“Pas çdo stuhie lind dielli”, çka po paralajmëron Anton Quni: LDK-ja synon këtë pozitë në zgjedhjet e reja

Intervista

“Pas çdo stuhie lind dielli”, çka po paralajmëron Anton Quni: LDK-ja synon këtë pozitë në zgjedhjet e reja

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 18 dhjetor 2024 Në ora: 08:00
Anton Quni

Deputeti dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka thënë se kjo parti po rikthehet fuqishëm. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai ka shprehur bindjen se LDK-ja në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, do të kthehet si parti e parë, për shkak të mbështetjes së gjerë qytetare.

Quni ka theksuar se programi i LDK-së, i strukturuar në 28 fusha me mbi 100 projekte, është baza kryesore për zhvillimin e vendit.

Ai ka shpalosur përkushtimin e tij për të kontribuar në forcimin e institucioneve të sigurisë, duke i bërë ato të afta për të përmbushur misionet dhe të përputhshme me standardet ndërkombëtare.

Mesazhi kryesor i LDK-së, sipas Qunit, është ndryshimi për një jetë më të mirë.

Në fushat kryesore si ekonomia, arsimi dhe dialogu me Serbinë, Quni është shprehur se LDK ka zgjidhje konkrete për të gjitha problemet dhe përfaqëson një alternativë të besueshme për zhvillimin e vendit.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Cilat janë prioritetet tuaja personale si kandidat për zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe si planifikoni t’i përfaqësoni ato në Kuvendin e Kosovës?

Anton Quni: Programi qeverisës i LDK-së i punuar në 28 fusha është referenca më e mirë, ku sigurohen implementimi i mbi 100 projekteve brenda një mandati. Me ekspertizën time në fushën e sigurisë do të angazhohem në realizimin e projekteve që institucionet e sigurisë me i ngritë me kapacitete të plota për realizimin e misioneve, integruese dhe të njëjtat të jenë kompatibile me organizatat ndërkombëtare, si dhe të motivuara mirë për t’u ballafaquar me çfarëdo lloj rreziku.

“Bota sot”: LDK ka një histori të gjatë në politikën e Kosovës. Si mendoni se kjo trashëgimi ju ndihmon në përballjen me sfidat aktuale dhe në bindjen e votuesve për këtë zgjedhje?

Anton Quni: Si partia më e vjetër në Kosovë, me veprimtari në kushte okupimi, lufte dhe paqeje, kemi pasur rol të veçantë; projektues dhe realizues në rrugëtimin për liri dhe pavarësi. Njëherit, brenda partisë janë krijuar standarde të larta të kulturës institucionale, demokracisë së brendshme dhe përgjegjësisë para qytetarëve. Mbi këto vlera ne nuk heqim dorë nga politikat e drejta, racionale, të mundshme dhe të vërteta, si antipod i populizmit, hipokrizisë dhe mashtrimit. Ne me këto vlera dalim para qytetarëve, ngase këto vlera e mbrojnë dhe çojnë Republikën tonë përpara.

“Bota sot”: Cili është mesazhi kryesor i LDK-së për qytetarët e Kosovës në këtë fushatë?

Anton Quni: Ne duhet të bëjmë ndryshimin. Qytetarët meritojnë një jetë më të mirë, bazuar në një ekonomi të zhvilluar e mirëqenie të qëndrueshme. Repubulika e Kosovës e meriton respektin e saj origjinal; krah për krah me miqtë dhe aletatët e saj natyralë dhe të përjetshëm. Për më tepër, e kemi obligim si respekt edhe për të gjitha ato gjenerata që sakrifikuan për liri e pavarësi, dhe e kemi obligim për gjeneratat pas nesh.

“Bota sot”: Çfarë mendoni se i motivon qytetarët të votojnë për ju dhe për LDK-në, duke pasur parasysh ndryshimet politike dhe pritshmëritë e reja të elektoratit?

Anton Quni: Çdo ditë e më shumë qytetarët po binden për vlerat që posedon LDK-ja, ngase ato vlera janë vetë vlerat më të mira të shoqërisë tonë. Ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të shtetit. Lidershipi, programi qeverisës dhe kapacitetet profesionale të LDK-së janë përparësi, dhe si të tilla janë në shërbim të plotë të vendit.

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja për rezultatin e zgjedhjeve? A mendoni se LDK ka shanse të kthehet në një pozicion udhëheqës?

Anton Quni: LDK fuqishëm po ringritet dhe padyshim që angazhimin tonë e bëjmë për pozitën tonë origjinale - të parën. Krejt ky angazhim dhe kjo ringritje e jona është e bazuar në përkrahjen e madhe që po na japin qytetarët tanë gjithandej.

Kryetari Abdixhiku me ekipin e tij, me strukturat dhe forumet në Kosovë e mërgatë janë në bashkëbisedime të vazhdueshme me qytetarët tash e sa kohë, për çdo ditë e në çdo rast. “Lidhja për të ardhmen”, “LDK ju dëgjon”, Tubimi i Ndyshimit”, tubimet me karakter sektorial, vizitat nëpër çdo shtëpi, janë aktivitete që kanë gjetur përkrahje dhe mbështetje të fortë qytetare.

“Bota sot”: Si e shihni garën politike këtë herë? A mendoni se është më e ashpër krahasuar me zgjedhjet e kaluara?

Anton Quni: Pas çdo stuhie lind dielli. Tani besoj se qytetarët do të vlerësojnë programet që ofrojnë partitë politike. Populizmi po shkon drejt fundit. E ky fund i populizmit do të thotë fillim i mbarë për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve, që do të jetë vetë lindja e diellit.

“Bota sot”: Si do t’i trajtoni çështjet kryesore si ekonomia, arsimi, dhe dialogu me Serbinë nëse arrini të fitoni një mandat të fuqishëm?

Anton Quni: Në të gjitha fushat dhe për të gjitha çështjet, LDK ka zgjidhje, dhe njëherit është vetë zgjidhja.

“Bota sot”: LDK ka kaluar sfida të ndryshme brenda partisë gjatë viteve. Si e keni ruajtur unitetin dhe koherencën brenda partisë për këtë fushatë?

Anton Quni: Demokracia e brendshme, mësimet nga gabimet, zgjedhjet me votë të lirë, procedurat e vendimmarrjes dhe delegimi i përgjegjësive, janë kulturë e LDK-së, të cilat sigurojnë unitetin dhe marrëdhëniet e mira ndërnjerëzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat