“Edhe një mandat me mbi 50%” - Basha liston të arriturat, thotë se ngecja kryesore ka ardhur nga sistemi i drejtësisë dhe opozita

Intervista

“Edhe një mandat me mbi 50%” - Basha liston të arriturat, thotë se ngecja kryesore ka ardhur nga sistemi i drejtësisë dhe opozita

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 dhjetor 2024 Në ora: 07:52
Dimal Basha

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për deputet në këtë parti, Dimal Basha, beson se do të fitojnë me mbi 50 për qind në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Basha në një intervistë ekskluzive për gazetën ““Bota sot””, thotë se në mandatin e tyre papunësia është ulur nga 28 për qind në 10 për qind, po e mbyllin mandatin me 80 mijë vende pune shtesë, si dhe kanë ndihmuar bizneset e investime të ndryshme.

“Kemi pasur investime në sport e kulturë, përfshi Lojërat Mesdhetare 2030. Kemi pasur një trajtim të veçantë të sektorit të sigurisë, ku kemi dyfishim të ushtarëve, katërfishimit të buxhetit, si dhe investime serioze në polici. Kemi qene qeveria me përkrahjen më të madhe për bujkun, dhe njëkohësisht kemi bërë ligjin e pagave dhe rritje të pagave në sektorin publik. Këto janë disa nga sukseset e shumta”, deklaron Basha.

Sipas tij, qeveria e tyre ngecjen kryesore e ka pasur në sistemin e drejtësisë dhe nga opozita, për shkak se sipas tij, ata kanë penguar reformën në drejtësi.

Basha, në intervistë flet edhe për marrëveshjen me Serbinë,  asociacionin si dhe shpenzimet për karburante që i kanë pranuar si benifite.

Intervista e plotë:

“Bota sot”:  Z. Basha, po e bëjmë pyetjen e fundit të parën. Çfarë rezultati prisni në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025? Mund të na jepni një listim të partive sipas përqindjes që mund të marrin?

Dimal Basha: Ne besojmë thellë se puna e mirë e Qeverisë Kurti ku për 4 vite mandat nuk ka pasur asnjë aferë korruptive, zhvillim ekonomik, ulje të papunësisë dhe kujdes dhe mirëqenie për të gjithë, na jep të besojmë që prapë do ta kemi një mandat të vetëm me mbi 50%.

 “Bota sot”: Në këtë mandat, fokusi ka qenë tek veriu i Kosovës, e kuptueshme duke i ditur rrethanat me çfarë përballemi në veri. Si e shihni gjendjen në Mitrovicën veriore vitin e ardhshëm dhe a ka ndërmarrë Qeveria Kurti masa në rast se Serbia përgatit prapë ndonjë sulm terrorist?

Dimal Basha: Serbia ka një pushtet fashist që çdo ditë kërcënon shtetin demokratik të Kosovës, mirëpo qeveria ka vënë në dispozicion të gjitha veglat për ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë në atë pjesë. Kërcënimet e Serbisë tregojnë që Serbia vazhdon të jetë  faktor destabiliteti në rajon dhe prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet të merret seriozisht me të, duke njohur gjithashtu historinë gjenocidale të këtij shteti.

“Bota sot”: Çfarë e pret Kosovën në raport me Zajednicën? A ka ndonjë rrugëdalje që kjo çështje të mbyllet pa u dëmtuar Kosova?

Dimal Basha: Kosova ka një marrëveshje tanimë, por që prapë Serbia refuzon ta respektojë atë. Derisa nuk respekton marrëveshjen si tërësi, nuk mund të flasim për një pikë të veçantë të marrëveshjes, sepse ajo duhet të respektohet si e tërë.

 “Bota sot”: Sipas jush, në çfarë fusha a sektorë arriti LVV në këtë mandaturë të sjellë ndryshim?

Dimal Basha: Papunësia është ulur nga 28% në 10%, pra po mbyllim mandatin me 80 mijë vende pune shtesë. Ekonomia ka pasur rritje mesatarisht mbi 6% në vit, nga më të lartat në Evropë. Ka pasur masa të shumta që kanë ndihmuar bizneset, dhe për pasojë kemi dyfishim të profilit tek bizneset, si dhe rritje të qarkullimit mbi 8 miliardë më shumë. Kemi pasur investime në sport e kulturë, përfshi Lojërat Mesdhetare 2030. Kemi pasur një trajtim të veçantë të sektorit të sigurisë, ku kemi dyfishim të ushtarëve, katërfishimit të buxhetit, si dhe investime serioze në polici. Kemi qene qeveria me përkrahjen më të madhe për bujkun, dhe njëkohësisht kemi bërë ligjin e pagave dhe rritje të pagave në sektorin publik. Këto janë disa nga sukseset e shumta.

“Bota sot”: Ku mendoni se pati ngecje dhe për çfarë arsye?

Dimal Basha: Mendoj se ngecja kryesore ka ardhur nga sistemi i drejtësisë dhe opozita, ku të dyja paralelisht kanë penguar reformën në drejtësi. Opozita i dërgon ligjet në Gjykatë Kushtetuese, derisa kjo e fundit i vonon nëpër sirtare dhe pastaj edhe i rrëzon ato pa bazë ligjore. E kemi ligjin për Byronë, ligjin për çmime tavan, ligjin për KPK-në, e shumë ligje tjera!

 “Bota sot”: Keni pasur kritika nga opozita thuajse për çdo veprim dhe vazhdimisht. Si e komentoni kritikën opozitare në raport kundrejt Qeverisë Kurti?

Dimal Basha: Mendoj se kritika është e shëndetshme, por nuk duhet harruar që kjo opozitë ka pasur kritika për qasjen e qeverisë tonë në veri, derisa sot u dëshmua që Kryeministri kishte të drejtë. Kritika e tyre pra ka qenë destruktive për 4 vite, ku nuk kanë marrë pjesë as në votim të ligjeve, por edhe kanë kundërshtuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, që ka qenë precedent i keq dhe i paparë më herët.

“Bota sot”: Z. Basha, një temë që pati bërë bujë kanë qenë shpenzimet për karburante. Në opozitë e keni kundërshtuar, por në qeverisje i keni pranuar edhe ju nëse mund ta them si benefite. E kam fjalën për të gjithë deputetët. Ndonëse është e ligjshme, a mendoni se është e tepërt dhe a ka ndryshuar vendimi ligjor duke i ditur pagat që marrin deputetët?

Dimal Basha: Po, ka qene një debat që tanimë ka përfunduar!

 “Bota sot”: Kur pritet ta shohim plan-programin e LVV për zgjedhjet e ardhshme dhe ku mendoni se do të jetë fokusi kryesor ose temat kyçe?

Dimal Basha: Programi do të bëhet publik, dhe prandaj po ia lëmë momentit e pastaj ta diskutojmë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat