Kandidon për një ulëse në Kuvend, djali i Smajl Hajdarajt flet për zgjedhjet parlamentare dhe punën në MPJD

Intervista

Kandidon për një ulëse në Kuvend, djali i Smajl Hajdarajt flet për zgjedhjet parlamentare dhe punën në MPJD

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 janar 2025 Në ora: 17:32
Kandidati për deputet, njëherësh këshilltari i ministres Donika Gërvalla, Shpëtim Hajdaraj.

Për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur kandidati për deputet, njëherësh këshilltari i ministres Donika Gërvalla, Shpëtim Hajdaraj.

Ai thotë se do t’i hyjë garës për deputet për t’iu shërbyerë qytetarëve dhe vendit me përgjegjësi të plotë, për çka thotë se edhe me Listën “Guxo”i e lidhë e kaluara rugoviste dhe përkushtimi ndaj vlerave që ajo përfaqëson.

Për qeverinë aktuale, ku edhe Lista “Guxo” janë në koalicion, Hajdaraj thotë se ka qenë brenda pritshmërive reale.

Tutje, Hajdaraj ka përmendur dhe ka listuar disa nga të arriturat e Ministrisë së Jashtme.

I pyetur nga “Bota sot”, si e sheh ai sot LDK, meqë babai i tij ishte veprimtar i saj, ai shprehet se ajo po mundohet të rikthejë besimin qytetar, por që LDK duhet të ketë një figurë inspiruese që do të ringjallte besimin dhe shpirtin rugovian në këtë parti.

Kurse, për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ai thotë se kjo nuk do të ndodhë, dhe se ka besim se kjo gjykatë do të zbardhë vrasjet politike.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Zoti Hajdaraj, pse keni vendosur të garoni për deputet?

Shpëtim Hajdaraj: Për t’ju shërbyer qytetarëve dhe vendit.

Bota sot”: Çka shihni të përbashkët ju dhe Lista Guxo?

Shpëtim Hajdaraj: E përbashkëta është e kaluara rugoviste me pothuajse të gjithë strukturat drejtuese të Guxo!-s ndërsa të tashmen të përbashkët e kemi besimin ndërmjet vete.

“Bota sot”: Si e ka qenë qeverisja Kurti në këto katër vite?

Shpëtim Hajdaraj: Brenda pritshmërive reale të mia. Ka shumë të arritura në çdo fushë, e mbeten të arrihen edhe shumë gjatë mandatit tjetër. Sa më të mëdha arritjet, rriten edhe kërkesat dhe nuk mund të themi se erdhëm në një pikë përmbylljeje të të arriturave për ndonjë fushë. Ma e rëndësishmja që gjatë kësaj qeverisje, çasja qeverisëse ka qenë e mirë.

“Bota sot”: Po si Këshilltar Politik i Ministres Gërvalla, a mund të na thoni se cilat ishin të arriturat e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë gjatë këtij mandati qeveritar?

Shpëtim Hajdaraj: Ajo çka është më e rëndësishmja sipas matjes së opinionit publik të IRI-t (Institutit Ndërkombëtar Republikan), e që qytetarë tanë e vlerësojnë shumë është e arritura e përmirësimit të imazhit ndërkombëtar të Kosovës. Të arritura në MPJD kemi mjaft, po i përmend disa: reformën e brendshme; strukturimi dhe menaxhimin e mirë të aseteve të Misioneve Diplomatike e Konsullore; avancimin e pozicionit të Kosovës në Organizata Ndërkombëtare – anëtarësim në dhjetë prej tyre; orientim i mirë dhe rreshtim pro aleatëve tanë kundër agresionit rus në Ukrainë dhe vendosje të sanksioneve aleatëve të tyre; strehimi dhe akomodimi i gazetarëve ukrainas dhe afgan; liberalizimi i vizave për zonën Shengen; pastaj liberalizimi i vizave me Emiratet e Bashkuara, Izraelin dhe Tajlandën; fuqizimi në vazhdimësi e pasaportës së Kosovës-ku së fundmi u njoh edhe nga Spanja e Armenia; krijimi i misioneve të reja diplomatike si: Hapja e Misionit Special në Selinë e Shenjtë të Vatikanit, hapja e Misionit të parë në Poloni, hapja e Ambasadës në Kolumbi dhe ngritja e statusit të Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi; Përmbyllja e fazës përfundimtare për hapjen e Ambasadës në Malajzi; Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Timorin Lindor dhe formalizimi i raporteve dypalëshe me Poloninë; Akreditimi për herë të parë i Ambasadorit jo rezident në Samoa dhe Timorin Lindor; Ngritja e marrëdhënieve dhe përfaqësimit dypalësh me Çekinë; Rikthimi pas pesë vjetëve i marrëdhënieve diplomatike me Palaun; Mbajtja e rreth 50 konsultimeve politike me shtete të ndryshme nga të gjitha kontinentet; Blerja për t’i bërë pronë të Kosovës objektet e 5 ambasadave të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëri të Bashkuar, Senegal, Kroaci dhe Strasburg; Në plan për blerje janë edhe objektet e 5 ambasadave tjera në Gjermani, Francë, Itali, Kanada dhe Turqi. Kjo është hera e parë që një qeveri që prej shpalljes së pavarësisë bën një investim të tillë që përveçse ka arsyeshmëri financiare ka edhe simbolikë të fuqishme politike. Ka edhe arritje të tjera e të cilat nuk mund ti përmend të gjitha brenda një interviste.

