“Priten provokime të reja nga Serbia”, eksperti paralajmëron Kosovën – jep edhe ‘lajmin e mirë’ pas fitores së Trump-it!

Intervista

“Priten provokime të reja nga Serbia”, eksperti paralajmëron Kosovën – jep edhe ‘lajmin e mirë’ pas fitores së Trump-it!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 nëntor 2024 Në ora: 18:19
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla në një intervistë për “Bota sot” ka folu në lidhje me çështjet e sigurisë në Kosovë, por në përgjithësi edhe për atë në rajonin e Ballkanit.

Si fillim, ai vlerësoi se situata është e tensionuar, por e qendrushme.

Sipas tij, konflikti në veri Kosovës është i llojit me intensitet të ulët dhe i ngrirë, por jo i shuar.

Në këtë pikë, ai nuk e përjashtoi mundësinë që të kapen armatime të reja, apo edhe të përkeqësohet gjendja.

Kulla foli edhe për mungesën e bashkëpunimit të institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe për ndikimin që mund ta ketë fitorja e Trump në rajonin tonë.

Image
Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Z.Kulla si e vlerësoni situatën aktuale të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë?

Ilir Kulla:  Situatën aktuale e vlerësoi të tensionuar, por të qëndrueshme, të shohim nëse kjo qëndrueshmëri do vazhdojë.

Gazeta “Bota sot”: Së fundi, Policia e Kosovës gjeti armatim dhe veshje ushtarake në veri. Si e komentoni këtë? A janë këto dëshmi se mund të ketë banda serbe ende që operojnë fshehtazi në pjesën veriore, apo janë mbetje nga sulmi i organizuar në Banjskë, vitin e kaluara?

Ilir Kulla: Konflikti në veri të Kosovës është i llojit me intensitet të ulët dhe i ngrirë, por jo i shuar. Si i tillë nuk mund as të përjashtojmë që kapen armatime dhe as që përkeqësohet. Mund të themi që nga shtatori i vitit të shkuar, kur Policia e Kosovës dhe autoritetet kanë vënë nën kontroll veriun, bandat në veri kanë kuptuar që gjërat s’janë më si dikur.

Gazeta “Bota sot”: Në disa lokacione në Mitrovicën e Veriut janë ngjitur posterë me flamurin e Serbisë dhe mbishkrimin “Ja ku jemi për Krishtlindje”. A mund të jetë sinjal se mund të ketë provokime dhe mundësi përshkallëzimi gjatë muajit dhjetor? Si duhet vepruar në këtë rast?

Ilir Kulla: Duhet të kuptojmë se festat fetare janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës në veri të përkatësisë serbe dhe kjo është normale.  Provokime do ketë, por me rëndësi të ruhen nervat e qeta.

Gazeta “Bota sot”: Kosova vazhdon të jetë ende nën sanksione, derisa Serbia jo, pavarësisht provokimeve dhe kërcënimeve të saj? A është koha që ndërkombëtarët të reagojnë dhe të ndryshojnë qasjen ndaj shtetit serb?

Ilir Kulla: Është naive të kërkohet faji te ndërkombëtarët. Serbia ka lidhur interesat e saj me perëndimin më mirë se Kosova nga pikëpamja e investimeve të huaja direkte, ndaj dhe narrativa perëndimore ka ndryshuar. Është koha që udhëheqësia politike e Prishtinës ta kuptojë këtë dhe ta bëjë Kosovën më interesante për kapitalet perëndimore sesa Serbia. Nuk ka asgjë personale kush ndaj Kosovës, interesat ekonomike dhe gjeopolitike dominojnë politikat e vendeve të mëdha.

Gazeta “Bota sot”: A do duhej të kishte bashkëpunim më të thellë mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe Shqiëprisë? Nëse po, si mund të arrihet kjo?

Ilir Kulla: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri është çështje e vullnetit politik më shumë sesa teknik. Mesa duket sot Prishtina zyrtare vlerëson më të rëndësishme marrëdhënien me Shkupin zyrtar sesa me Tiranën zyrtare, do të shohim, bashkëpunimi mes agjencive të sigurisë është i nivelit të lartë, por duhet shoqëruar me bashkëpunim më të madh politik, që për momentin mungon.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë prisni nga fitorja e Donald Trump në SHBA? A do ndikojë pozitivisht për sigurinë në Kosovë dhe Ballkan?

Ilir Kulla: Nga fitorja e Trump pres armëpushim në 2 konfliktet më të mëdha në kufijtë e rajonit tone, ai në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Si të tillë do dëshiroja që të ketë dhe rikthim të vëmendjes mbi rajonin tonë, por nuk më gënjen mendja e di që prioritet do të jenë Kina, Rusia, Irani, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat