Zëvendësministri i MD-së kritikon KQZ-në për certifikimin e Listës Serbe – flet edhe për ftesën e Prokurorisë për Kurtin

Intervista

Zëvendësministri i MD-së kritikon KQZ-në për certifikimin e Listës Serbe – flet edhe për ftesën e Prokurorisë për Kurtin

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 12 janar 2025 Në ora: 08:01
Vigan Qorrolli

Zëvendësministër i Drejtësisë, Vigan Qorrolli në një intervistë për “Bota sot” ka folu në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, zgjedhjet e reja, punën e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe për ftesën e Prokurorisë Speciale për kryeministrin Albin Kurti.

Së pari, Qorrolli foli për kandidaturën e tij për deputet, ku tregoi si erdhi deri te ky vendim dhe se cila do të jetë strategjia e Lëvizjes Vetëvendosje për të bindur qytetarët të rinovojnë besimin e tyre.

Në këtë pikë, ai tregoi edhe për raportet me partitë opozitare, ku i kritikoi për mosbashkëpunim në vendime të rëndësishme.

“Megjithatë, ne nuk kemi nevojë për bashkëpunim në qeverisje, pasi jemi të sigurt se do të fitojmë 50% të votave dhe do ta kemi mandatin për të udhëhequr të vetëm”.

Më tej, ai foli edhe për sfidat dhe punët në MD, ku dha një përmbledhje mbi këtë mandat qeverisës.

Po ashtu, Qorrolli tregoi se çka pritet të ndodhë me Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Derisa, ishte kritik edhe për KQZ-në në lidhje me certifikimin e Listës Serbe, si dhe për ftesën e Prokurorisë ndaj kryeministrit Kurti.

“Ftesa e Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore është një lëvizje që ka shije të qartë politike. Ky veprim duket se synon ta paraqesë kryeministrin si pjesë të një skene dramatike, duke e pozicionuar atë si një person të dyshuar, që futet në Prokurori, për të krijuar një imazh publik të dëmshëm”, theksoi zvministri për “Bota sot”.

Intervista e plotë:

Gazeta “Bota sot”: Z. Qorrolli, ju së fundi keni zyrtarizuar kandidaturën tuaj për deputet nga Lista ‘Guxo’-LVV. Si erdhët deri te vendimi për të hyrë në këtë garë zgjedhore?

Vigan Qorrolli: Një sfidë e pakapërcyeshme kjo, për mua, pasi që si jurist, profesor universitar dhe zëvendësministër i Drejtësisë, kam ndërtuar një karrierë të spikatur në fushën e drejtësisë dhe politikës. Vendimi për të kandiduar për deputet në Kuvendin e Kosovës përfaqëson një moment të rëndësishëm në këtë rrugëtim. Kjo gjë synon të sjellë ekspertizën time profesionale dhe përkushtimin për reformat ligjore dhe institucionale në një arenë më të gjerë politike.

Rrjedhimisht, kandidatura ime me Lëvizjen VETËVENDOSJE në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ku e mbaj numrin 62 në listë, është një mundësi për të kombinuar përvojën akademike, ekzekutive dhe politike – në shërbim të interesit publik. Dhe kjo do të thotë që nëse zgjidhem, mund të luajë një rol kyç në forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin e politikave progresive në Kosovë.

Eksperiencat e mia të deritanishme do t’i shërbejnë mandatit tim legjislativ në përmirësimin e cilësisë së ligjeve që miratohen në Kuvend. Gjatë këtyre 18 muajve në Ministrinë e Drejtësisë, si zëvendësministër, drejt një hapi fundamental për shoqërinë e Kosovës – atë të reformës në sistemin e drejtësisë, me njohuritë e mia – kam ofruar udhëheqje në hartimin e reformave të nevojshme për të përmirësuar efikasitetin, transparencën dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Poashtu, një angazhim i imi i veçantë i ka takuar edhe luftës kundër korrupsionit dhe garantimit të sundimit të ligjit. Këto janë prioritete, të cilat unë i ndjeki me angazhim dhe prioritet të veçantë.

Duke qenë në Kuvend, si pjesë e LVV pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, e garantojë potencialin për të qenë një nga zërat më të fuqishëm dhe të aftë për reforma progresive në Kuvend, duke u bërë një avokat i ndryshimeve pozitive dhe i fuqizimit të institucioneve demokratike në Kosovë.

Gazeta “Bota sot”: Cila do të jetë strategjia e Lëvizjes Vetëvendosje për të bindur qytetarët të rinovojnë besimin e tyre?

Vigan Qorrolli: Strategjia e Lëvizjes Vetëvendosje do të fokusohet në avancimin e reformave konkrete, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, si një bazë për të rivendosur besimin e qytetarëve. Lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i një sistemi të drejtë e të pavarur mbeten prioritet. Përmes rezultateve të prekshme në drejtësi dhe qeverisje të përgjegjshme, synojmë të tregojmë se besimi i qytetarëve është forca kryesore e ndryshimit dhe zhvillimit të vendit. Poashtu, siç është thënë edhe nga kryeministri Albin Kurti, qeverisja ynë ka lënë gjurmë të reëndësishme në jetën e qytetarëve tanë përmes politikave ekonomike dhe atyre fiskale. Kujtojmë rritjen e pensioneve, shtesat për femijë, nënat lehona dhe një varg instrumentesh të tjerë, të cilat kanë prekur drejtëpërdrejt dhe më pas përmirësuar jetën e qytetarëve tanë.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë do të bëni ndryshe, duke marrë parasysh sfidat e këtij mandati, për të siguruar një rezultat më të mirë zgjedhor?

Vigan Qorrolli: Përballë sfidave të këtij mandati, ne do të veprojmë me forcë dhe vendosmëri për të sjellë ndryshimin e vërtetë që qytetarët meritojnë. Ndërsa opozita vazhdon me premtime të pa mbajtura dhe politika të dështuara, të cilat janë vërtetuar në të kaluarën si të tilla – ne do të ndërmarrim hapa konkretë, në zbatimin e reformave të thella në sistemin e drejtësisë dhe forcimin e mbikëqyrjes për të garantuar një sistem të drejtë për të gjithë. Ne do të alokojmë më shumë fonde për arsimin dhe shëndetësinë, kulturën dhe sportin, rininë dhe teknologjinë, duke siguruar që çdo qytetar të ketë qasje në arsim cilësor, shëndetësi të përballueshme, dhe hapësira të denja për zhvillim kulturor e sportiv. Për të rinjtë, do të krijojmë mundësi të reja për zhvillim profesional dhe angazhim në sektorin e teknologjisë, duke ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për vendin tonë. Lufta kundër korrupsionit do të jetë prioriteti ynë kryesor, duke e bërë drejtësinë të pakapshme për ata që shfrytëzojnë pozitat e tyre për përfitime personale. Rezultatet do të flasin vetë dhe do të jenë përgjigja më e fortë për ata që tentojnë të mbajnë peng zhvillimin e vendit.

Gazeta “Bota sot”: Si i vlerësoni raportet aktuale me partitë opozitare dhe a ka hapësirë për ndonjë bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen?

Vigan Qorrolli: Aktualisht, raportet me partitë opozitare janë të karakterizuara nga polarizimi dhe kundërshtitë e vazhdueshme, për shkak të qëndrimeve të ndryshme dhe interesave të kundërta. Shumë herë, ata janë të fokusuar në bllokimin e iniciativave tona reformuese, duke treguar se interesat e tyre nuk janë në shërbim të qytetarëve, por të ruajtjes së pozitave dhe privilegjeve. Megjithatë, ne nuk kemi nevojë për bashkëpunim në qeverisje, pasi jemi të sigurt se do të fitojmë 50% të votave dhe do ta kemi mandatin për të udhëhequr të vetëm. Sa i takon agjendave që janë në interes të shumicës, ne jemi gjithmonë të hapur për të bashkëpunuar me ata që janë të gatshëm të mbështesin politikat që kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Gazeta “Bota sot”: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha me të cilat është përballur gjatë këtij mandati Ministria e Drejtësisë?

Vigan Qorrolli: Një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur Ministria e Drejtësisë gjatë këtij mandati ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i një sistemi të drejtësisë që është i pavarur dhe funksional. Dështimet e mëparshme në reforma dhe ndikimi i grupeve të fuqishme interesash kanë bërë që përparimi të jetë i ngadalësuar. Po ashtu, kemi pasur vështirësi në koordinimin e institucioneve për implementimin e ndryshimeve ligjore dhe pastrimin e këtyre institucioneve të pavarura nga ndikimet politike. Përkundër këtyre pengesave, kemi arritur të bëjmë hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe në promovimin e një administrate të përgjegjshme.

Një tjetër sfidë ka qenë ngarkesa e shkaktuar nga dërgimi i ligjeve nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shpeshherë shtyrjen e proceseve legjislative dhe krijimin e pasigurisë ligjore. Kjo ka kërkuar shumë angazhim për të garantuar që legjislacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të sigurojë stabilitetin e nevojshëm për zhvillimin e vendit.

Gjithashtu, një pengesë e rëndësishme ka qenë rezistenca ndaj reformave në drejtësi nga ana e disa sektorëve të sistemit të drejtësisë, përfshirë prokurorinë dhe gjyqësorin. Kjo ka ngadalësuar implementimin e ndryshimeve që kërkohen për të ndërtuar një sistem të drejtë, të pavarur dhe efikas. Përkundër këtyre sfidave, ne vazhdojmë të punojmë për të siguruar që reforma në drejtësi të jetë e paevitueshme dhe të jetë në shërbim të qytetarëve.

Gazeta “Bota sot”: Lista Serbe është kthyer pjesërisht në institucione. Së fundi, është duke u zhvilluar të themi një “betejë ligjore” mes LVV dhe Listës Serbe për certifikimin e kësaj të fundit për zgjedhjet e reja parlamnetare. A ka hapësira ligjore për t’ia ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe a ka shpresë që kjo parti të moscertifikohet?

Vigan Qorrolli: Lëvizja Vetëvendosje, si partia kryesore shqiptare në Kosovë, ka kërkuar më shumë transparencë dhe drejtësi në procesin zgjedhor, veçanërisht në atë të certifkimit të subjekteve politike nga KQZ, duke u përpjekur të luftojë ndikimin e grupeve të caktuara në sistemin zgjedhor, përfshirë Listën Serbe.

Ne si subjekt politik, nuk guxojmë të qëndrojmë indiferent sikur nuk ka ndodhur asgjë. Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radojiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra heroi i Kosovës, z. Afrim Bunjaku. Ky fakt qenësor e bën me automatizëm Listën Serbe të padenjë dhe me një platformë të tillë anti Kosovë, ajo nuk do duhej të lejohej që të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Përveç tjerash, kjo listë e ka intimiduar që prej themelimit të saj me marrëveshjen anifamoze të Brukselit të vitit 2013, për “normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tërë popullatën etnike serbe në Kosovë dhe asnjëherë nuk ka lejuar pluralizem politik në mesin e tyre. Po bëhen pothuajse 12 vite që kjo parti poilitike vepron në dem të Kosovës dhe me asnjë veprim asnjëherë në dobi të saj.

KQZ dhe trupat e saj kanë bërë shkelje serioze të ligjit të aplikueshëm zgjedhor sepse kjo Listë është vërtetuar tashmë që është e përfshirë në aktivitete që dëmtojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni ftesën e Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurtit për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore?

Vigan Qorrolli: Ftesa e Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti për të dëshmuar në rastin e rezervave shtetërore është një lëvizje që ka shije të qartë politike. Ky veprim duket se synon ta paraqesë kryeministrin si pjesë të një skene dramatike, duke e pozicionuar atë si një person të dyshuar, që futet në Prokurori, për të krijuar një imazh publik të dëmshëm. Ky është një veprim selektiv, pasi Prokuroria nuk ka vepruar në të njëjtën mënyrë për individë të tjerë të nivelit të lartë, të cilët mund të kenë pasur raste të ngjashme, por që nuk janë ftuar në të njëjtën mënyrë.

Ky veprim mund të shihet si një përpjekje për të minuar autoritetin dhe besueshmërinë e Kryeministrit, duke përdorur sistemin e drejtësisë si një mjet për ta atakuar politikisht. Ftesa është një reflektim i një përpjekjeje të politikës për të përdorur Prokurorinë për qëllime të ngushta politike, dhe është e rëndësishme që kjo çështje të trajtohet me kujdes, duke ruajtur integritetin e procesit ligjor dhe pa lejuar që të përdoret për qëllime të tilla.

Gazeta “Bota sot”: Për fund, çfarë prisni se do të ndodhë me Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pasi dihet që PDK këtë ligj e ka dërguar në Kushtetuese?

Vigan Qorrolli: PDK-ja, me dërgimin e Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, ka për qëllim vetëm bllokimin e këtij ligji të rëndësishëm. Ky ligj paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për ata që kanë pasuri të pajustifikueshme dhe PDK-ja, si parti që ka qenë e përfshirë në skandale të shumta korrupsioni, ka frikë të madhe nga zbatimi i tij. Ky është një veprim i qartë i sabotimit politik, pasi ata e dinë se ky ligj mund të hapë rrugë për hetime dhe konfiskim të pasurisë të individëve që kanë abuzuar me pozitat e tyre. Kjo është një përpjekje për të penguar çdo përparim në luftën kundër korrupsionit dhe për të mbrojtur interesat e ngushta të grupeve të fuqishme, që ndihen të kërcënuara nga ky ligj. Por, ne nuk do të ndalemi dhe ky ligj do fillojë së zbatuari shumë shpejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat