“Procesi i anëtarësimit, në NATO dhe BE, është i lidhur ngushtë me vlerat e përbashkëta që përfaqësojmë. Çdo zgjerim, si në NATO, apo Bashkimin Evropian, ka qenë i ndikuar por edhe shtyrë mbi nevojën për ruajtje të vlerave demokratike dhe sigurisë. Kosova, si shtet ka përqafuar këto vlera, por edhe mekanizmi i mbrojtjes dhe sigurisë, është i integruar plotësisht në standardet e NATO-së. Në dritën e kësaj, themelimi i Ushtrisë së Kosovës, është dëshmia më e qartë, se Kosova si partner i besueshëm i ShBA, ka marrë gjithë përkrahjen dhe garancat për t’i shërbyer paqes dhe stabilitetit. E ky kontribut, është i qartë dhe i njohur gjerësisht nga partnerët. Për rrjedhojë, janë dy elemente që garantojnë këtë, pronësia e plotë e strukturave si në NATO dhe BE, mbi proceset e njëkohësisht domosdoshmëria për të kufizuar ndikimin në cenimin e demokracive dhe sigurisë nga influenca Ruse dhe Kineze. Natyrshëm, që Kosova duhet t’i përfundojë menjëherë të gjitha obligimet, e të ofroi prova të forta të partneritetit”, kështu ka deklaruar Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Tahiri në një intervistë ekskluzive për gazetën ““Bota sot””, thotë se AAK do të përkushtohet fort në tri drejtime në Kosovë, fillimisht ta kthejnë besimin e lënduar të partnerëve për rrugëtimin e Kosovës, të ndërmarrë reforma serioze për t’ju përgjigjur agjendës kombëtare për integrim në NATO dhe BE dhe që qeveria t’i shërbejë zhvillimit ekonomik, e mirëqenie së çdo qytetari.
Sipas Tahirit, AAK beson se me këto zgjedhje duhet jo vetëm të shkojë një parti në opozitë, por bashkë me të, të përfundojë një logjikë se mund të fitohet duke denigruar çdo vlerë e arritje, të qeveriset pa asnjë përvojë e të kërkohet mandat pa asnjë rezultat.
Në intervistë, Tahiri flet edhe rreth asociacionit, situatës në veri të Kosovës si dhe prioriteteve të tyre në rast se do t’i fitonin zgjedhjet.
Intervistoi: Naile Ejupi
“Bota sot”: Z. Tahiri, si po e gjen fushata Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, a e keni arritur konsolidim partiak?
Besnik Tahiri: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka ndoshta elektoratin më stabil kjo vjen si rezultat i besimit të krijuar ndër-vite e periudha me lidershipin e Kryetarit Haradinaj, në punën që është bërë përgjatë këtyre viteve opozitë-bërje, por edhe rezultatet që janë shembull nga Kryetarët ku qeverisim, si dhe drejtuesit ku jemi në koalicione. Për këtë, më duhet të shpreh mirënjohje e vlerësim, për gjithë elektoratin, strukturat dhe ata njerëz, që përkundër sfidave, që jo rrallë, i ka përballuar kryetari Haradinaj, me mbrojtjen e pastërtisë së luftës çlirimtare, i kanë qëndruar besnik dhe kanë besuar në të vërteten e tij dhe Kosovës.
“Bota sot”: Cilat janë pritshmërinë tuaja për zgjedhjet e 9 shkurti 2025?
Besnik Tahiri: AAK, ka qëndruar pandashëm, me brengat e pritjet e qytetarëve. Kësisoj ka zhvilluar program burimor, duke konsultuar në tryeza tematike, me biznese, sindikata, si dhe fusha tematike si siguria, arsimi, shëndetësia. E njëkohësisht, si përherë ka ruajtur besimin e pa luhatur për shtetin dhe guximin për të vepruar mbi këto interesa. Kjo, garë nuk është thjesht elektorale, por që e ndanë një herë e mirë, të vërtetën, me manipulimin. E kthen, vendin në normalitet, e në vlerat që duhet të qëndrojmë fort, e ndërtuar mbi sakrifica, e guximi i popullit e lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga vullneti e shpresa e një populli të rilindur, e një shteti të rindërtuar nga hiri. E përpjekjet e shumë idealistëve, e përkrahja e shteteve të lira, prirë nga SHBA, që ishin shpresa për jetë, e ëndrra për demokraci.
Aleanca, partnerët e koalicionit, për Kosovën fituese, janë njerëz të dëshmuar, që jo vetëm, do të zgjerojnë bazën elektorale, krijuar si energjinë e njerëzve që besojnë në fitoret e Kosovës, por parasë gjithash që mbahen fort në vlerat e popullit. Presim, të rikthejmë pozicionin, e partisë kryesore, që merr besim secilit qytetarë, se Kosova, mbetet e pa cenueshme, me respektim të plotë të Kushtetutshmërisë, e në partneritet e përkrah me aleatët e saj.
“Bota sot”: Çfarë hapash do të ndërmerrte AAK-ja në raport me gjendjen në Mitrovicën Veriore, situata vazhdon të jetë e brishtë?
Besnik Tahiri: Aleanca, çdo pjesë të Kosovës, e sheh si pjesë integrale të Kosovës, ashtu siç beson se shtetësia bashkë me të gjitha atributet e saj, është e pa kthyeshme. Por që punon fort në konsolidimin e saj të brendshëm, e afirmimin e saj ndërkombëtar. Kosova, ka ndërtuar institucione të qëndrueshme të sigurisë, kjo është vijimësia e vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria, por edhe mbështetja që kemi marrë nga bota demokratike. Ne, angazhohemi të garantojmë të gjitha të drejtat për komunitetin në ato komuna, e të sigurojmë integrim të plotë në institucione. Problemet në atë pjesë të Kosovës, më shumë se të sigurisë janë politike, ndërhyrje e mjet i Serbisë, për ta penguar Kosovën të ecë përpara.
Ashtu si liria, shtete-ndërtimi edhe konsolidimi i plotë dhe anëtarësimi është projekti i përbashkët mes nesh dhe aleatëve. Ne i përkushtohemi këtij partneriteti, e rikthimit të besimit në Kosovën, në mënyrë që tendencave për destabilizim në atë pjesë, e përpjekjeve për ta kthyer prapa Kosovën, ti përgjigjemi me bindjen në vlerat e shtetit, frymës Kushtetuese, e partneritetit të fortë me ShBA-të dhe aleatëve të dëshmuar. Krijimi i mos besimit, mes Kosovës dhe aleatëve, është arritje e Serbisë e kujdestarëve të saj, për ta prezantuar Kosovën në narracionin e vjetër, duke sfiduar vetë lirinë, e shpallur shtet të dështuar. Kjo, narrativë, është ndalur, në të gjitha rrethanat, duke konsoliduar shtetin, përfshirë edhe krijimin e Ushtrisë.
”Bota sot”: Çfarë rrugëdalje ka për çështjen e Asociacionit pa u dëmtuar Kosova, duke ditur që çështja e Asociacionit e ka kurthuar Republikën e Kosovës dhe domosdo do të jetë pjesë e tavolinës në bisedimet Kosovë - Serbi?
Besnik Tahiri: Kosovës në këtë proces i dalin dy obligime, e para të rikthejë besimin tek partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ShBA-të dhe shtetet lidere të Bashkimit Evropian dhe të mbështetet fort në Kushtetutën e saj. Përgjatë gjithë, ngjarjeve historike të ballafaqimit me Serbinë, përkundër se ka pasur përball në dialog, ajo ka negociuar vetëm me bashkësinë ndërkombëtare, me shtetet partnere. Si rezultat, ne kemi arritur tek liria, shpallja e pavarësisë dhe konsolidimi institucional, demokratik dhe i mbrojtjes.
Kosova, ka marrë zotime, në procesin e dialogut, ne kemi obligim të mbesim partner i besueshëm për ShBA-të, e shtetet mike evropiane. Kjo besueshmëri, nuk guxon të minohet nga kurthet e Serbisë. Ne kemi marrë në vazhdimësi garanca të fuqishme, që nuk cenohet ndërtimi Kushtetues, e as nuk rrezikohet një nivel i tretë i qeverisjes. Kosova, duhet të sigurohet se çdo germe, e fryma e Asociacionit, të jetë në përputhje me Kushtetutën, e vlerat mbi të cilat jemi bërë shtet.
