Një ekonomiste nga Bayerni që synon Kuvendin e Kosovës, premton krijimin e vendeve të punës, fuqizimin e ndërmarrjeve dhe tërheqjen e investimeve të huaja

Intervista

Një ekonomiste nga Bayerni që synon Kuvendin e Kosovës, premton krijimin e vendeve të punës, fuqizimin e ndërmarrjeve dhe tërheqjen e investimeve të huaja

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 17 dhjetor 2024 Në ora: 20:57
Saranda Musliu

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Saranda Musliu, kandidate për deputete nga LDK-ja në Kuvendin e Kosovës dhe njëkohësisht Kryetare e degës së kësaj partie në Bayern, ka ndarë pritjet e saj për zgjedhjet parlamentare të ardhshme, besimin që qytetarët kanë në të, si dhe fushat ku do të angazhohej nëse do të zgjidhej deputete.

Po ashtu, Musliu ka komentuar punën e qeverisë Kurti, duke theksuar fushat ku kjo qeveri ka pasur gabime. Si pjesë e mërgatës, ajo ka folur për planet e LDK-së për diasporën dhe ka përmendur gjithashtu disa prej arritjeve të kësaj qeverie në shërbim të saj.

Intervista e plotë:

Image
Saranda Musliu
Foto galeri

“Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet e shkurtit?

Saranda Musliu: Pritshmëria ime parësore është që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë transparente, të ndershme dhe demokratike, duke reflektuar vullnetin e popullit. Përveç, kësaj shpresoj se këto zgjedhje do të shënojnë një hap të madh përparues NDRYSHE për Kosovën.

“Bota sot”: A besoni se qytetarët e Kosovës kanë vendosur të votojnë ndryshe nga zgjedhjet e kaluara?

Saranda Musliu: Besoj se qytetarët janë të gatshëm të votojnë ndryshe, bazuar në përvojat e tyre. Premtimet e mëdha të qeverisë aktuale për luftën kundër korrupsionit, menaxhimin e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe përmirësimin e ekonomisë, nuk janë realizuar. Këto premtime mbetën thjesht boshe! Kjo ka krijuar hapësirë për një alternativë të re që ofron stabilitet dhe qasje më të përgjegjshme ndaj sfidave të përditshme. LDK-ja pa diskutim është alternativa më e mirë, me një program të qartë dhe të bazuar në zgjidhje konkrete.

“Bota sot”: Nëse merrni besimin e qytetarëve, në cilën fushë do të jetë angazhimi juaj?

Saranda Musliu: Puna ime do të fokusohet në tre shtylla kryesore: fuqizimin e mërgatës, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e partneriteteve ndërkombëtare. Do të punoj për të forcuar lidhjet mes Kosovës dhe komuniteteve tona jashtë vendit. Duhet të krijojmë mundësi më të mira për investime, të thjeshtojmë shërbimet për mërgatën dhe të sigurojmë që zëri i mërgatës të dëgjohet në institucionet tona. Si ekonomiste, e di që mirëqenia fillon me një ekonomi të fortë. Përqendrimi im do të jetë në krijimin e vendeve të punës, fuqizimin e ndërmarrjeve dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Së bashku, mund të ndërtojmë një Kosovë ku të rinjtë tanë shohin të ardhmen e tyre, jo vetëm jashtë vendit, por në atdheun e tyre. Po ashtu, progresi i Kosovës varet nga partneritetet me aleatë si Gjermania dhe miqtë e tjerë ndërkombëtarë. Gjithashtu do të punoj për të thelluar këto marrëdhënie, duke siguruar që Kosova të shihet si një partner i besueshëm, konstruktiv dhe me vizion për të ardhmen.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverinë aktuale?

Saranda Musliu: Mendimi im nuk është i ndryshëm nga ai i shumicës së popullsisë. Në shkollë do të thoshin: ‘Qëllimi i klasës nuk u realizua”.

“Bota sot”: Ku mendoni se ka gabuar Qeveria Kurti?

Saranda Musliu: Qeveria Kurti ka marrë disa vendime që, sipas meje, kanë penguar përparimin e Kosovës. Një nga gabimet kryesore ka qenë mungesa e dialogut dhe bashkëpunimit të sinqertë me partitë opozitare dhe palët kryesore të interesit. Kjo ka çuar në polarizim dhe ka krijuar mundësi të humbura për ndërtimin e konsensusit mbi çështje të rëndësishme kombëtare, si reformat ekonomike, sundimi i ligjit dhe marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar. Krahas kësaj, trajtimi i dialogut me Serbinë ka ngritur shqetësime. Ndërsa, mbrojtja e sovranitetit dhe interesave të Kosovës është parësore, një qasje më strategjike dhe diplomatike është e nevojshme për të forcuar pozicionin tonë ndërkombëtarisht dhe për të siguruar progres drejt integrimit në BE.

“Bota sot”: Ju jeni kryetare e LDK-së në Bayern. Sa mbështetje keni marrë nga diaspora për t’i përfaqësuar në Kuvend?

Saranda Musliu: Mërgata ka qenë dhe mbetet gjithmonë një shtyllë e fortë për Kosovën dhe LDK-në. Mbështetja e tyre, qoftë përmes votës apo angazhimit konkret, është një faktor kyç që më motivon të përfaqësoj interesat e mërgatës në Kuvendin e Kosovës.

“Bota sot”: Mendoni se kjo qeveri ka bërë mjaftueshëm për mërgatën?

Saranda Musliu: Qeveria aktuale ka dështuar të zhvillojë një qasje të mirëorganizuar dhe serioze ndaj mërgatës. Premtimet e mëdha para zgjedhjeve për mbështetje dhe përfshirje të mërgatës nuk janë përmbushur fare. Së pari, mungojnë lehtësirat administrative që do të ndihmonin mërgatën të investojë dhe kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit. Së dyti, nuk ka pasur iniciativa për t’i përfshirë ata në politikat kulturore apo ekonomike, duke lënë një potencial të jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar. Për më tepër, mungesa e takimeve të rregullta me përfaqësuesit e mërgates tregon një neglizhencë për të dëgjuar dhe adresuar kërkesat e tyre bazike. Është e domosdoshme të ndërtohet një qasje që jo vetëm vlerëson kontributin e mërgatës, por edhe i ofron atyre mundësi konkrete për të ndihmuar në zhvillimin e Kosovës.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për qytetarët?

Saranda Musliu: Mesazhi im është i thjeshtë: Besoni në fuqinë tuaj për të sjellë ndryshimin që i duhet Kosovës. Vota juaj është vendimtare për ndërtimin e një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. Qytetarët e Kosovës meritojnë një udhëheqje që prioritizon zgjidhjet praktike, promovon unitetin dhe qëndron përgjegjëse para popullit.

comment25 komente
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat