Ismajl Kurteshi po kandidon për herë të pestë për postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës.
Ai është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje. Kurteshi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur për kandidaturën e tij, si dhe për kauzat te cilat do t`i shtyjë përpara në qoftë se bëhet deputet i legjislaturës së ardhshme.
Po ashtu, Kurteshi ka folur për edhe për Qeverinë Kurti 2, duke treguar se pse duhet të votohet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës.
Më tej, Kurteshi ka folur edhe për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
Ai ka thënë se pret që ky ligj më në fund do të aprovohet dhe pasuritë e fituara kundërligjshëm t’i kthehen shtetit.
"Kjo varet nga Gjykata Kushtetuese, por jam i sigurt se nuk mund të zvarritet pafundësisht hyrja në fuqi e këtij ligji të rëndësishëm për Republikën”, është shprehur mes tjerash Kurteshi.
Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit Kurti?
Ismajl Kurteshi: Pakrahasueshëm më të mirë se qeveritë e mëparshme.
Gazeta “Bota sot”: Ju po rikandidoni për deputet. Pse vendosët që t’i riktheheni Kuvendit të Kosovës?
Ismajl Kurteshi: Pas tri viteve punë të suksesshme si këshilltar komunal, gjatë së cilës i kam organizuar 300 takime me qytetarë e i kam takuar rreth 1000 qytetarë, isha pjesë e organizimit të tri tryezave të rrumbullakëta, kontribuova në plotësim ndryshimin e Rregullores për bursa dhe mora pjesë aktive në punën e disa komisioneve, Tani vendosa që edhe një herë t’i kthehem Kuvendit të Republikës, i sigurt, bazuar në përvojën dhe vullnetin tim për punë, por edhe pas sugjerimeve të aktivistëve të Vetëvendosjes, miqve dhe shokëve, se mund të kontribuoj në të mirë të vendit.
Gazeta “Bota sot”: Nëse zgjidheni nga populli si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, cilat do të jenë çështjet apo kauzat që do t`i i shtyni përpara?
Ismajl Kurteshi: Si deputet do të angazhohem në fushat si në vijim:
1. Mirëqenien Sociale – veçmas çështjet që lidhen me të moshuarit dhe për Personat me Aftësi të Kufizuara;
2. Arsim;
3. Pushtetin lokal. etj.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë pritjet tuaja rreth ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e pasurisë së paligjshme që aktualisht është në Kushtetuese, kur parashihni që të fillojë zbatimi i këtij ligji?
Ismajl Kurteshi: Pres që ky ligj më në fund do të aprovohet dhe pasuritë e fituara kundërligjshëm t’i kthehen shtetit. Kjo varet nga Gjykata Kushtetuese, por jam i sigurt se nuk mund të zvarritet pafundësisht hyrja në fuqi e këtij ligji të rëndësishëm për Republikën.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë pritshmërinë tuaja për zgjedhjet e 9 shkurtit?
Ismajl Kurteshi: Fitore e Vetëvendosjes që mundëson formimin e qeverisë pa patur nevojë për koalicione pas-zgjedhore.
Gazeta “Bota sot”: Pse duhet qytetarët e Kosovës ta votojnë Lëvizjen Vetëvendosje, më saktësisht pse duhet të votojnë kandidatin tuaj për kryeministër?
Ismajl Kurteshi: Sepse Qeveria Kurti dy, ka qeverisur pakrahasueshëm më mirë se qeveritë e mëhershme. Kurse Albin Kurti ka dëshmuar se është vizionar, i vendosur, i pa korruptuar dhe i pa kompromis ndaj atyre që me vetëdije ose pavetëdije i dëmtojnë interesat e vendit.
Gazeta “Bota sot”: Shumë çështje të rëndësishme kanë mbetur të papërfunduara si dialogu, asociacioni, çfarë mendoni a do të zgjidhen këto çështje apo do ta shoqërojnë qeverinë e VV-se edhe në katërvjeçarin e ardhshëm?
Ismajl Kurteshi: Shumë çështje të rëndësishme kanë përfunduar ose janë në proces si: Liberalizimi i vizave, kontrolli i Veriut të Kosovës, Investime në fushën e mbrojtjes, të shëndetësisë, politikat e drejta sociale, zhvillimi ekonomik etj. Sa i përket bisedimeve ato varën nga gjendja në terren, kështu që ato do të përfundojnë me një zgjidhje të drejtë e jo ashtu si kërkonte Serbia derisa e kontrollonte Veriun. Për mua më e rëndësishme është të përfundojnë si duhet se të përfundojnë shpejt.