Siç shihet, pas shumë vitesh, me qasjen popullsitë, ne kemi arritur ta kthejmë Serbinë si palë konstruktive, e Kosova të shihet si pengesë. Kjo, ka ardhur si rezultat i dy pozicioneve duale të qeverisë, e para ka pranuar marrëveshje dhe marrë zotime para bashkësisë ndërkombëtare, e në anën tjetër, fatin e Kosovës, e ka lidhur ngushtë me veprimet destruktive të Serbisë. Kjo, madje pasqyron realitetin e terrenit, ku Serbia nuk interesohet as për serbet, e as për Asociacionin. Por i përdorur, si instrument për ta penguar Kosovën në rrafshin e konsolidimit të brendshëm e avancimit ndërkombëtare, duke garantuar sigurinë me ecjen drejt NATO-së, e prespektivën Euro-Atlantike.
“Bota sot”: Z. Tahiri, mund t'i ceki dy situata hipotetike. Nëse Asociacioni implementohet e që shpresojmë se jo, çfarë pasoja mund të kishte shteti ynë? Dhe ana tjetër e medaljes, a do të kishte një mundësi për ta zhbërë Asociacionin?
Besnik Tahiri: Kosova ka marrë zotime ndërkombëtare, e pashkëputshëm ne kemi vetëm dy rrugë, e para të mos jemi më pjesë e kësaj ndër-varësie e për pasojë të rrezikojmë izolimin e degradimin ndërkombëtarë. Dhe e dyta, ka të bëjë me rikthimin e besimit, e për rrjedhojë garancive të shteteve mike, në krye me ShBA, se Kosova është partner serioz dhe i besueshëm, e njëkohësisht që Asociacioni të mbetet në plotësi, brenda ndërtimit Kushtetues. E kundërta, e mos zbatimit të obligimeve, na qon në zgjidhje të imponuara, që rrezikojnë gjithë arritjet, por edhe mbesim pa perspektivë të qartë, pa partner në rrugëtimin Euro-Atlantik, anëtarësimin në NATO dhe BE. Si pasojë, Kosova ka mbetur në kurthin e dialogut, e që Serbia po e shfrytëzon për destabilitim. Ne duhet ti rikthehemi, partneritetit me ShBA-të dhe shtetet mike, që garantojnë një përmbyllje të shpejtë, me njohje. E që kjo aktualisht, ka përfunduar në një proces, që është rikthyer prapa, e duke u zbehur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.
“Bota sot”: Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, disa herë ka thënë që me AAK-në Kosova do të anëtarësohej shpejt në NATO. Të lutem nëse mund të na tregoni, si do të vepronte AAK në lidhje me integrimin e Kosovës në NATO ose në instancat më të larta evropiane, natyrisht nëse nuk është ndonjë plan sekret?
Besnik Tahiri: Procesi anëtarësues, në NATO dhe BE, është i lidhur ngushtë me vlerat e përbashkëta që përfaqësojmë. Çdo zgjerim, si në NATO, apo Bashkimin Evropian, ka qenë i ndikuar por edhe shtyrë mbi nevojën për ruajtje të vlerave demokratike dhe sigurisë. Kosova, si shtet ka përqafuar këto vlera, por edhe mekanizmi i mbrojtjes dhe sigurisë, është i integruar plotësisht në standardet e NATO-së. Në dritën e kësaj, themelimi i Ushtrisë së Kosovës, është dëshmia më e qartë, se Kosova si partner i besueshëm i ShBA, ka marrë gjithë përkrahjen dhe garancat për t’i shërbyer paqes dhe stabilitetit. E ky kontribut, është i qartë dhe i njohur gjerësisht nga partnerët. Për rrjedhojë, janë dy elemente që garantojnë këtë, pronësia e plotë e strukturave si në NATO dhe BE, mbi proceset e njëkohësisht domosdoshmëria për të kufizuar ndikimin në cenimin e demokracive dhe sigurisë nga influenca Ruse dhe Kineze. Natyrshëm, që Kosova duhet t’i përfundojë menjëherë të gjitha obligimet, e të ofroi prova të forta të partneritetit.
“Bota sot”: Si e përshkruani Qeverinë Kurti? Në çfarë fusha mund t'i jepnit nota pozitive ose negative?
Besnik Tahiri: Qeveria Kurti, është prodhim i një diskursi politik e publik përçarës, një manifestim i shpërdorimit të vështirësive që Kosova ka pasur rrugës në konsolidimin e shtetësisë, e artikulimi popullsitë, që ka premtuar zgjidhje të lehta, për problemet e vështira. Kanë ardhur në pushtet me gënjeshtra, kanë qeverisur me trillime, e po shkojnë të zhveshur nga realiteti.
E vetmja notë pozitive, jo në fusha, por si fenomen ka të bëjë me një mësim të madh që i dhanë qytetarëve, që t’ju kthehen të vërtetave, atyre që janë dëshmi, në ato vlera mbi të cilat janë vendosur themelet e këtij shteti. Kjo edhe pse ka sjellë një degradim të madh të nivelit politik, po e përmbyll një kapitull,ku gënjeshtra ishte bërë standard i veprimit publik.
Por ka nxjerr në pah se Kosova, ka rrënjosur fort vlerat demokratike, të fjalës së lirë, por edhe institucioneve kredibile kushtetuese. Vlera këto, që e mbajnë fort për të mos rrëshqitur në autokraci. Në çdo rrafsh, qeverisës e institucional, jo që nuk mund të flasim për progres, por as gjendje të njëjtë. Ka pasur veprimet me intensitet të lartë të degradimit. Përgjigjen më të lehtë e gjejmë secili tek vetja, se sa jetojmë më mirë sot, se para katër viteve.
“Bota sot”: Çfarë prioritete ka AAK-ja nëse në zgjedhjet e ardhshme e gjen veten në udhëheqje të qeverisë?
Besnik Tahiri: AAK, përkushtohet fort në tri drejtime: e para, të rikthej besimin e lënduar të partnerëve për rrugëtimin e Kosovës, të ndërmarrë reforma serioze për t’ju përgjigjur agjendës kombëtare për integrim në NATO dhe BE dhe që qeveria ti shërbej zhvillimit ekonomik, e mirëqenie së çdo qytetari. Prioritetet, ndërvaren me sfidat, por edhe perspektiven që duam për një Kosovë fituese. Një Kosovë, që garanton sigurinë, që siguron zhvillim e mirëqenie, që i përgjigjet brengave të qytetarit, nisur nga përballueshmëria e jetesës, e deri tek heqja e barrës që i rëndon ata çdo ditë, që vjen si pasiguri, por edhe pengesë për zhvillim, si arsimi cilësor, përkujdesje shëndetësore të garantuar dhe me standarde, përkrahje për të ndërmarrë iniciativa biznesore, e rritur ato ekzistuese, si dhe kujdes e mirëqenie për qytetarët në nevojë. Na duhet tu përgjigjemi me urgjencë, nevojave që janë bërë pengesë e qytetarëve, si infrastruktura e pa konsoliduar, siguria publike, transporti, shërbimet publike, si furnizimi me ujë dhe përmirësimi i mjedisit. Pra, programi e qasja jonë, synon të rikthej, qeverinë në veprime aktive e konkrete që tu përgjigjemi problemeve të qytetarëve. E dëshmuar kjo tashmë, nga Kryetari Haradinaj. E kundërta e kësaj, është kjo qeveri, që në vend të zgjidhjeve, ka inskenuar, është arsyetuar e fajësuar. Deklarata që e përshkruar më sëmiri, kur në pikun e krizës dhe pasigurisë energjetike, rritja e pa përballueshme e çmimeve, po vinte si rezultat për ti njohur sa po shpenzojnë qytetarët.
“Bota sot”: LVV është optimiste se do ta fitojë edhe një mandat. Supozojmë se nëse LVV nuk i kapë 50% dhe i duhet një parti në koalicion, a do t'i bashkohej LVV-së në bashkëqeverisje AAK-ja?
Besnik Tahiri: AAK, beson se me këto zgjedhje, duhet jo vetëm, të shkojë një parti në opozitë, por bashkë me të, të përfundoi një logjikë, se mund të fitosh, duke denigruar çdo vlerë e arritje, të qeverisësh pa asnjë përvojë, e të kërkosh mandat pa asnjë rezultat. Ne besojmë, se këto zgjedhje, jo vetëm se do të jenë ndryshimi i pozicionit, ku opozita do të qeverisë, por parasë gjithash do ti japin fund, një diskursi përçarës, që në esencë secili qytetarë, të ndjehet i pasigurt, e nën presion për veprimet e çekuilibruara, e që sjellin pasoja për jetën e tyre.