Mulaj thotë se LDK-ja do të jetë ndër zgjedhjet kryesore të qytetarëve; tregon se për kë kanë vija të kuqe!

Intervista

Mulaj thotë se LDK-ja do të jetë ndër zgjedhjet kryesore të qytetarëve; tregon se për kë kanë vija të kuqe!

Hava Orana -Xhukolli Nga Hava Orana -Xhukolli Më 12 dhjetor 2024 Në ora: 17:26
Besim Mulaj

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besim Mulaj në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ka treguar për përqendrimin e tij politik, nëse merr besimin si deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës. Mulaj ka treguar se do të angazhohet tek ekonomia, arsimi dhe shëndetësia.

Ai thotë se qytetarët kanë reflektuar dhe se do të ndryshojnë rezultatin zgjedhor kësaj radhe, duke folur më detajisht edhe për pritshmëritë e tij për këto zgjedhje.

Mulaj ka treguar po ashtu nëse LDK-ja do të ketë vija të kuqe për ndonjë parti, duke thënë se janë të hapur për bashkëpunim me ata që ndajnë vlerat e LDK-së për një shtet të drejtë dhe funksional.

Ai ka dhënë edhe qëndrimet e tij rreth qeverisjes aktuale, si dhe prioritetet e LDK-së nëpër fusha të ndryshme në Kosovë.

Intervistoi: Havë Orana Xhukolli

“Bota sot”: Në cilën fushë do të përqendroheni si deputet i mundshëm nga LDK-ja?

Besim Mulaj: Nëse marr besimin e qytetarëve si përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), angazhimi im do të përqendrohet më shumë tek: ekonomia, arsimi dhe shëndetësia. Si ekonomist, unë e di se punësimi dhe stabiliteti ekonomik nuk janë thjesht statistika, por realiteti që jetojmë. Plani im është i thjeshtë, por ambicioz: mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, krijimi i një klime të favorshme për investime të huaja dhe hapja e programeve për aftësimin profesional të të rinjve dhe grave. Pse? Sepse rinia jonë dhe gratë janë motori I ndryshimit. Në arsim, synoj të sjell transformim, jo thjesht përmirësim. Nuk mjafton vetëm të kesh shkolla, duhet të kesh shkolla që frymëzojnë dhe përgatisin gjeneratat e reja për një treg pune global. Në shëndetësi, do të luftoj për një sistem që nuk e trajton qytetarin si numër, por si njeri – nga sigurimet shëndetësore të qëndrueshme deri te kushte më të mira për mjekët dhe infermierët tanë. Angazhimi im do të bazohet gjithmonë në një qasje të hapur dhe bashkëpunuese me qytetarët, organizatat dhe ekspertët. Jam i bindur se përmes një pune të përkushtuar dhe të koordinuar mund të ndërtojmë një Kosovë më të fortë dhe më të drejtë për të gjithë.

“Bota sot”: A mendoni se rezultati i zgjedhjeve do të ndryshojë këtë herë?

Besim Mulaj: Patjetër që besoj se rezultati i zgjedhjeve do të ndryshojë, sepse qytetarët kanë reflektuar shumë nga përvoja e tyre me qeverisjet e fundit. Në çdo takim me njerëzit, dëgjoj një zhgënjim të thellë, një ndjenjë të fortë se ata janë lënë në harresë nga një klasë politike që shpesh ka premtuar shumë dhe ka bërë shumë pak. Kjo ndjenjë zhgënjimi nuk është thjesht një emocion – është një dëshirë për ndryshim të vërtetë, për një qeveri që i vendos qytetarët në qendër të veprimeve të saj. Këtë herë, njerëzit nuk do të votojnë për emra të mëdhenj apo për fjalë të bukura, por për rezultate dhe vizion. Ata kërkojnë një qeveri që ofron stabilitet dhe aftësi për të përmirësuar jetën e tyre, jo një që krijon konflikte dhe kaos. Kjo është arsyeja pse besoj se rezultati do të reflektojë një ndryshim në mentalitetin e votuesve – ata janë më të vetëdijshëm, më kërkues dhe më të vendosur për të zgjedhur njerëz që dinë dhe duan të punojnë për ta. Ka shumë arsye për të qenë optimist për një ndryshim pozitiv. Së pari, është zhgënjimi me premtimet e papërmbushura. Njerëzit po kuptojnë se nuk mjafton të thuash fjalë të mëdha për zhvillim dhe reforma; ato duhet të pasohen nga veprime konkrete dhe të matshme. Së dyti, qytetarët duan përfaqësim të denjë dhe një Kuvend që funksionon si institucion serioz, jo si një arenë konflikti. Një tjetër arsye për të besuar në ndryshim është rinia jonë. Rinia sot është më e ndërgjegjshme dhe më e informuar. Ata nuk pranojnë më të qëndrojnë mënjanë dhe të shohin se si gjërat shkojnë keq. Ata duan të jenë pjesë e ndryshimit dhe e ardhmërisë së Kosovës. Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë reflektim i një vullneti të qytetarëve për t’u kthyer te vlerat bazike: drejtësia, ndershmëria, dhe puna e palodhur për një të ardhme më të mirë. Ne po hyjmë në një epokë ku qytetari kërkon llogaridhënie dhe një përfaqësim që është i sinqertë, i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Për këtë arsye, unë jam i bindur se kjo do të jetë hera kur qytetarët e Kosovës do të thonë “mjaft është mjaft” dhe do të bëjnë zgjedhje që pasqyrojnë nevojat dhe aspiratat e tyre për një të ardhme më të mirë.

“Bota sot”: Pritshmëritë tuaja për këto zgjedhje?

Besim Mulaj: Ne jemi optimistë dhe me plot bindje se LDK-ja do të jetë ndër zgjedhjet kryesore të qytetarëve në këto zgjedhje. Ky optimizëm nuk bazohet vetëm në dëshirën për të fituar, por mbi një analizë të thellë të gjendjes aktuale, pritshmërive të qytetarëve dhe përpjekjeve tona të vazhdueshme për të dëshmuar se mund të ofrojmë një alternativë më të mirë. Kjo është dëshmuar në zgjedhjet e fundit lokale, ku LDK doli si parti e parë. LDK-ja ka një trashëgimi të fortë si forcë që ka ndërtuar shtetin dhe demokracinë në Kosovë, dhe sot është më e përgatitur se kurrë për të marrë përsipër përgjegjësitë e udhëheqjes. Pritshmëritë tona janë që qytetarët do të na besojnë sepse kemi treguar se jemi parti e vlerave, jo e fjalëve boshe. Në këto zgjedhje, nuk po kërkojmë thjesht votën, po kërkojmë një shans për t’u kthyer te politikat që realisht i shërbejnë qytetarit. Besojmë se njerëzit kanë kuptuar rëndësinë e stabilitetit dhe përvojës në udhëheqje, dhe për këtë arsye LDK-ja do të shfaqet si zgjedhja më e besueshme. Puna jonë nuk ka qenë vetëm një fushatë; ka qenë një përkushtim afatgjatë për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve. Ne kemi dëgjuar çdo shqetësim të tyre, nga ekonomia e dobët deri te sfidat në shëndetësi dhe arsim, dhe kemi përgatitur një program që adreson këto çështje me seriozitet dhe realizëm. Nuk premtojmë mrekulli, por angazhohemi për reforma të mirëfillta që sjellin përmirësime konkrete dhe të prekshme në jetën e qytetarëve. Në këto zgjedhje, pritshmëritë tona janë gjithashtu të bazuara në ndjesinë e përgjithshme të ndryshimit që vërehet në terren. Qytetarët nuk janë më të gatshëm të pranojnë politika të cekëta dhe qasje të fragmentuar. Ata kërkojnë një lidership që ofron stabilitet, profesionalizëm dhe një vizion të qartë për të ardhmen – dhe ne besojmë se LDK-ja është përgjigjja ndaj këtyre kërkesave. Ne synojmë jo vetëm të rikthehemi si forcë kryesore politike, por edhe të sjellim ndryshimin që qytetarët kanë pritur prej kohësh. Ky është një ndryshim që nuk lidhet thjesht me rotacionin e pushtetit, por me ndërtimin e një qeverisjeje që i vendos qytetarët dhe interesat e tyre në epiqendër. Besojmë se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë një pasqyrë e qartë e besimit që qytetarët kanë në vizionin tonë dhe në angazhimin tonë për një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të barabartë për të gjithë.

“Bota sot”:  A ka LDK-ja vija të kuqe për bashkëqeverisje?

Besim Mulaj: Qasja jonë gjithmonë ka qenë e bazuar në parime dhe interesa të qytetarëve. Jemi të hapur për bashkëpunim me ata që ndajnë vlerat tona për një shtet të drejtë dhe funksional. Megjithatë, për çështje që bien ndesh me këto vlera, do të kemi qëndrime të qarta.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale?

Besim Mulaj: Qeverisja aktuale ka dëshmuar një mungesë të theksuar vizioni dhe efikasiteti, duke lënë pas një bilanc të rëndë premtimesh të papërmbushura dhe zhgënjime të mëdha. Në vend të projekteve madhore që do të përmirësonin jetën e qytetarëve dhe do të çonin përpara zhvillimin e vendit, kemi parë një administratë që ka ngecur në retorikë dhe konflikte politike. Së pari, mungesa e projekteve madhore. Përtej premtimeve ambicioze, qeveria nuk ka arritur të përfundojë asnjë projekt të madh infrastrukturor apo strategjik që do të kishte një ndikim të ndjeshëm në ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Investimet në sektorë kyç si infrastruktura rrugore, energjia apo zhvillimi rural janë të papërfillshme ose kanë ngecur për shkak të paaftësisë për t’i menaxhuar. Së dyti, marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Kosova ka humbur pozita të rëndësishme në arenën ndërkombëtare për shkak të prishjeve të marrëdhënieve me miqtë tanë strategjikë. Vendimet e pamenduara mirë dhe qasja konfliktuale kanë dëmtuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy shtyllat kryesore të mbështetjes për vendin tonë. Pasojat janë të dukshme, nga sanksionet politike dhe diplomatike deri te izolimi gradual I Kosovës në skenën ndërkombëtare. Së treti, menaxhimi i dobët i buxhetit të shtetit. Qeveria aktuale nuk ka arritur të shpenzojë si duhet buxhetin e shtetit, duke lënë jashtë loje projekte të rëndësishme për qytetarët. Në vend të përparësisë për shpenzime që krijojnë vende pune, përmirësojnë infrastrukturën dhe nxisin zhvillimin ekonomik, kemi parë një shpërndarje të buxhetit të fokusuar në Komunat ku ka udhëhequr Vetvendosja dhe në iniciativa të fragmentuara dhe pa ndikim afatgjatë. Së katërti, kontratat njëburimore dhe dyshimet për keqpërdorim të fondeve publike. Një tjetër çështje e rëndë që ka shoqëruar këtë qeverisje është nënshkrimi i kontratave miliona eurosh pa garë transparente. Kjo ka ngritur dyshime të forta për keqpërdorim të parasë publike dhe ka dëmtuar besimin e qytetarëve te qeverisja. Çdo qindarkë e taksapaguesve duhet të përdoret me përgjegjësi dhe transparencë maksimale, por kjo nuk ka ndodhur. Së fundmi, mosadresimi i nevojave të qytetarëve. Qeveria ka dështuar të kuptojë dhe të veprojë për të adresuar problemet reale të njerëzve. Çështjet si papunësia, rritja e çmimeve dhe mungesa e përkrahjes për grupet më të prekshme janë trajtuar sipërfaqësisht ose janë injoruar plotësisht. Këto dështime kanë krijuar një zhgënjim të madh te qytetarët, të cilët me të drejtë ndihen të lënë pas dore dhe të pa përfaqësuar. Përmirësimi i gjendjes kërkon një qeveri që ka vizion, aftësi dhe një qasje të sinqertë për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës – dhe kjo është ajo që LDK-ja ofron.

“Bota sot”: Cilat do të jenë prioritetet e LDK-së nëse merr pushtetin?

Besim Mulaj: Prioritetet tona do të bazohen në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve dhe ndërtimin e një Kosove më të drejtë, më të zhvilluar dhe më të lidhur me botën. Do të fillojmë me ekonominë, përmirësimin e kushteve të jetesës, reformat në arsim dhe shëndetësi, si dhe krijimin e një sistemi të drejtësisë që është vërtet i pavarur dhe i besueshëm. Por vizioni ynë shkon përtej këtyre pikave; është një angazhim për të rikthyer themelet mbi të cilat është ndërtuar Kosova e sotme.

Rikthimi i besimit me miqtë ndërkombëtarë

Një nga prioritetet tona kryesore është riparimi dhe forcimi i marrëdhënieve me miqtë tanë strategjikë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Kosova nuk mund të ecë përpara e izoluar apo në konflikt me partnerët që kanë qenë garantues të shtetësisë sonë dhe mbështetës të pavarësisë. Ne do të angazhohemi për një diplomaci serioze dhe profesionale që I rikthen Kosovës pozitën e saj si partner i besueshëm dhe konstruktiv në arenën ndërkombëtare. LDK e ka dëshmuar tash e sa vite që dinë të jetë partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare. Tërheqja e investimeve dhe një ambient miqësor për biznesin; Ekonomia do të jetë shtylla kryesore e qeverisjes sonë. Ne do të krijojmë një ambient miqësor për biznesin, duke ulur barrat burokratike dhe duke ofruar stimuj për investitorët e huaj dhe vendorë. Qëllimi është tërheqja e investimeve që jo vetëm sjellin kapital, por edhe hapin vende pune dhe ndihmojnë në zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë, si industria, bujqësia dhe teknologjia. Do të mbështesim ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë shtylla e ekonomisë sonë, dhe do të ofrojmë programe konkrete për aftësimin profesional të rinisë dhe për fuqizimin ekonomik të grave. Prioriteti ynë do të jetë një ekonomi e qëndrueshme që krijon mundësi të barabarta për të gjithë. Në programin Rruga e Re kanë punuar qindra ekspertë vendor, dhe padyshim që ky program qeverisës është ambicioz por edhe lehtë i arritshëm.

Arsim konkurrues dhe i orientuar drejt së ardhmes

Në fushën e arsimit, do të reformojmë rrënjësisht sistemin për ta bërë atë konkurrues në nivel ndërkombëtar. Arsimi në Kosovë nuk duhet të jetë thjesht një proces për marrjen e diplomave, por një platformë që përgatit të rinjtë për tregun e punës dhe për sfidat e shekullit 21. Do të modernizojmë infrastrukturën shkollore, do të përmirësojmë kurrikulën dhe do të nxisim arsimin profesional e kërkimin shkencor. Synimi ynë është të krijojmë një sistem arsimor qëprodhon inovatorë, jo vetëm punëtorë.

Shëndetësi e mirë për qytetarët

Shëndetësia do të jetë një tjetër prioritet kyç. Do të krijojmë një sistem shëndetësor që garanton qasje të barabartë për të gjithë qytetarët, me infrastrukturë moderne, barna esenciale dhe shërbime të cilësisë së lartë. Do të angazhohemi për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm të sigurimeve shëndetësore që u lehtëson barrën financiare qytetarëve dhe garanton mbulim për çdo nevojë shëndetësore. Për më tepër, do të përmirësojmë kushtet e punës për mjekët dhe infermierët tanë, duke e bërë shëndetësinë një sektor ku qytetari trajtohet me dinjitet.

Drejtësi e pavarur dhe funksionale

Një sistem i drejtësisë i pavarur dhe i besueshëm është i domosdoshëm për një shtet demokratik dhe funksional. LDK-ja do të angazhohet për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa përjashtime dhe pa ndikime politike. Ne do të përfundojmë reformat e nisura dhe do të ndërtojmë një sistem drejtësie që garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Filozofia e Ibrahim Rugovës – udhërrëfyesi ynë

Ne jemi dhe do të mbetemi rruga dhe filozofia që ka ndërtuar Ibrahim Rugova. Vizioni i tij për një shtet të qëndrueshëm, të drejtë dhe të orientuar drejt Evropës është busulla jonë politike. LDK-ja do të jetë gjithmonë partia e paqes, zhvillimit dhe stabilitetit. Prioritetet tona janë të qarta dhe të bazuara në nevojat reale të qytetarëve. Me një qeverisje të përgjegjshme dhe vizionare, do të ndërtojmë një Kosovë që frymëzon besim dhe krenari te qytetarët e saj.

“Bota sot”: Ku gaboi më shumë qeverisja aktuale sipas jush?

Besim Mulaj: Gabimet e qeverisjes aktuale janë të shumta dhe të rënda, duke prekur çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Mungesa e fokusit te mirëqenia e njerëzve ka qenë dështimi më i madh. Në vend që të zbatonte projekte madhore që do të kishin ndikim të dukshëm në zhvillimin e vendit, qeveria është mbështetur në retorikë dhe premtime boshe, pa asnjë rezultat konkret. Projekte infrastrukturore të papërfunduara, investime të paplanifikuara dhe mungesa e iniciativave strategjike kanë lënë qytetarët të zhgënjyer dhe pa shpresë. Një nga dështimet më të mëdha ka qenë prishja e marrëdhënieve me miqtë tanë ndërkombëtarë, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përplasjet dhe retorika e panevojshme kanë sjellë sanksione politike dhe izolim të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në vend që të forconte aleancat dhe të siguronte mbështetje për zhvillimin e vendit, kjo qeveri ka humbur besimin e partnerëve strategjikë, duke e lënë Kosovën të dobësuar në skenën globale. Menaxhimi i buxhetit të shtetit ka qenë një tjetër pikë e dobët. Qeveria nuk ka arritur të shfrytëzojë si duhet miliardat e eurove në dispozicion, duke lënë projekte të rëndësishme pa financim dhe pa ndikim real në jetën e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, janë nënshkruar kontrata miliona eurosh pa transparencë, duke ngritur dyshime të forta për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike. Në vend që të investonte në shkolla, spitale dhe rrugë, buxheti ka shkuar për interesa të ngushta dhe politika të pamenduara mirë. Retorika ka zëvendësuar veprimin. Në vend që të fokusohej në zgjidhjen e problemeve reale, qeveria është përfshirë në përplasje politike dhe ka krijuar tensione të panevojshme brenda dhe jashtë vendit. Përplasjet institucionale dhe mungesa e bashkëpunimit kanë penguar çdo përpjekje për reforma reale dhe kanë lënë qytetarët të përballen vetë me sfidat e përditshme. Ndërkohë, papunësia mbetet e lartë, çmimet e produkteve bazë janë rritur ndjeshëm dhe familjet e thjeshta po përballen me vështirësi të papara ekonomike. Qytetarët e Kosovës ndihen të harruar dhe të lënë pas dore. Ata nuk shohin më një qeveri që punon për ta, por një administratë që është larg nevojave dhe aspiratave të tyre. Kjo qeverisje ka humbur besimin e qytetarëve dhe, më keq akoma, shpresën e tyre për një të ardhme më të mirë. Për të rikthyer shpresën dhe për të ndërtuar një Kosovë që i shërben qytetarëve, nevojitet një ndryshim i rrënjësishëm i qasjes dhe një udhëheqje që vendos interesat e popullit mbi gjithçka tjetër.

“Bota sot”: Pse qytetarët duhet t’ju besojnë votën?

Besim Mulaj: Qytetarët duhet të na besojnë votën sepse kemi përkushtim, përvojë dhe vizion për të sjellë ndryshime pozitive që ata me të drejtë presin. LDK-ja gjithmonë ka qenë dhe mbetet partia e stabilitetit, vlerave dhe përgjegjësisë. Në këtë garë, ne hyjmë me një qëllim të vetëm: t’i japim qytetarit shpresë dhe rezultate konkrete, duke e vendosur atë në qendër të vendimmarrjes dhe qeverisjes. Së pari, ne kemi programin më të mirë zgjedhor – një program që është real dhe i bazuar në nevojat reale të qytetarëve. Nuk bëjmë premtime boshe, por propozojmë politika dhe zgjidhje që janë të matshme dhe të zbatueshme. Qëllimi ynë nuk është të mbushim faqet e gazetave me slogane të mëdha, por të ndërtojmë një qeverisje që sjell zhvillim ekonomik, përmirëson arsimin, fuqizon shëndetësinë dhe forcon drejtësinë. Së dyti, kemi listën më të mirë kandiduese, me njerëz të përkushtuar, profesionistë dhe me përvojë që dinë dhe duan të punojnë për të mirën e Kosovës. Lista jonë është përfaqësuese e çdo shtrese shoqërore, me individë që kanë dëshmuar integritet dhe aftësi në fushat e tyre përkatëse. Kjo është një listë që reflekton seriozitet dhe përgatitje për të marrë përgjegjësi të mëdha. Përkushtimi i strukturave tona është një tjetër arsye pse qytetarët duhet të na besojnë. LDK-ja ka qenë gjithmonë afër qytetarëve, duke dëgjuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Strukturat tona janë të përgatitura dhe të përkushtuara për të fituar, jo thjesht për të marrë pushtetin, por për të realizuar pritshmëritë e njerëzve dhe për të përmbushur detyrimet tona ndaj tyre. Një tjetër arsye për të na besuar është gatishmëria e qytetarëve për ndryshim. Në takimet me qytetarët, dëgjojmë të njëjtën thirrje: “Na duhet një qeveri që punon për ne, jo për vete.” Njerëzit janë të lodhur nga qeverisja e tanishme dhe nga gabimet e saj të pafundme. Ata kërkojnë një udhëheqje që jo vetëm flet, por edhe vepron. LDK-ja është gati ta marrë përsipër këtë përgjegjësi dhe t’u japë qytetarëve atë që meritojnë: një qeveri që përmirëson jetën e tyre. Gabimet e panumërta të kësaj qeverie – nga mungesa e projekteve madhore deri te përplasjet me partnerët ndërkombëtarë, menaxhimi i dobët i buxhetit dhe retorika boshe – janë dëshmia më e qartë se është koha për një ndryshim rrënjësor. Qytetarët e dinë se LDK-ja është alternativa e besueshme dhe e përgatitur për të kthyer vendin në rrugën e duhur. Ne nuk premtojmë mrekulli, por angazhohemi për punë të ndershme dhe të përkushtuar. Vota për LDK-në është një votë për stabilitet, përparim dhe drejtësi – është një votë për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat