Në një intervsitë për “Bota sot” ka folur tashmë deputetja e LDK-së, Drita Millaku.
Ajo muaj më parë është larguar në Lëvizja për të aderuar në LDK, dhe ajo thotë se këtë e bëri nga keqqeverisja e Kurtit, duke shtuar se ajo qeverisje ka sjellë një mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë dhe ka dështuar të realizojë shumicën e premtimeve që iu bënë qytetarëve të Kosovës.
Këto katër vite qeverisje të Kurtit, Millaku thotë se shtetësia e Kosovës është në rrezik nga kjo qeverisje, andaj edhe kalimin e saj në Lidhjen Demokratike të Kosovës e konsideron si një akt patriotik.
Kurse, për një parashkimi për zgjedhjet e 9 shkurtit, ajo nënvizon dy gjëra që sipas saj do të ndodhin:
“Lëvizja Vetëvendosje do ta përjetojë rënien më të madhe të shprehur në përqindje që nuk ka ndodhur në asnjë parti tjetër deri më sot.
-dhe, Lidhja Demokratike e Kosovës do të përjetojë rritjen më të madhe të shprehur në përqindje, një rritje që nuk ka ndodhur më parë për asnjë parti politike”.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Cilat ishin pakënaqësitë tuaja në Lëvizjne Vetëvendosje?
Drita Millaku: Pakënaqësitë e mia me Lëvizjen Vetëvendosje i kam shprehur publikisht dhe brenda subjektit, gjatë kohës që kam qenë pjesë e saj. Madje, ato i kam ngritur shumë herë edhe para Kryeministrit, por nuk ka pasur asnjë reflektim serioz nga ana e tij dhe e strukturave të partisë.
Ndër problematikat kryesore që kam vënë re dhe që kanë qenë arsye të pakënaqësisë time janë: mungesa e demokracisë së brendshme, keq-qeverisja e vazhdueshme, nepotizmi dhe korrupsioni qeveritar, shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës, si dhe Kodi Civil dhe veprime të tjera që kanë dëmtuar interesat e qytetarëve tanë. Këto janë vetëm disa nga çështjet që përbëjnë një bilanc të dështuar të kësaj qeverisje dhe që më bënë të dyshoj dhe t’i jap fund angazhimit tim brenda kësaj force politike.
Në vend që të ofronte ndryshimin dhe përparimin që premtoi, kjo qeverisje ka sjellë një mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë dhe ka dështuar të realizojë shumicën e premtimeve që iu bënë qytetarëve të Kosovës. Kjo është arsyeja pse vendosa të ndërmarr veprimin e duhur dhe të distancohem nga ky projekt politik.
“Bota sot”: Tash si kundërshtare e Kurtit, si e shihni qeverisjen e tij?
Drita Millaku: Jo vetëm tani që nuk jam më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe gjatë kohës që kam qenë brenda saj, e kam parë këtë qeverisje si të dëmshme dhe jashtëzakonisht negative për vendin tonë. Të gjitha premtimet dhe kauzat që proklamuam për shumë vite, ndër to për Asocacionin e Komunave Serbe, për Manastirin e Deçanit dhe shumë çështje të tjera, janë shuar dhe nuk kanë asnjë bazë reale. Shumë nga ato që pretenduan të ishin parime të pandashme, tani mbeten thjesht gënjeshtra, thjesht për të arritur në pushtet. Kjo ka krijuar një zhgënjim të thellë dhe për mua nuk ka qenë më e arsyeshme që të vazhdoj të kontribuoj brenda këtij subjekti.
Për më tepër, duke parë që shtetësia e Kosovës është në rrezik nga kjo qeverisje 4-vjeçare, kalimi im në Lidhjen Demokratike të Kosovës e konsideroj si një akt patriotik. Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme dhe të qëndrueshme, që mbështet interesa kombëtare dhe që mbron të ardhmen e shtetit. LDK ka një histori të fortë shtetformuese dhe një angazhim të qartë për të ruajtur dhe forcuar sovranitetin e Kosovës, dhe unë besoj që vetëm në këtë kuadër mund të kontribuoj më së miri për një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme për vendin tonë.
“Bota sot”: Cilat kauza do t'i çoni përpara nëse zgjidheni deputete?
Drita Millaku: Për sa kohë do të frymoj politikisht, qëndrimet dhe bindjet e mia nuk do të ndryshojnë. Të gjitha kauzat që i kam mbrojtur me fanatizëm për më shumë se një dekadë, do të vazhdoj t’i mbroj dhe t’i çoj përpara. Angazhimi im ka qenë gjithmonë i përqendruar në mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe forcimin e shtetit të Kosovës, dhe kjo do të mbetet qëllimi im kryesor.
Si përfaqësuese e popullit, është thelbësore që kauzat që i kam mbrojtur edhe si pjesë e opozitës, t’i vazhdoj t’i mbroj me të njëjtin ritëm dhe angazhim. Gjatë mandatit të fundit në Kuvendin e Kosovës, jemi përballur me sfida të reja, përfshirë miratimin e Kodit Civil, një çështje që ka ngjallur shqetësime të shumta.
Për mua, ky Kod Civil, në disa prej neneve të tij, ka elemente që janë problematike dhe që besoj se do të dëmtonin qytetarët tanë dhe do të ishin në kundërshtim me traditat dhe zakonet tona. Mbi të gjitha, besoj se si shoqëri duhet të ruajmë dhe mbrojmë familjen si një vlerë shoqërore dhe themelore për zhvillimin dhe mirëqenien tonë. Kjo është një kauzë që do ta mbroj dhe do ta çoj përpara, sepse është e rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë dhe të brezave të ardhshëm.
“Bota sot”: Pse LDK ka vendosur që disa figura të vjetra t'i lë jashtë listës së deputetëve?
Drita Millaku: Besoj që kjo pyetje duhet t’i shtrohet kryetarit të partisë tonë. Pasi që une kam aderuar shpejt në Lidhjen Demokratike dhe nuk besoj që më takon të jap një përgjigje
“Bota sot”: Clili është parashkimi juaj per zgjedhjet e 9 shkurtit?
Drita Millaku: Duke pasur parasysh punën e madhe në terren dhe takimet e vazhdueshme me qytetarët e Republikës sonë, të cilët dita ditës po na ofrojnë mbështetje dhe kurajo për zgjedhjet e ardhshme, jam e bindur se Lidhja Demokratike e Kosovës do të rikthehet fuqishëm si forca më e madhe politike në vend. Kjo mbështetje që po na jepet nga populli është një shenjë e qartë e dëshirës për ndryshim dhe për një qeverisje më të përgjegjshme dhe më të orientuar nga interesat e qytetarëve.
Në dy gjëra jam e sigurt:
E para është se Lëvizja Vetëvendosje do ta përjetojë rënien më të madhe të shprehur në përqindje që nuk ka ndodhur në asnjë parti tjetër deri më sot. Ky është një fenomen që vjen si pasojë e keq-qeverisjes dhe dështimeve të shumta që kanë shoqëruar këtë qeveri, e cila nuk ka arritur të mbajë premtimet dhe të adresojë shqetësimet e qytetarëve.
E dyta është se Lidhja Demokratike e Kosovës do të përjetojë rritjen më të madhe të shprehur në përqindje, një rritje që nuk ka ndodhur më parë për asnjë parti politike. Ky është një sinjal i qartë i gatishmërisë së qytetarëve për të mbështetur një forcë politike që është angazhuar për të realizuar agenda përmirësimi dhe zhvillimi të qëndrueshëm për vendin. LDK, si parti shtetformuese dhe pro-perëndimore, është e gatshme të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes dhe t’i kthejë shpresën dhe besimin qytetarëve të Kosovës.
“Bota sot”: Nëse vini në pushtet, cila do të jetë zgiidhja e LDK-së për Asociacionin?
Drita Millaku: Qëndrimet e mia lidhur me krijimin e Asocacionit të Komunave Serbe vazhdojnë të mbeten të pandryshuara. Gjatë diskutimeve që kam pasur me liderin e partisë tonë, i kam bërë të qartë se unë do të jem gjithmonë kundër çdo forme të asocacionit që mund të krijohet, pasi besoj se kjo mund të dëmtojë rëndë integritetin e shtetit të Kosovës.
Për mendimin tim Marrëveshja e Ohrit rezulton të jetë shumë më e dëmshme se sa marrëveshjet e mëparshme sa i përket asocacionit.
Lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila është e njohur si parti shtetformuese me orientim pro-perëndimor, besoj se ajo do të veprojë gjithmonë në harmoni me parimet e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në këtë proces, LDK do të veprojë në bashkëpunim me aleatët tanë ndërkombëtarë, duke marrë vendimet e duhura për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, duke garantuar që çdo veprim i tillë të jetë në përputhje me vlerat dhe angazhimet tona evropiane.
“Bota sot”: Keni qenë mjaft e zëshme sa i përket vrasjeve politike, si do të qasja juaj për këtë problematikë mandatin që po vjen?
Drita Millaku: Vrasjet politike kanë qenë dhe do të mbesin një shqetësim i përhershëm për mua. Si peng i një sistemi gjyqësor që ka dështuar për një periudhë të gjatë pas luftës në zgjidhjen e këtyre rasteve, kam mbetur me shpresë se Gjykata Speciale do t’i japë një epilog dhe një përgjigje të plotë për të gjitha këto krime, ku viktimat ishin disa nga figurat më të shquara të kombit tonë, të cilët u eliminuan vetëm për faktin se ishin mbështetës të presidentit historik Ibrahim Rugova. Kjo temë ka qenë dhe mbetet një nga arsyet kryesore të angazhimit tim politik.
Për mua, si deputete dhe si qytetare e këtij vendi, është jashtëzakonisht shqetësuese që, gjatë katër viteve të mandatit të tij, Kryeministri i Kosovës nuk ka bërë asnjëherë përpjekje, as në fjalime publike dhe as në ngjarje të tjera, për të përmendur apo nderuar figura të tilla si Smajl Hajdari, Shaban Manaj, Ismet Raci, Xhemajl Mustafa, Ukë Bytyqi, apo komandantët e njohur Tahir Zemaj dhe Komandant Drini. Ata ishin burra shteti dhe heronj të kombit, dhe duhet të nderoheshin për sakrificat e tyre.
Në anën tjetër, ajo që është veçanërisht shqetësuese dhe e papranueshme për mua është se Kryeministri kujton dhe dërgon lule te figura të dyshimta, si Ivanoviqi, një individ që ka një vendim gjyqësor për krime ndaj shqiptarëve. Ky është një qëndrim i papranueshëm dhe një mesazh i gabuar që dëmton imazhin e shtetit dhe të gjithë popullit të Kosovës. Kjo është një çështje që duhet të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi.