Fatlume Jaha: LDK-ja është ndryshimi që i duhet Kosovës, nuk kishte ndonjë pakënaqësi për listën garuese

Intervista

Fatlume Jaha: LDK-ja është ndryshimi që i duhet Kosovës, nuk kishte ndonjë pakënaqësi për listën garuese

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 dhjetor 2024 Në ora: 20:06
Fatlume Jaha

Zgjedhjet po afrohen dhe kandidatët për deputetë po përgatiten për garë.

Një ndër ta është edhe kandidatja për deputete në LDK-së, Fatlume Jaha.

Ajo në një intervistë për “Bota Sot” ka folur për punën dhe LDK-në në përgjithësi.

Kësaj gare iu bashkua për të dhënë kontributin e saj për vendin edhe në nivelin nacional.

Jaha LDK-në e sheh si parti fituese, duke thënë se Rruga e Re për Kosovën me kryeministër dr. Lumir Abdixhikun janë ndryshimi që i duhen Kosovës.

Sa i përket qeverisjes së Kurtit, ajo thotë se e ka mbytur çdo shpresë të qytetarëve, duke shtuar se kjo Qeveri e ka vënë Kosovën nën sanksione të aleatëve ndërkombëtarë.

Për disa deputetë që janë lënë jashtë listës, Jaha thotë se nuk ka shprehur pakënaqësi askush.

Intervsita e plotë:

“Bota sot”: Zonja Jaha, pse vendosët t’i hyni garës për deputete?

Fatlume Jaha: Kam hyrë në LDK që në moshën 18 vjeçare dhe nuk i jam ndarë asnjëherë këtij aktiviteti, meqë kam besuar në ideologjinë politike dhe vizionin e LDK-së për familjen e shtetin.

Pas përvojës 8 vjeçare prej dy mandatesh në Asamblenë Komunale të Podujevës, pastaj si këshilltare në Ministri, konsideroj se tash ka ardhur koha që të jap kontributin tim për vendin edhe në nivelin nacional.

Gjej forcën tek ideja se secili kur kemi përkushtimin e sinqertë mund të bëjmë më të mirën për vendin.

“Bota sot”: Nëse ju fitoni mandatin e deputetes, cila do të jetë çështja kryesore që do të shtyni përpara?

Fatlume Jaha: Unë synoj të jem zëri i arsyeshëm i qytetarëve të Kosovës, që do të jehojë në kuvend e do të jetë kudo që ata kanë probleme dhe presin që ne t’i japim vëmendjen por edhe zgjidhjen për aq sa na e jep mandati i deputetes.

Mirëpo, duke u nisur nga fakti që në dy vitet e fundit kam qenë më shumë e angazhuar në çështjet gjinore në kuadër të Forumit të Gruas së LDK-së por edhe si Kryetare e Forumit të Gruas në Podujevë, rendi e do që edhe si deputete një pjesë të madhe të fokusit ta kem në drejtim të fuqizimit ekonomik të grave përmes rritjes së fondeve për mbështetjen e grave dhe vajzave në krijimin dhe zhvillimin e bizneseve si dhe lehtësirat tjera drejt tregut të punës. Rruga e Re në çdo kapitull të saj ofron qasje dhe mundësi të barabarta për gratë dhe burrat. Po ashtu do të jem e angazhuar në çdo iniciativë që i kontribuon mirëqenies ekonomike të familjeve kosovare.

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga këto zgjedhje, a mendoni se LDK do të dalë e para?

Fatlume Jaha: Për këto 4 vjet në opozitë, por si partia e parë me numrin e komunave të fituara, LDK-ja ka punuar pa ndalur e me një përkushtim të pashembullt, dhe jam e bindur se qytetarët e Kosovës do ta vlerësojnë këtë dhe me 9 shkurt 2025, LDK do të konfirmohet si partia e parë dhe kryeministër dr. Lumir Abdixhiku dhe si asnjëherë më parë në histori të Kosovës do ta jetësojmë një program deri tash politik e pas 9 shkurtit 2025 një program qeverisës: I realizueshëm që ofron zgjidhje për çdo fushë e çdo problem.

Rruga e Re për Kosovën me kryeministër dr. Lumir Abdixhikun janë ndryshimi që i duhen Kosovës.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj, pse bashkëpartikau juaj, Veliu është lënë jashtë listës së deputetëve, kur dimë se ai ka dhënë një kontribut të madh për partinë? Ju jeni kaherë pjesë e LDK-së në Podujevë, si qëndrojnë punët brenda partisë, a ka pakënaqësi?

Fatlume Jaha: Strukturat e LDK-së në Podujevë, të pasuar edhe me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm, kanë miratuar pa ndonjë kundërshti listën të cilën e keni parë të gjithë dhe deri më tani nuk kemi parë të ketë pasur ndonjë pakënaqësi të shprehur nga dikush.

“Bota sot”: Si e keni parë qeverisjen e Kurtit për këto katër vite, dhe cili ishte ndikimi i saj konkretisht në Podujevë?  

Fatlume Jaha: Kjo qeveri që proklamohej se do të ishte shpresa e vendit, e ka mbytur çdo shpresë të qytetarëve të saj. Qeveria e Kurtit e ka vënë Kosovën nën sanksione të aleatëve tanë ndërkombëtarë. Kemi humbur mundësi të mëdha investimesh. Investime që do të ndryshonin jetën e secilit prej nesh, që do të krijonin vende pune e që do t’i ulnin çmimet që i paguajmë sot në supermarkete.  Për 4 vjet nuk kemi parë asnjë investim të madh kapital që e përmirëson jetën e qytetarëve, përveçse korrupsion gjithandej.

“Bota sot”: Kryetari Bulliqi ka thënë se edhe po te bëhen bashkë Hyseni dhe Veliu, do të fitonte, si e vlerësoni këtë deklaratë të tij?

Fatlume Jaha: Kjo deklaratë është vetëm se një shprehje e frikës deri në palcë për humbje. Përtej kësaj është edhe një përpjekje për të larguar vëmendjen nga dështimet dhe skandalet e përditshme. Ai në vend se të përkujdesej për të siguruar ngrohjen në shkollat e Komunës së Podujevës, zgjedhë të mburret me një gjë e cila as nuk është temë e as nuk është e vërtetë. Thonë se njeriu e mbanë mendjen vetëm tek gjërat nga të cilat frikësohet më së shumti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat