Egzona Tërdevci, kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur në një intervistë për "Bota sot" rreth zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Ajo ka shprehur shpresën se qytetarët, në këtë moment historik, do të konfirmojnë se Vetëvendosje është forca e vetme historike që përfaqëson interesat e popullit.
Duke u shprehur si kryetare e degës së kësaj partie në rajonin e Drenicës, Tërdevci ka treguar mbështetjen që po merr kjo parti në këtë rajon. Sipas saj, drenicasit nuk harrojnë asnjëherë ata që i kanë tradhtuar. Në këtë kontekst, ajo ka përmendur edhe sulmin ndaj Kryeministrit Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore në Skenderaj.
Intervistoi: Havë Orana Xhukolli
“Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Egzona Tërdevci: Zgjedhjet e ardhshme janë një moment historik për Kosovën. Presim që qytetarët të konfirmojnë fuqishëm se Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vetmja forcë politike që përfaqëson interesat e popullit, sovranitetin e shtetit dhe drejtësinë shoqërore. Këto zgjedhje nuk janë vetëm për të zgjedhur deputetët, por për të vendosur nëse Kosova do të vazhdojë përpara me vizionin e qartë të Qeverisë Kurti apo do të kthehet pas te ata që e kanë keqpërdorur shtetin për dekada.
“Bota sot”: Pse qytetarët duhet t’ua besojnë votën juve?
Egzona Tërdevci: Qytetarët do të na besojnë votën sepse Lëvizja VETËVENDOSJE! ka treguar me punë konkrete se është e vetmja forcë që vepron për të mirën e popullit. Nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi kurrë pjesë e lojërave të vjetra politike. Ne jemi forca që mban premtimet dhe që lufton për ta kthyer shtetin te qytetarët, jo te klanet e fuqishme që e kanë plaçkitur për vite të tëra. Ata që për vite të tëra ndanë poste dhe pasuri, po largohen për t’i hapur rrugën drejtësisë dhe përparimit.
“Bota sot”: Sa po përkrahet VETËVENDOSJE! në Drenicë?
Egzona Tërdevci: Drenica është dhe ka qenë gjithmonë zemra e rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Përkrahja për Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Drenicë, e veçmas në Drenas, ku unë e udhëheq Qendrën, është në rritje, sepse njerëzit po kuptojnë se kjo Lëvizje është e vetmja që mbron idealet e tyre dhe amanetin e dëshmorëve. Qytetarët e Drenasit e Drenicës nuk harrojnë se kush i ka tradhtuar dhe kush po punon me guxim për ta mbrojtur shtetin dhe sovranitetin.
“Bota sot”: Në cilën fushë do të jetë kontributi juaj si një deputete e ardhshme?
Egzona Tërdevci: Si deputete e ardhshme, do të fokusohem në ruajtjen dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe në avancimin e politikave që mbështesin familjet, të rinjtë dhe të gjithë ata që kanë qenë të neglizhuar për vite nga partitë e vjetra. Kosova ka nevojë për një qasje të guximshme dhe të vendosur, dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! është forca që e garanton këtë. Kontributi im do të jetë vazhdimësia e punës për ndërtimin e një shteti të fortë dhe të drejtë, pa kompromise, përfaqësimi e puna për të rinjtë dhe gratë dhe nga përvoja e fituar angazhimi për nivelin lokal.
“Bota sot”: Si e vlerësoni ‘sulmin’ ndaj Albin Kurtit në Drenicë?
Egzona Tërdevci: Sulmi ndaj Kryeministrit Albin Kurti nuk ishte një protestë qytetare, por një akt i nxitur nga strukturat e vjetra politike që po humbin terren dhe po ndihen të kërcënuara nga ndryshimi. Këto veprime nuk janë asgjë më shumë se përpjekje për të ndalur një proces që nuk mund të ndalet – procesin e ndërtimit të një Kosove sovrane, të drejtë dhe demokratike. Drenica, në thelb, mbështet fuqimisht Qeverinë Kurti dhe vizionin e tij për Kosovën, dhe kjo përkrahje e vërtetë nuk mund të tronditet nga disa zëra që i përkasin së kaluarës.
“Bota sot”: Kënd e shihni si rivalin tuaj në këto zgjedhje?
Egzona Tërdevci: Ne nuk kemi rivalë që mund të na krahasohen. Lëvizja VETËVENDOSJE! është forca e vetme politike që ka treguar me veprime dhe rezultate se është e përkushtuar ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Të ashtuquajturit rivalë përfaqësojnë status quo-në, korrupsionin dhe dështimet e kaluara. Por qytetarët e kanë kuptuar se nuk mund t’u besojnë më atyre që kanë pasur çdo mundësi për të bërë mirë dhe kanë dështuar. Rivalët tanë nuk janë një alternativë; ata janë një pengesë që qytetarët do ta tejkalojnë më 9 shkurt, prandaj i ftoj që të bashkohemi sa më shumë rreth numrit 118, Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryeministrit Kurti.