Ekskluzive: Shpërthimi në Ibër-Lepenc dhe aksionet e policisë, kryetari i Zubin Potokut flet për “Bota sot” – jep detajet e fundit

Intervista

Ekskluzive: Shpërthimi në Ibër-Lepenc dhe aksionet e policisë, kryetari i Zubin Potokut flet për “Bota sot” – jep detajet e fundit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 dhjetor 2024 Në ora: 16:21
Izmir Zeqiri

Një nga zhvillimet kyçe dhe më të përfolura kohët e fundit ishte sulmi terrorist në Zubin Potok, ku pati një shpërthim të fuqishëm dhe u dëmtua kanali i “Ibër-Lepencit”.

Në lidhje me këto zhvillime dhe situatën aktuale në këtë pjesë të vendit foli për gazetën "Bota sot", kryetari aktual i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri.

Si fillim, ai sulmin e fundit e cilësoi si shumë të rrezikshëm, e që fatmirësisht nuk u arrit synimi kryesor i sulmuesve, që ishte dëmtimi më i madh i këtij kanali.

Zeqiri tregoi se punimet po vazhdojnë në ndërtimin e trasesë së kanalit Ibër-Lepenc, derisa tha se sitauta e sigurisë është nën kontroll.

I pari i komunës foli edhe për bashkëpunimin me qeverinë dhe ministritë përkatëse, pas këtij sulmi të rëndë.

Ndër të tjera, kërkoi hetim ndërkombëtarët, si dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me KFOR-in, ku tha se patrollat e këtyre të fundit bashkë me Policinë e Kosovës janë shtuar kohët e fundit.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Zeqiri, së fundi në komunën të cilën ju e drejtoni ndodhi një sulm terrorist, me që rast pas një shpërthimi të fuqishëm u dëmtuan kanali i Ibër-Lepencit. Si është situata aktuale atje, pas këtij sulmi?

Izmir Zeqiri: Po siç e cekët edhe ju, do të thotë në këto ditët e fundit, ndodhi ky sulm, i cili ishte shumë i rrezikshëm, ka qenë edhe terrorist. Natyrisht që pasojat akoma vazhdojnë, mirëpo prej krejt kësaj fatkeqësie është edhe një fat që nuk kanë arritë synimet kryesore. Pasi qëllimet kanë qenë me ba një shkëputje aty te kanali, mirëpo, ka arritë të shpëtojë diçka, sa për me marrë preventiva, do të thotë mos me pasë ndërprerje të ujit, me javë ose ditë të tëra, Tani akoma është duke punuar në rindërtimin të trasesë së kanalit të Ibër Lepencit, në atë vend ku është goditur me eksplozivë të madh. Gjendja është stabile, mund të themi është nën kontroll sa i përket sigurisë dhe natyrisht po vazhdojnë edhe hetime, po edhe punime sa i përket kësaj çështje       

Gazeta “Bota sot”: Sa keni gjetur bashkëpunim dhe koordinim nga udhëheqësit e insistitucioneve pas kësaj ngjarje?

Izmir Zeqiri: Po mund të them se nuk kemi mbetur pa përkujdesje, unë kam pasë takime edhe me ministra, me zëvendësministra dhe me mekanizma të tjerë të ministrive dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Natyrisht kanë obligime edhe ata, por edhe ne, dhe në një formë kemi gjetur gjuhë të përbashkët sa i përkët, ndihmës së nevojshme që neve na duhet prej mekanizmave të Qeverisë dhe nuk mund të ankohemi se s'kemi pasë ndonjë mirëkuptim. Vazhdojmë të kemi mirëkuptime, sepse siç dihet në rrethanat tona, është e pamundur që mos me pas raporte të mira ministritë, por edhe me të gjitha mekanizmat qeverisë. Pasi kemi nevojë shumë dhe ka punë shumë për të bërë, për vendosje të rendit e të ligjit, për vendosje të ligjeve në administrat dhe kemi akoma për të bërë. Sepse tani jemi në një fillim, kemi bërë diçka, po jemi në një fillim për t'i instaluar ligjet ashtu siç duhet, siç janë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Policia e Kosovës, ka vazhduar me aksione të herëpasherëshme në Zubin-Potok, ku ka konfiskuar armatim dhe pajisje të ndryshme. Si e vlerësoni këtë, a janë armatimet e konfiskuara sinjal se ka mundësi për sulme të reja nga bandat serbe?

Izmir Zeqiri: Kontrollet kanë qenë edhe janë më se të nevojshme, për shkak se këto në këto komunat e veriut kaherë ka qenë një hapësirë e veprimeve të grupeve kriminale dhe terroriste. Natyrisht se këto faktet po na tregojnë se ka mbeturina të grupeve terroriste dhe duke e pasur parasysh sulmin e fundit që ka qenë shumë i rrezikshëm, këso sulmi nuk ka pasë as gjatë luftës. Sepse kjo goditje në kanalin Ibër Lepensc kishte me pasë pasoja për shumë komuna në qendër të Republikës së Kosovës, natyrisht edhe pasojat që do të ishin edhe në mungesën e ujit, por edhe të rrymës. Ky ka qenë sulm shumë i rrezikshëm dhe kur i kemi këto fakte, natyrisht se ka nevojë për kontroll se këto grupacionet natyrisht janë të lidhurat, po edhe të mbështetura nga shërbimet sekrete të Republikës së Serbisë dhe është e nevojshme të bëhen kontrolle dhe të vazhdohet me me to. Kujtojmë se, ky terren nuk ka qenë i kontrolluar si duhet me dekada dhe ka mundësi të fshehjes së armatimeve dhe grupimeve.

Kontrollet janë më se të nevojshme dhe natyrisht të krenohemi me Policinë e Kosovës, me aftësitë e tyre fizike dhe natyrisht profesionale. Kështu që duhet të vazhdohet me këto gjëra, sepse po shihen shenjat se këtu ka elemente akoma të grupeve terroriste.

Gazeta “Bota sot”: A vlerësoni se tash është koha që ndërkombëtarët të marrin masa ndaj shtetit serb, si dhe të përfshihen në hetimet mbi sulmet e fundit në veri të vendit?

Izmir Zeqiri: Unë përpiqem në ato kompetencat e mia të kemi edhe kontakte të vazhdueshme me faktorin ndërkombëtar, me pjesëtarë të KFOR-it, EULEX-it, dhe organizatat e tyre. Është e nevojshme kjo gjë, unë kam parë këto ditë në terren gatishmërinë në mbështetje edhe të forcave të policisë nga ana e KFOR-it, si dhe kam pa kontrolle të përbashkëta. Këto ditë ka pasur patrullime ne vendin ku janë bërë sulmet, por edhe nëpër terren ka pasë lëvizje të shtuara. Kështu që unë besoj që janë të koordinuara operacionet dhe duhet të vazhdojnë derisa të eliminohen këto elemente të rrezikshme që akoma vërdallin në terreni e Republikës së Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Përveç aspektit të sigurisë, cilat janë sfidat më të mëdha në komunën që ju udhëheqni, atë të Zubin Potokut?

Izmir Zeqiri: Po ka sfida, ne përballemi me sfida të përditshme, sfida e madhe është që akoma është propaganda e Republikës së Serbisë mbi qytetarët e etnisë serbe është akoma e pakontestueshme, ka ndikueshmëri të lartë. Madej, shteti i Serbisë ka marrë masa me do ligje atje se gjoja të gjithë ata të cilët bashkëpunojnë me organet e Republikës së Kosovës dhe punojnë në organet e Republikës së Kosovës nga pala e etnisë serbe, mund të dënohen kur ta kalojnë kufirin deri në 15 vite.

Gazeta “Bota sot”: Po ashtu, z.Zeqiri ju muajt e kaluar keni bërë me dije se jeni kërcënuar edhe me jetë, a janë marrë masa ndaj kërcënuesve? Dhe, a ndiheni ende i rrezikuar?

Izmir Zeqiri: Po, unë kam qenë i kërcënuar, do të thotë nga e njëjta adresë në rrjetet sociale. Herën e parë nuk e kam bërë shumë publike për shkak të hetimeve, mirëpo pas tre muajve e kisha prej të njëjtit sërish një kërcënim. Procesi ka qenë nën hetime, por edhe është nën hetime. Sipas asaj që më është thënë mua se kërcënimet më kanë ardhur nga jashtë, jo nga brenda Kosovës dhe natyrisht ka diçka të ndërlikuar dhe besoj që organet e hetuesisë e kanë këtë të njohur këtë situate.

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat