që do të ia imponojnë evropianët.

"Bota sot": Gjersa jemi te asociacioni i komunave me shumicë serbe, ndalemi pak te situata në veri. Sipas ekspertëve të sigurisë, situata atje vazhdon të jetë e brishtë, në anën tjetër jepen paralajmërime për një luftë në Ballkan dhe se Kosova është në rrezik nga Rusia e Putini. Cili është komenti juaj për këtë?

Ramadan Gjanaj: Situata në veri të Kosovës është e tensionuar, e shënuar nga një autoritet të dobët të Prishtinës, nga kundërshtimi i zgjedhjeve nga serbët lokalë dhe prania e grupeve paraushtarake. Këto tensione janë përkeqësuar nga mbështetja e Rusisë për Serbinë, e cila po përdoret për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë dhe për të dobësuar ndikimin perëndimor. Megjithëse Serbia po i shfrytëzon këto tensione si avantazh diplomatik, një konflikti i hapur mbetet i pamundur për shkak të ambicieve serbe për t’u bërë pjesë e BE-së nga një anë dhe nga ana tjetër nga prezencës së trupave të NATO-s. Kosova rrezikon të humbasë komplet besueshmërinë institucionale dhe diplomatike nëse tensionet vazhdojnë në Veri që vetëm jua mundësojnë aktorëve të jashtëm si Rusia apo Kina të ndërhyjnë më tej. Për të parandaluar një përshkallëzim, Prishtina duhet të forcojë institucionet e saj, të punojë me NATO-n dhe të thellojë angazhimin e vet në një dialog serioz me Beogradin. Një komunikim strategjik si dhe mbështetja e komunitetit ndërkombëtar janë dy elemente thelbësore për të kundërshtuar propagandën serbo-ruse si dhe për të stabilizuar rajonin. Dialogu mbetet çelësi për uljen e tensioneve në afat të gjatë dhe forcimin e stabilitetit në Ballkan.

"Bota sot": Për fund, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja parlamentare në shkurt të vitit të ardhshëm. Cila do të ishte këshilla juaj për partitë politike garuese dhe kush mendoni se do të duhej ta merrte primatin e qeverisë?

Ramadan Gjanaj: Për mua që kam lindur dhe jam rritur jashtë e kam disi problem me ju dhënë këshilla politike partive të Kosovës. Megjithatë, vlerësoj se zgjedhjet parlamentare në Kosovë në shkurt janë vendimtare për forcimin e demokracisë dhe stabilitetit në vend. Do të ishte mirë që partitë politike t’i shmangen gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve. Partitë duhet t’i përqendrojnë fushatat e tyre në prioritetet kombëtare si sovraniteti, pozita ndërkombëtare të Kosovës duke përfshirë ekonominë, luftën kundër korrupsionit dhe dialogun me Serbinë. Ata duhet të demonstrojnë një angazhim të besueshëm ndaj integrimit evropian dhe të nxisin udhëheqës kompetentë dhe të respektuar. Qeverisë së ardhshme do t'i duhet t'i japë përparësi stabilitetit politik, administrimit të tensioneve në veri, reformave ekonomike dhe sociale si dhe të forcojë marrëdhëniet ndërkombëtare..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat