Në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’, këshilltarja politike, Fiknete Bejta, ka folur për zgjedhjet e reja që do të mbahen brenda pak ditësh.
Bejta ka folur për koalicionet paszgjedhore që LDK-ja mund të bëjë.
Ajo ka folur edhe për pretendimet e Vetëvendosjes për të fituar 500 mijë vota, duke thënë se Vetëvendosje ka të drejtën të përcaktojë objektivat e saj, por pretendimet e tyre, siç kanë treguar edhe periudhat e kaluara, janë shpesh të paqëndrueshme dhe pa realizim të vërtetë.
Intervistoi: Havë Orana Xhukolli
“Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet e reja?
Fiknete Bejta: Presim një ndryshim të thellë. Një ndryshim në mentalitetin dhe modelin qeverisës, i cili do të reflektojë një qeverisje të përgjegjshme dhe efikase. Kosova ka pësuar pasoja të rënda për shkak të një qeverisjeje të gabuar, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. LDK-ja, me modelin e saj qeverisës, ka si prioritet mirëqenien e qytetarëve dhe forcimin e Kosovës si shtet të fuqishëm dhe të besueshëm për miqtë dhe aleatët e saj, ashtu siç ishte vizioni i Presidentit Rugova. Fushata e këtij viti ka nxjerrë një dëshirë të madhe për ndryshim nga qytetarët, dhe LDK-ja është plotësisht e angazhuar të fitojë dhe të punojë për t’i shërbyer Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Bota sot”: Nëse fitoni besimin e qytetarëve, në cilën fushë do të jetë angazhimi juaj?
Fiknete Bejta: Si deputete e Kuvendit të Kosovës, përgjegjësia ime do të jetë të shërbej interesave të shtetit dhe qytetarëve, duke mbrojtur rendin kushtetues dhe interesat strategjike të Republikës së Kosovës. Ekspertiza ime fokusohet kryesisht në fushat e arsimit dhe ekonomisë, dhe do të kontribuoj aktivisht në këto fusha si në Kuvend ashtu edhe në Qeveri, nëse do të jetë e nevojshme. Një tjetër angazhim i rëndësishëm për mua do të jetë afirmimi i rolit të gruas në shoqëri dhe institucione, si një element kyç për një shoqëri të drejtë dhe të zhvilluar.
“Bota sot”: Nëse LDK-ja fiton zgjedhjet, a keni menduar për ndonjë koalicion paszgjedhor?
Fiknete Bejta: Në këtë moment, LDK-ja është e përqendruar tërësisht në programin dhe angazhimet që ka para qytetarëve. Koalicionet do të shqyrtohen vetëm në rast se do të jetë e domosdoshme pas zgjedhjeve, por është e rëndësishme që çdo marrëveshje paszgjedhore të mbështesë programin qeverisës të LDK-së. Ky program do të jetë i fokusuar në zgjidhjen e problemeve të akumuluara nga qeverisjet e deritanishme dhe do të synojë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë për qytetarët e Kosovës.
“Bota sot”: Vetëvendosje pretendon 500 mijë vota kësaj radhe. Cila është përgjigja juaj për LVV-në?
Fiknete Bejta: Vetëvendosje ka të drejtën të përcaktojë objektivat e saj, por pretendimet e tyre, siç kanë treguar edhe periudhat e kaluara, janë shpesh të paqëndrueshme dhe pa realizim të vërtetë. Ata kanë premtuar shumë, si çerdhe dhe banesa për çiftet e reja, përfundimin e projekteve infrastrukturore brenda periudhave të caktuara, por në fund, asgjë nuk është realizuar. Shpresat që ata kanë krijuar janë shndërruar në një dëshpërim të madh për qytetarët. Pretendimet mbeten vetëm pretendime, pa ndonjë bazë konkrete për realizimin e tyre.
“Bota sot”: Si e vlerësoni fushatën zgjedhore që po bëhet nga partitë politike?
Fiknete Bejta: Nuk kam arritur të shoh shumë se si po bëjnë fushata partitë tjera. Megjithatë, fushata zgjedhore e LDK-së është shumë mirëpritur nga qytetarët dhe ka qenë një shembull i gjuhës së përmbajtur dhe të përgjegjshme. Fushata jonë ka qenë e fokusuar në alternativat konkrete dhe profesionale për problemet që shqetësojnë shoqërinë. Gjuha e Kryeministrit të ardhshëm, Lumir Abdixhiku, është një gjuhë e progresit, e shpresës dhe e respektit për qytetarët. Ndryshe nga fushatat e partive të tjera, që shpesh përdorin retorikë të ndarjes dhe frikës, LDK-ja ka ofruar një platformë konstruktive dhe bashkëpunuese për një të ardhme më të mirë të Kosovës.