Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot” ka folur në lidhje me zhvillimet e fundi në Kosovë, Ballkan, si dhe në Parlamentin Evropian.
Së pari, foli mbi ndikimin e zgjedhjeve të BE-së në Parlamentin Evropian, ku në këtë rast kishte rezervat e tij, derisa pavarësisht kësaj u shpreh optimist në disa pika.
Po ashtu, Waitz foli edhe për procesin e zgjerimit të BE-së dhe mundësinë e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kurse, sa i përket sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës tha se i ka kundërshtuar para se të vendoseshin ato, derisa tha se duhet të largohen sa më parë.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, eurodeputeti austriak shpreson se do ketë zhvillime pozitive në këtë aspekt, derisa përmendi ndikimin që mund ta kenë komisionarët Kaja Kallas dhe Marta Kos.
Intervista e plotë:
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni në përgjithësi situatën politike në Bashkimin Evropian dhe rajonin e Ballkanit?
Thomas Waitz: Zgjedhjet e BE-së fatkeqësisht kanë zhvendosur shumicën në Parlamentin Evropian në një koalicion të krahut të djathtë ndaj ekstremistëve. Ky nuk është një lajm i mirë për këdo që lufton për politika progresive, të drejta themelore dhe demokraci. Megjithatë, pas një kohe të gjatë stagnimi, vrulli për zgjerim është rritur që nga viti 2022, thjesht duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e humbim atë. Shpresoj që Komisionerja e re për Zgjerimin, Marta Kos, me këtë portofol të sapokrijuar do të kontribuojë në progres dhe unë do të vazhdoj të ushtrojë përpjekje për të mbajtur Ballkanin Perëndimor në axhendën e BE-së. Është koha e duhur për të hedhur hapa të mëdhenj në këtë mandat, por kjo sigurisht që varet edhe nga vendet kandidate. Unë shoh një dritare mundësie këtu që nëse ata realizojnë reformat e tyre, mund të ndodhë përparim i vërtetë.
Gazeta “Bota sot”: A vlerësoni se është koha që të bëhet zgjerimi i BE-së, me që rast të hapet rrugë për anëtarësim të vendeve të rajonit tonë?
Thomas Waitz: Është padyshim koha dhe ne në Parlamentin Evropian kemi rezervuar, fjalë për fjalë, vende në seancë plenare për anëtarët e rinj. Unë jam duke punuar drejt një suksesi të pranimit në BE brenda këtij mandati, që do të thotë se BE-ja duhet të mirëpresë një anëtar të ri nga Ballkani Perëndimor në pesë vitet e ardhshme. Unë mbështes parimin e regatës; BE-ja duhet të vlerësojë çdo vend kandidat sipas progresit dhe meritave të veta, jo në një grup. BE-ja është gati të rritet dhe nuk ka nevojë për reforma thelbësore të brendshme për të përfshirë vende si Mali i Zi apo Shqipëria. Mirëpritja e këtyre vendeve do t'i forconte ato dhe BE-në gjeopolitikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht, por nuk i takon vetëm BE-së ta bëjë këtë.
Gazeta “Bota sot”: Sipas jush, sa është i pranishëm ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor dhe sa e rrezikon kjo gjë Ballkanin?
Thomas Waitz: Mendoj se fushatat elektorale të viteve të fundit, në Evropë, por për shembull edhe në SHBA, kanë treguar se Rusia po ushtron ndikimin e saj globalisht. Kjo përfshin Ballkanin Perëndimor, ku Rusia synon mediat tradicionale dhe sociale, si dhe zgjedhjet dhe politikanët. Kjo ndërhyrje është shumë e rrezikshme pasi qëllimi i Putinit është të destabilizojë demokracitë dhe të shtyjë për axhendën e tij imperialiste, autokratike. Unë mendoj se veçanërisht qeveria e Serbisë duhet të ndalojë së uluri mes dy karrigeve dhe të angazhohet plotësisht për procesin e saj të zgjerimit të BE-së dhe stabilitetin rajonal. Sidomos në Ballkanin Perëndimor, provokimi i tensioneve etnike dhe mbështetja për ide të tilla si shkëmbimi i tokës nxisin destabilizimin. Kjo është arsyeja pse ne duhet të kundërshtojmë narrativat e rreme të Rusisë dhe të mbështesim shoqërinë civile demokratike.
Gazeta “Bota sot”: A do duhej që SHBA dhe BE të tregoheshin më të ashpër me Serbinë, madje edhe t’i vendosnin sanksione. Si e komentonni faktin që Kosova është ende nën sanksione, derisa shteti serb nuk ndëshkohet për politikat e saj provokuese dhe kërcënuese?
Thomas Waitz: Unë personalisht mendoj se nëse jemi seriozë për procesin e anëtarësimit të bazuar në merita dhe fokusimin e tij në bazat e të drejtave të qytetarëve, BE-ja duhet të flasë një gjuhë më të qartë me presidentin e Serbisë. Sa i përket sanksioneve, në kohën kur janë vendosur ato ndaj Kosovës, unë jam shprehur kundër kësaj dhe ende jam i mendimit se ato duhet të hiqen.
Gazeta “Bota sot”: Si e komentoi procesin e dialogut Kosovë-Serbi? A besoni se me udhëheqësin e re të BE-së, do ketë zhvillime në këtë aspekt, pasi ka kohë që kanë stagnuar këto negociata?
Thomas Waitz: Kam besim se me emërimin e Komisioneres Kallas dhe Komisioneres Kos do të shohim një ndryshim. Gjatë seancave u bë e qartë se ato e kishin kuptuar situatën dhe nuk ishin të interesuar të qetësonin Vuçiqin. Sigurisht që dialogu kërkon lëshime dhe vullnet të mirë nga të dyja palët, kështu që unë shpresoj se ngërçi i muajve të fundit mund të zgjidhet me njerëzit e rinj në krye të BE-së, por kjo kërkon edhe vullnet të ri politik nga liderët në Kosovë dhe Serbi.
Gazeta “Bota sot”: Për fund, cilat janë pritshmërit tuaja pas fitores së Donald Trump, a do ketë ndryshim në politikën amerikane dhe si mund të ndikojë ajo në Evropë dhe më gjerë?
Thomas Waitz: Për të qenë i sinqertë, nuk jam i sigurt se sa e lartë do të jetë Ballkani Perëndimor në agjendën e zotit Trump. Më tepër dyshoj se do të varet nga pozicioni për të cilin emërohen njerëz si Richard Grenell. Në çdo rast, nuk mendoj se mirëkuptimi për rajonin dhe angazhimi për deeskalim do të rritet nën Trump. Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të shtojë përpjekjet e saj edhe më tej.