Ish- deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për deputet nga radhët e kësaj partie, Nait Hasani, thotë se Kuvendit i ka munguar zëri politik, rezistenca dhe ligjet në të mirën e qytetarëve.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Hasani thotë se angazhimet e Partisë Demokratike kanë qenë të pamjaftueshme pas shkuarjes në Hagë të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit dhe ta rikthejë atë frymë ai po kandidaton përsëri si deputet.
Hasani shpreh optimizëm për ardhjen e Trumpit në pushtet dhe dialogun Kosovë- Serbi, gjersa shton se drafti i asociacionit i cili bie ndesh me kushtetutën e Kosovës duhet të ndryshohet dhe të mos lejohet një pushtet i tretë.
“Niveli i pushtetit të tretë domethënë ndarje e shtetit dhe ndarja e shtetit është e rrezikshme dhe kjo nuk do të lejohet dhe kjo do të arrihet vetëm me miqtë ndërkombëtarë dhe me shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Hasani në një intervistë për “Bota sot”.
Ish- deputeti në intervistë flet edhe për mekanizmin mbikëqyrës për Dhomat e Specializuara, mekanizëm ky i përmendur nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjersa shton se PDK duhet të ketë vija të kuqe pas zgjedhjeve.
Intervista e plotë:
Bota sot: Zotëri Hasani po riktheheni të kërkoni përsëri votën e qytetarëve pas një “pauze” dhe pas shkarkimit si ambasador i Shqipërisë. Çfarë i ka munguar Kuvendit gjatë kësaj periudhe dhe çfarë synoni ju t’ia risillni?
Nait Hasani: Angazhimet e Partisë Demokratike kanë qenë të pamjaftueshme, në Kuvendin e Kosovës ka qenë një pasivitet, një rënie, një amulli, një ndjenjë pasigurie, një punë zbehje sidomos pas shkuarjes në Hagë të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, duke e parë që ajo frymë ka rënë dhe pas lirimit nga misioni diplomatik në Shqipëri, shkarkimit nga kryeministri, ministrja e jashtme dhe presidentja, ishte një motiv tjetër që pas pauzës 3 vjeçare, me zgjedhje të angazhohem edhe një herë që ta kthejmë frymën që ka qenë e ndërtimit, e zhvillimit dhe e ngritjes më të mirë të mirëqenies për qytetarët.
Në Kuvend ka munguar zëri politik, ka munguar rezistenca, ka munguar miratimi i ligjeve në të mirën e qytetarëve. Për t’ia dhënë një frymë kuvendit, një zë dhe një mbrojtje të vlerave të luftës, për t’i dhënë zë vlerave të luftës si zyrtar do ta ngrisim zërin dhe do të kërkojmë që ata atje nuk janë individual, por është si president i vendit, është si autoritet i luftës dhe në këtë vend të shkatërruar gjykohet vetëm UÇK-ja, ndërsa kemi diskriminim pikërisht me ligjin ku nuk trajtohen krimet në Kosovë, prandaj si zë në Kuvendin do të kërkojmë si Gjykatë të jetë për të gjitha krimet e përgjithshme që kanë ndodhur në Kosovë dhe për të prezantuar se ata atje janë të pafajshëm, atje akuzohen me akuza që kanë ardhur si shpifje nga Serbia, kinse kanë bërë krime. Kur është bërë raporti i Dick Martit ka qenë për trafikim organesh dhe ndjenja ka qenë që ne jemi të pafajshëm dhe pafajësia jonë do të dëshmohet dhe për atë ka qenë kërkesë që ta pastrojmë veten, për atë është miratuar dhe pastaj kur është ngarkuar me raportin e Wiliamsonit ka qenë gjëja më e tmerrshme që mund të ndodh.
Bota sot: Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e konsideron të paprecedent faktin se Gjykata Speciale nuk i jep llogari asnjë institucioni në Kosovë. Ajo thotë se patjetër vendi ynë duhet ta krijojë një mekanizëm mbikëqyrës ndërkombëtarë apo vendor për Dhomat e Specializuara, veçanërisht në aspektin e të drejtave të personave të akuzuar. Si e komentoni këtë dhe kush do të duhej ta formonte këtë mekanizëm?
Nait Hasani: Ne kemi kërkuar që Qeveria e Kosovës të merr përgjegjësi për mbrojtje për qytetarë e shtetasit e saj, pavarësisht kush është atje, ndërsa në këtë rast ai është president i vendit dhe gjersa është president, shteti duhet të merr përgjegjësi për mbrojtje, për kujdes, për kushte. Atje nuk ka as një element që është gjykatë e Kosovës, ata kanë krijuar mekanizmat e vet, kanë krijuar institucionet e veta, kanë krijuar kushtetutën, rregulloret, avokatin e popullit, vetëm një gjë është dhe ajo është themelimi nga Kuvendi i Kosovës, asnjë shenjë tjetër nuk është e Kosovës, por ata gjykojnë në emër të Kosovës dhe kjo është e turpshme. Ministres vonë i ka dalë gjumi për këtë, është dashur më herët, është dashur të reagojë, të shkojë nëpër vizita, t’i shkruajë letër PE-së, KE-së, ministrave të drejtësisë dhe të thotë se këto janë shkeljet që po bëhen. Atje nuk po gjykohet Hashimi, po gjykohet autoriteti i luftës, po gjykohet presidenti i vendit, gjykimi i tij është gjykimi i luftës, duke e mbrojtur atë e mbron luftën. Ata kanë dhënë deklarata që po paguajnë avokatë, por për ta mbrojtur vlerën e Kosovës, asnjë çmim nuk është i mjaftueshëm.
Bota sot: E përmende Gjykatën Speciale, dëshmorët e ata që kanë dhënë gjak për lirinë. A po e përdor PDK luftën, dëshmorët, të bëmat para luftës për fushatë edhe kaq vite pas përfundimit të saj?
Nait Hasani: PDK nuk po i përdor veteranët për kauzën e saj për zgjedhje, përkundrazi, PDK-ja e përdor zhvillimin ekonomik, ndihmat sociale, mirëqenia e qytetarëve. Kauza jonë i ka katër pika: shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën dhe ekonominë. Natyrisht, edhe veteranët e dala nga lufta dhe pensionistët janë pjesë e kauzës tonë. Shëndetësia ka pasoja, ka pasoja për barna esenciale, do të mundohemi që barnat të jenë pa pagesë, te arsimi kemi degradim, kemi degradim të institucioneve të arsimit, nuk ka kabinete të mjaftueshme arsimore, ka mungesë të nxënësve, nuk ka korrikula të mjaftueshme, ka dëmtim në arsim, ka imponime në arsim, shkarkime dhe largime në të, nuk ka ma keq sesa ta degradojë mësuesin. Drejtësia po ashtu ka parregullësi, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka infrastrukturë, tani në zgjedhje ka filluar të ndërtohet rruga për në Pejë, asnjë zhvillim nuk ka pasur. Kanë ardhur në qeveri me një kauzë se e gjitha do të ndryshojë, do të zhvillojnë, kanë ardhur me premtime e me fytyra engjëllore dhe nuk kanë realizuar asgjë. Kanë kërkuar bashkim kombëtar, nuk e kanë bërë se nuk kanë ditur çfarë thonë, pastaj kanë djegur institucionet, kanë humbur mostrat e Astrit Deharit, u vra Afrim Bunjaku, ata i kanë lënë terroristët të lirë, në asnjë vend të botës nuk lihen të lirë terroristët, kur lihet të lirë nënkupton që ua jep mundësinë të bëjnë përsëri akt terrorist, terroristët vritet, arrestohen, nuk lihen të lirë.
Bota sot: Ju kritikuat qeverinë për rastin në Banjskë. Por, kryeministri Albin Kurti, veriun e konsideron sukses të punës së tij qeverisëse. Cili është komenti juaj?