“Bota sot”: Çka do të ndodhë me procesin e kandidimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës në të ardhmen?

Shpëtim Hajdaraj: KKosova ka aplikuar dhe ka kaluar me sukses në PACE (Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian) me 82% të votave pro Kosovës, dhe nuk ka kthim mbrapa të procesit. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kjo gjë është theksuar edhe në raportin e raportueses Dora Bakoyanis.  Çështja ka mbetur vetëm të Këshilli i Ministrave që të hyjë në agjendën e tyre në të ardhmen dhe t’a votojnë anëtarësimin tonë të plotë, pa kushte shtesë politike nga ndonjë shtet më dyshes.

“Bota sot”: Po, sa i përket njohjeve të reja, janë përmendur shpesh njohja nga Vatikani e madje edhe Greqia por që nuk kanë ardhur asnjëra, përse ka ndodhur kjo dhe a keni ndonjë plan lobimi për mandatin e ardhshëm?

Shpëtim Hajdaraj: Me të dy shtetet që i përmendni, ne kemi pasur kontakte të rregullta dhe në të dyja rastet ne kemi avancim të marrëdhënieve tona. Në Vatikan kemi hapur Mision Special dhe tashmë jemi prezent dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyer, e poashtu me Greqinë kemi avancuar statusin e misionit tonë atje. Gjatë mandatit tonë kemi patur dhjetëra takime të nivelit të lartë homologësh dhe jemi në rrugë të mbarë për arritjen e qëllimit final. Por të jemi të çartë, nuk varet e tëra nga ne, por nga balancat që duan ti ruajnë këto shtete.

“Bota sot”: Në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, çfarë do të ndodhë me asociacionin nëse qeverisni sërish?

Shpëtim Hajdaraj: Zbatimi i Marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksit të Ohrit, duke respektuar çdo pikë të marrëveshjes pa bërë asnjë ndryshim apo devijim nga përmbajtja dhe renditja e saj. Për tu arritur kjo duhen dy palë, prandaj Serbia për t’ju shmangur njohjes së Kosovës po refuzon ta zbatojë këtë marrëveshje.

“Bota sot”: Cilat kauza do t'i çoni përpara nëse zgjidheni deputet, ku do të jetë fokusi juaj?

Shpëtim Hajdaraj: Fokusi im nëse zgjedhem deputet do jetë: përmirësimi dhe avancimi i Ambientit dhe Infrastrukturës; Drejtësi dhe Siguri.

“Bota sot”: Të gjitha partitë po pretendojnë në fitore, si është situata në terren, cilat janë pritshmërinë tuaja për zgjedhjet e 9 shkurtit?

Shpëtim Hajdaraj: Mendoj se edhe mandatin e ardhshëm duhet të qeverisë koalicioni VV, Guxo dhe Alternativa, andaj edhe fitorja e këtij koalicioni është e pashmangshme.

“Bota sot”: Zoti Hajdaraj, babai juaj ka qenë veprimtar dhe deputet i LDK-së, si e shihni ju sot LDK-në dhe lidershpinin e saj?

Shpëtim Hajdaraj: LDK-ja sot po ballafaqohet me besimin e humbur e që mendoj se kjo do marrë kohë apo do jetë mision i pamundur nga lidershipi, mbetet të shihet.

“Bota sot”: Kur jemi në këtë pikë, ditëve të fundit po e shohim një rikthim të theksuar të zërave që kërkojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale apo miratimin e një rezolute në Kuvend për këtë arsye, cili do të jetë qëndrimi juaj si deputet dhe një nga familjarët e viktimave të vrasjeve politike sa i përket kësaj çështjeje?

Shpëtim Hajdaraj: Asesi nuk duhet zhbërë nëse nuk kanë ndonjë gjë për të fshehur. Patën tentuar edhe njëherë dhe aleatë tanë patën thanë që “kjo është nata ma e rrezikshme për Kosovën që nga çlirimi”. Duhet lënë e lirë t’a zhvillojë procesin. Le të fitojnë faktet. Është Gjykatë e Kosovës dhe është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk duhet të zhbëhet.

“Bota sot”: Vazhdoni ta keni besimin e njëjtë tek Gjykata Speciale për zbardhjen e këtyre rasteve?

Shpëtim Hajdaraj: Po, kam besimin se do ta bëjë. Nuk shoh alternativë tjetër duke i pa rrethanat gjatë gjithë këtyre viteve, edhe pse do doja që vendorët të kishin guximin e kurajon që ti zgjidhnin këto vrasje me motive politike, por as nuk munden e ndoshta as nuk dashtën. Pra, shpresa ime e fundit është Gjykata Speciale.

“Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja për vendimin e Kushtetueses në lidhje me Ligjin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme?

Shpëtim Hajdaraj: Nuk i komentoj apo parashikoj vendimet e Gjykatave. E di që një Ligj i tillë i nevojitet Republikës së Kosovës, por kam dëshirë të jetë më i miri i mundshëm dhe me standardet ma të larta demokratike.

“Bota sot”: A do të kemi diçka konkrete mandatin e ardhshëm sa i përket këtij ligji dhe zbatimit të tij në praktikë, duke qenë se vendi ka lënguar një kohë të gjatë nga krimi ekonomik dhe korrupsioni i nivelit të lartë institucional?

Shpëtim Hajdaraj: Nëse merr dritën e gjelbërt nga Kushtetuesja, normalisht që do të fillojë së zbatuari. Të gjithë të barabartë para Ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat