Zhvillime të rëndësishme e kanë shoqëruar vendin tonë këto ditë, duke qenë pjesë e diskutimit edhe për ndërkombëtarët.
E në lidhje me këto zhvillime si dhe zgjedhjet e ardhshme në vend, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Milazim Salijaj.
Deputeti filloi bisedën duke treguar disa nga veprimet destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës, duke mos lënë anash as sulmin e fundit në Zubin Potok. Megjithatë ai e vlerëson situatën në vend si të qetë, pavarësisht tentativave të serbëve.
I pyetur për deklaratën e Vuçiqit që të njëjtit nuk kanë lidhje me sulmin në Zubin Potok, deputeti thotë që ne si Kosovë do të vazhdojmë të mbrojmë sovranitetin e vendit.
Ndërsa, Salijaj vlerëson se nuk mund të ketë marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, derisa kjo e fundit nuk e pranon realitetin për Kosovën dhe pavarësinë e saj.
Natyrisht që nuk u lanë pa u përmendur edhe zgjedhjet e radhës, e që deputeti shprehet i bindur që qytetarët do të votojnë Qeverinë Kurti 3 dhe se i njëjti do të fitojë edhe një mandatë si deputet.
Në fund, Salijaj përmendi edhe disa nga arsyet pse qytetarët duhet ta votojnë përsëri.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Duke qenë që vendi ka qenë i përcjellë me shumë zhvillime të rëndësishëm, si e keni parë situatën politike në Kosovë?
Milazim Salijaj : Është e vërtetë që vendi ka qenë i përcjellë me zhvillime të shumta dhe të rëndësishme, në mesin e të cilave edhe sulmi terrorist në Banjskë e tani edhe ky në kanalin e ujit Ibër - Lepenc dhe përkundër këtyre zhvillimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë, për ta destabilizuar Kosovën nëpërmjet të akteve terroriste, situata politike në Kosovë vazhdon të jetë e mirë.
Gazeta “Bota sot”: Në mbrëmjen e 29 nëntorit një sulm terrorist ndodhi në Zubin Potok, ku pati dëmtime të mëdha. Si e komentoni këtë sulm të radhës nga serbët?
Milazim Salijaj : Shpërthimi që ndodhi në kanalin e ujit Ibër - Lepenc më 29 nëntor, ishte sulm terrorist i radhës dhe përpjekja e dytë për ta destabilizuar Kosovën, e që kishte për qëllim ndërprerjen e furnizimit me ujë rrymë dhe komunikim për një pjesë të madhe të vendit tonë.
Gazeta “Bota sot”: Vuçiq mohoi autorësinë e Serbisë mbi këtë ngjarje duke thënë që ka dyshime, por kryeministri Kurti adresoi fajin direkt tek Serbia. Sipas jush a është koha e fundit që ndërkombëtarët të reagojnë seriozisht ndaj Serbisë?
Milazim Salijaj : Këndi i orientimit edhe kësaj radhe ishte i saktë dhe ishte drejtuar nga Serbia, ndërsa neve na mbetet ta zbatojmë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në çdo pjesë të Republikës. E rëndësishme është që ne ti kryejmë " detyrat e shtëpisë ", konform obligimeve ligjore dhe kushtetuese, ndërsa sa i përket faktorit ndërkombëtar kohëve të fundit ka ndryshime pozitive e sidomos në rastin konkret të shpërthimit në kanalin e ujit Ibër- Lepenc.
Gazeta “Bota sot”: Pasi më 17 dhjetor pritet takimi i radhës për dialogun Kosovë – Serbi, a mund të kemi rezultate pozitive duke parë veprimet destabilizuese të Serbisë?
Milazim Salijaj : Edhe shumë takime do të ndodhin sikurse edhe takimi i radhës më 17 dhjetor dhe as që presim të ketë rezultate pozitive, derisa Serbia vazhdon të sillet ndaj Kosovës me veprime të tilla destabilizuese e sulme terroriste.
Gazeta “Bota sot”: Sa larg sipas jush është një marrëveshje mes dy palëve?
Milazim Salijaj : Derisa Serbia nuk është e gatshme ta njohë realitetin e ri të krijuar më 12 qershor 1999 dhe 17 shkurt 2008, po aq larg do të jetë edhe marrëveshja në mes të dy palëve.
Gazeta “Bota sot”: Flasim pak për zgjedhje, si mendoni që do të jenë zgjedhjet e 9 shkurtit, a po flitet për ndonjë koalicion mes LVV dhe ndonjë partie tjetër politike?
Milazim Salijaj : Presim të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike ku qytetarët e Kosovës me votën e tyre do të vendosin edhe për 4 vitet e ardhshme për Qeverinë Kurti 3.
Gazeta “Bota sot”: A do të jeni sërish në listën e kandidatëve për deputetë të LVV-së dhe nëse po, si do të arrini t’i bindni qytetarët për një mandat të radhës si deputeti i Kuvendit të Kosovës?
Milazim Salijaj : Duke u nisur nga fakti se LVV- ja promovon dhe vlerëson meritokracinë, ndërsa unë jamë ndër deputetët e vetëm të legjislaturës së VIII - të me pjesëmarrje 100%, në të gjitha seancat plenare të Kuvendit të Kosovës, mbledhjet e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, si dhe grupet punuese të Komisionit dhe aktivitete të tjera të lidhura me fushëveprimtarinë e Komisionit, pa asnjë dyshim mendoj se do të jemë në listën e kandidatëve për deputetë të LVV- së.
Ndërsa sa i përket pyetjes suaj se si do t’i bindni qytetarët për t'ju votuar për një mandat të ri si deputet në Kuvendin e Kosovës, ju them se qytetarët tanimë veq se janë të bindur për t’i përfaqësuar edhe për një mandat, ngase unë që nga 14 shkurti 2021, asnjëher nuk u shkëputa nga qytetarët dhe gjithnjë isha pranë qytetarëve dhe me qytetarët, ku nuk u ndala asnjëher duke qenë pranë tyre konform vlerësimit dhe besimit të qytetarëve dhënë për neve më 14 shkurt 2021. Duke u nisur nga ky fakt gjatë gjithë kësaj kohe isha pranë qytetarëve, ku gjatë kësaj periudhe, e sidomos gjatë vitit 2023 dhe pjesës së parë të vitit 2024 , nën moton " E diela me deputeti në vendbanimin tuaj " arrita të vizitoj 43 fshatra, lagje të fshatrave dhe lagje të qytetit, për të bashkëbiseduar me qytetarë dhe për tu njohur nga afër me shqetësimet dhe preokupimet që kishin qytetarët e që normal ishin edhe shqetësime tonat.
Gjithashtu gjatë kësaj periudhe arrita ti vizitoj dhe të bashkëbisedoj me 52 fermer dhe 75 biznese si pjesë e sektorit privat, si dhe mbi 1001 qytetarë përkatësisht çdo ditë, javë dhe muaj ishim pranë qytetarëve dhe në bashkëbisedim të vazhdueshëm me ta për interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe të vendit.