Nait Hasani: Të gjitha qeveritë kanë punuar në veri dhe kanë punuar në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë, ata që na kanë ndihmuar në çlirimin e vendit, ata kanë kërkuar që të ecim hap pas hapi. Secili e di që pas luftës ka krim të organizuar dhe vazhdimisht është kërkuar që krimi të zvogëlohet, por kjo nuk arrihet brenda natës, në hapësirë kohore. Raporti me Serbinë nuk është zgjidhur, veriu ka qenë oazë që e kanë lënë ndërkombëtarët pikërisht për këtë çështje dhe pa miqtë ndërkombëtarë nuk mund ta zgjidhim këtë. Pse nuk kanë pasur dëshirë Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Agim Çeku, Bajram Kosumi, Bajram Rexhepi e Ramush Haradinaj ta zgjidhin këtë çështje? Normalisht që po, por kanë qenë miqtë ndërkombëtarë që kanë kërkuar që me mekanizmat e paqes ta zgjidhim këtë çështje, ne kemi pasur nevojë t’i integrojmë serbët, jo t’i bëjmë armiq, serbët e Kosovës duhet t’i integrojmë, t’i fusim brenda institucioneve. Kemi kryetarë shqiptarë që janë zgjedhur me shumicë të vogël votash, por tani në zgjedhjet e 9 shkurtit përsëri është Lista serbe që do të jetë kuvend, në tetor kur mbahen zgjedhjet përsëri do të zgjidhen serbët atje dhe çfarë është bërë atje, vetëm janë humbur tri vjet dhe tri tjera stagnim, domethënë 6 vjet. Veriu nuk është sukses i tyre, se e kanë dëmtuar vendin për 6 vjet, nuk ka investime, kanë humbur vitet për integrim, miqtë na kanë vendosur sanksione dhe për çfarë, për tabela, për mbylljen e bankës, i kanë zhdukur strukturat paralele, po çfarë struktura paralele i keni zhdukur, nesër ku do t’i merr ata policë, janë të njëjta struktura, janë të njëjtë prokurorë, të njëjtët gjyqtarë, të njëjtët njerëz, ne vetëm i kemi humbur kohën me mentalitetin që ne mund ta vendosim sovranitetin, sovranitetin e ka Kosova, edhe në bazë të rezolutës 1244 sovranitetin e ka KFOR-i, na kanë akuzuar se është bërë një marrëveshje në mes të forcave të NATO-së, KFOR-it që të mos shkohet në veri, por cila është arsyeja që në 2023 Albin Kurti nënshkruan të njëjtën marrëveshje, nuk qenka kjo tradhti e ajo tjetra tradhti qenka, nuk ka të bëjë kjo me tradhti, por të shikohen gjërat në tavolinë, nuk ka nevojë kur je në opozitë të gjuajë me gurë, e në pozitë t’i përbijë. E ka pranuar autonominë, me marrëveshjen e Ohrit është pranuar autonomia, iu ka dhënë serbëve e drejta e autonomisë, ju ka dhënë monitorimi me Bashkimin Evropian, iu ka dhënë ankesa te Bashkimi Evropian, kjo domethënë ndarje e Kosovës në dy etnitete.
Bota sot: Cili është plani i PDK-së për zgjidhjen e ngërçit në dialog si dhe çështjes së ascoacionit?
Nait Hasani: Kanë ndryshuar rrethanat politike. Ndryshimet politike në Amerikë, ardhja e Trumpit në Amerikë, besoj do të ndikojë në ngritjen e procesit, besoj se do të jetë një angazhim më i mirë. Mendoj se çështja e asociacionit, e vetmja mundësi është dialogu dhe ulja në tavolinë, për t’i parë rrethanat politike të cilat janë ata që duhet të mbrohen si shtet unitar, që nuk do të ketë ashtu siç është deklaruar edhe Gjykata Kushtetuese në 2015 në atë draftin e tyre për asociacionin se 23 pikat janë në kundërshtim me kushtetutën, ai draft duhet të ndryshohet dhe të jetë një mundësi më e mirë si një zgjedhje e asociacionit për mbrojtjen e komuniteteve dhe nuk do të ketë asnjë mundësi të ketë edhe nivelin e pushtetit të tretë. Niveli i pushtetit të tretë domethënë ndarje e shtetit dhe ndarja e shtetit është e rrezikshme dhe kjo nuk do të lejohet dhe kjo do të arrihet vetëm me miqtë ndërkombëtarë dhe me shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa qeveria jonë ka prishur marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë, atëherë kjo gjë nuk është mirë dhe qeveria vetëm me Bedri Hamzën mund të arrijë të mos lejojë pushtetin e tretë.
Bota sot: Për kë ka vija të kuqe Partia Demokratike e Kosovës?
Nait Hasani: Për mua Partia Demokratike e Kosovës duhet të ketë vija të kuqe, votën time nuk e ka në Kuvendin e Kosovës vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje në koalicion. Prandaj, nëse tentohet të bëhet koalicion në Kuvend me Lëvizjen Vetëvendosje, vota ime është kundër edhe nëse Bedri Hamza nuk bëhet kryeministër, këtë ia kam deklaruar edhe kryetarit të partisë, edhe në publik e nëpër studio televizive, sepse nuk mund ta bëjë atë fyerje që i është bërë në Kuvend, nuk mund ta bëjë atë dhunën që i është bërë në kuvend, atë dhunën dhe që nuk i ka mbrojtur vlerat e luftës, nuk ka qenë në gjendje t’ia bëjë një vizitë në Dhoma të Specializuara atyre që e kanë zhvilluar shteti.