Ishte ndër deputetet më të votuara, Adelina Grainca tregon se cilën parti e sheh si konkurrente të Vetëvendosjes

Intervista

Ishte ndër deputetet më të votuara, Adelina Grainca tregon se cilën parti e sheh si konkurrente të Vetëvendosjes

Hava Orana -Xhukolli Nga Hava Orana -Xhukolli Më 15 dhjetor 2024 Në ora: 13:03
Adelina Grainca

Në një intervistë për ‘Bota sot’ ka folur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca, lidhur me mandatin e saj të parë si deputete dhe për mandatin tjetër që synon.

Ajo thotë derisa ka qenë në mesin e deputeteve më të votuara, ka punuar me përkushtim për t’i përfaqësuar ata në mënyrën më të mirë të mundshëm.

Sa i përket zgjedhjeve të reja, deputetja Grainca thotë se Qeveria Kurti ka treguar se si mund të ndërtohet një qeverisje e pastër dhe e ndershme, duke adresuar sfida të mëdha me vendosmëri të paparë.

Ajo madje ka treguar nëse i sheh si konkuruese listat zgjedhore të partive të tjera. Derisa thekson se pas zgjedhjeve nuk beson se do të ketë nevojë që Vetëvendosja të shkojnë koalicion paszgjedhor.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Në zgjedhjet e fundit keni qenë në mesin e femrave më të votuara. A mendoni se do të keni ende këtë besim të qytetarëve?

Adelina Grainca: Në zgjedhjet e fundit kam ndjerë besim të jashtëzakonshëm nga qytetarët, të cilin e vlerësoj dhe respektoj pafundësisht e ju jam thellësisht mirënjohëse. Në këtë mandat, kam punuar me përkushtim për t’i përfaqësuar ata në mënyrën më të mirë të mundshme, duke adresuar shqetësimet dhe nevojat e tyre në Kuvend. Në këtë fushatë zgjedhore, do të jem gjithandej, duke takuar qytetarët e Kosovës, për t’iu treguar jo vetëm për punën që kam bërë deri tani, por edhe për vizionin tim për të ardhmen e angazhimin që do ta kem. Do të jem në dispozicion të plotë që të dëgjoj secilin prej tyre, duke e bërë zërin e tyre pjesë të punës sime në mandatin e ardhshëm. Besoj se ky dialog i drejtpërdrejtë dhe angazhimi i vazhdueshëm do të forcojnë edhe më shumë besimin e qytetarëve te unë.

“Bota sot”: Ҫfarë prisni nga zgjedhjet e reja në Kosovë?

Adelina Grainca: Pres që këto zgjedhje të jenë reflektim i maturisë politike dhe qytetare të vendit tonë. Besoj fuqishëm se qytetarët tanë do të bëjnë vlerësim të drejtë dhe të bazuar në rezultate konkrete. Qeveria Kurti ka treguar se si mund të ndërtohet një qeverisje e pastër dhe e ndershme, duke adresuar sfida të mëdha me vendosmëri të paparë. Nga integrimi i veriut nën kontrollin shtetëror e institucional, te zbatimi i politikave sociale që kanë prekur drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tanë, këto arritje flasin vetë. Unë jam e bindur se qytetarët do të vazhdojnë të mbështesin këtë vizion për një të ardhme më të mirë, duke i dhënë kësaj qeverisjeje një mandat tjetër për të vazhduar punën e saj të suksesshme.

“Bota sot”: Si i vlerësoni listat zgjedhore të partive opozitare, a i shihni si konkurruese?

Adelina Grainca: Për mua, fokusi kryesor në këto zgjedhje janë qytetarët dhe pritshmëritë e tyre. Jam e përkushtuar që të jem në terren, në takime me qytetarët, duke dëgjuar mendimet dhe sugjerimet e tyre. Marrja e ideve dhe vlerësimeve të tyre është pjesë e rëndësishme e punës sime dhe pikërisht kjo më frymëzon për t’u angazhuar edhe më shumë. Sa i përket listave zgjedhore të partive opozitare, ato janë zgjedhje dhe strategji të tyre, të cilat qytetarët do t’i vlerësojnë sipas meritës. Për mua, thelbësore është që të vazhdojmë t’i shërbejmë qytetarëve me projekte konkrete dhe vizion të qartë për të ardhmen.

“Bota sot”: A mund të ketë ndonjë koalicion paszgjedhor LVV-ja me ndonjë parti tjetër?

Adelina Grainca: Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë tashmë një koalicion parazgjedhor me Alternativën dhe me subjektin Guxo, duke krijuar platformë të fuqishme dhe të bashkuar për të vijuar me qeverisjen tonë të mirë. Bazuar në mbështetjen që kemi parë nga qytetarët, duket se nuk do të ketë nevojë për ndonjë koalicion paszgjedhor, ashtu siç nuk pati nevojë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit me asnjë parti, siç për herë të parë në qeverisje nuk ishte as Lista Serbe. Ne besojmë se qytetarët do të vazhdojnë të na besojnë si forcën kryesore politike që garanton stabilitet, zhvillim dhe qeverisje të pastër.

“Bota sot”: A mendoni se gjatë qeverisjes tuaj ka ngecur ndonjë fushë që duhet të punoni më tepër mandatin tjetër?

Adelina Grainca: Në një mandat qeverisës, natyrisht që nuk mungojnë sfidat dhe pengesat, por pavarësisht tyre, progresi ynë është i prekshëm dhe i vlerësuar nga qytetarët. Në çdo fushë kemi parë përparime konkrete: korrupsioni është ndalur në mënyrë të ndjeshme, kemi arritur të rrisim pensionet dhe të krijojmë një standard të ri qeverisës duke ofruar shtesa për fëmijë dhe për lehona, si dhe duke realizuar tri herë rritje të pagave për shërbyesit civil. Për herë të parë, qeverisja jonë ka dëshmuar që ndihma dhe zhvillimi nuk janë vetëm premtime, por veprime konkrete që pasqyrohen në jetën e përditshme të qytetarëve. Mandati i ardhshëm do të fokusohet në forcimin e mëtejshëm të këtyre politikave dhe përmirësimin e fushave që kërkojnë vëmendje të shtuar.

“Bota sot”: Cilën parti e shihni si konkurenten më të madhe në këto zgjedhje?

Adelina Grainca: Në bazë të takimeve dhe bisedave të shumta që kam zhvilluar me qytetarët, është e qartë se Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon të jetë e padiskutueshme si forca kryesore politike në vend. Qytetarët kanë shprehur vazhdimisht kënaqësinë dhe mbështetjen për Qeverinë Kurti, e cila ka dëshmuar se qeverisja e ndershme dhe me rezultate është e mundshme. Nuk shoh të ketë fare konkurrencë për vendin e parë në këto zgjedhje. Këtë e pasqyrojnë edhe matjet e rregullta e të shpeshta të opinionit publik. Shifrat janë bërë publike në vazhdimësi. Besimi i qytetarëve në qeverisjen tonë mbetet i madh dhe unë jam e bindur se edhe kësaj radhe ata do të votojnë për një të ardhme të sigurt e të drejtë për Kosovën, me në krye Kryeministrin Albin Kurti.

comment7 komente
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat