Kasami: Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, në duar të sigurta me koalicionin “Vlen” në qeverisje

Intervista

Kasami: Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, në duar të sigurta me koalicionin “Vlen” në qeverisje

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 23:25
Bilall Kasami

Kryetari i Lëvizjes Besa të koalicionit "Vlen" në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasami hodhi poshtë kritikat e opozitës shqiptare në vend se nuk po bën sa ç’duhet për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, duke thënë se tani këto të drejta janë në duar të sigurta dhe se ato kanë ngecur mbrapa ndër vite për shkak të BDI-së.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Kasami tha se si koalicioni “Vlen” edhe VMRO-DPNE, duan që të plotësojnë kushtet për avancimin e vendit drejt BE-së por shprehu shqetësimin se nëse Bullgaria vazhdon të paraqesë kërkesa të tjera, kjo do të pengonte për aspiratat e vendit. Zoti Kasami që është edhe kryetar i Komunës së Tetovës, tha se po bën gjithçka për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

 Opozita shqiptare akuzon partitë e pushtetit, në veçanti koalicionin ‘Vlen’ me parti shqiptare se nuk ka bërë sa ç’duhet për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Si përgjigjeni juve?

Bilall Kasami: Një parti që për 20 vite ka qëndruar në qeveri dhe nuk lëvizi përpara çështjen shqiptare, sigurisht nuk ka të drejtë të akuzojë partitë që sapo kanë ardhur në qeveri dhe po bëjnë shumë veprime, të cilat po e përmirësojnë atë që BDI me partnerët e saj nuk e realizoi për 20 vite. Tani më ata nga ajo periudhë e qeverisjes së tyre më shumë e kanë hallin e tyre dhe të njerëzve të tyre, të cilët janë në ‘listën e zezë’ të Amerikës, sesa fatin e shqiptarëve, sepse kanë pasur kohë 20 vite për të sistematizuar të drejtat e shqiptarëve në kushtetutë dhe në ligj dhe atë nuk e bënë, sepse për 20 vite punuan që të pasurohen; që familjarët e tyre t’i bëjnë milionërë. Prandaj, ne vlerësojmë se të drejtat e shqiptarëve tanimë janë në duar të sigurta dhe çështja shqiptare në Maqedoni të Veriut do të ecë përpara.

Këto kritika mbështeten edhe në fakte konkrete si për shembull fakti që u shfuqizua mekanizmi i njohur si “balancues” ndërsa nuk ka një zgjidhje si zëvendësim; që Gjykata Kushtetuese pritet të rishikojë nene të Ligjit për gjuhët...

Bilall Kasami: Të gjitha janë pasojë e një qeverisjeje të gabuar të BDI-së për 20 vite. Balancuesi ka qenë një mekanizëm anti-ligjor dhe në momente të caktuara vetë BDI e ka konstatuar si një mekanizëm të tejkaluar. Vetë ministrat e saj që kanë qenë në qeveri kanë dhënë pëlqim që të zëvendësohet ky mekanizëm. Në anën tjetër, ne si koalicion “Vlen” jemi zotuar në zgjedhjet e fundit që këtë mekanizëm do ta zëvendësojmë me një ligj të veçantë dhe tanimë është në përpunim e sipër dhe së shpejti do të dalë versioni i parë i propozimit të ligjit për përfaqësim adekuat, që është një normë kushtetuese dhe le që nuk degradon, por garantojmë që kjo çështje do të mbyllet një herë e përgjithmonë me ligj dhe punësimi i shqiptarëve do të jetë i garantuar konform kushtetutës. Sa i përket Ligjit për gjuhën shqipe garantojmë se nuk do të ketë degardim të të drejtave të shqiptarëve, sa i takon përdorimit të gjuhës shqipe edhepse ne vlerësojmë se me këtë ligj nuk është zyrtarizuar plotësisht gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut. Duhet shumë ligje të tjera të harmonizohen me Ligjin për gjuhën shqipe, që gjuha shqipe të jetë në përdorim zyrtar në shumë institucione: gjykata, noterë dhe shërbimet tjera të administratës, të cilat nuk e përdorin gjuhën shqipe, edhepse në Ligjin për përdorimin e gjuhëve është e përcaktuar që gjuha shqipe të jetë gjuhë e dytë zyrtare edhe në këto institucione.

A jeni ju si koalicion i partive shqiptare në një vijë me VMRO-DPMNE-në, e cila herë kërkon një lloj reciprociteti me Bullgarinë, përsa i takon të drejtave të pakicave dhe herë të tjera ngul këmbë që ndryshimet kushtetuese të zbatohen atëherë kur Maqedonia e Veriut të pranohet si anëtare e Bashkimit Evropian?

Bilall Kasami: Problemi me Bullgarinë është pak më kompleks, për shkak të kontestimeve identitare të Bullgarisë ndaj popullit maqedonas. Këtu çështja është nëse kjo është kërkesa e fundit e Bullgarisë, prandaj qeveria aktuale, më konkretisht VMRO-DPMNE kërkon një partner me të cilin do të bashkëbisedojmë për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Nëse kemi një partner të fuqishëm me të cilin bisedojmë se cilat janë hapat drejt integrimit të plotë në BE ne vlerësojmë që ndryshimi i kushtetutës dhe futja e komunitetit bullgar në kushtetutë është çështje e pranueshme dhe e kryer. Por, nëse kjo është një hap dhe vazhdon Bullgaria me kërkesa, me hapjen e problemeve të tjera për të cilat ne e dimë që mund të hapen, atëherë kjo nënkupton që edhe pse do të bëhet ndryshimi i kushtetutës me futjen e bullgarëve në të, nuk do të zgjidhet problemi dhe nuk do të avancojë vendi drejt BE-së.

Si do të reagonit ju në një skenar të tillë?

Bilall Kasami: Ne kërkojmë gjithashtu që të kemi një partner të fuqishëm edhe në Bruskel edhe në Sofje për të bashkëbiseduar për të ardhmen evropiane të Maqedonisë. As për VMRO-në e as për koalicionin ‘Vlen’ nuk është e diskutueshme çështja se Maqedonia duhet të jetë sa më parë anëtare e BE-së. Ne po flasim për pengesa që na dalin rrugës. Dhe ne kërkojmë që sa më shpejtë të kemi një partner me të cilin të largojmë të gjitha këto pengesa. Sigurisht që qeveria është e interesuar dhe është proaktive në këtë drejtim për gjetjen e një zgjidhjeje me të cilën Maqedonia do t’i bashkohet shumë shpejtë Shqipërisë dhe besojmë që në vitin 2030 të jemi bashkë anëtare në BE.

Ndonëse është herët për zgjedhjet lokale, a keni pasur bisedime me VMRO-në nëse do të dilni bashkë në këto zgjedhje ose jo?

Bilall Kasami: Ne jemi pjesë e koalicionit qeveritar dhe në të kaluarën kemi pasur komunikim dhe bashkëpunim si parti opozitare dhe tani kemi bashkëpunim në kuadër të qeverisë. Zgjedhjet lokale janë pak më specifike, sepse nuk mund të flasim për një bashkëpunim formal me VMRO-në, sepse kemi komuna ku konkurrojmë me VMRO-në. Kemi komuna, siç është Kërçova, Bërvenica ku beteja do të bëhet për një kryetar shqiptar apo maqedonas. Këtu e kemi më të vështirë për të bashkëpunuar, por kemi komuna si Tetova, Çairi, Gostivari ku dihet se fituesi del shqiptar dhe komuniteti maqedonas është pakicë, dhe aty edhe në të kaluarën maqedonasit kanë përkrahur një kanadidat shqiptar. Sa i përket listave për anëtarë të Këshillave komunalë ne konkurrojmë veçmas dhe secila parti kërkon vota për listën e vetë për këshilltarë )komunalë). Kështu që, nuk mund të themi se do të kemi një koalicion, por sigurisht si parti të qeverisë do të kemi bashkëpunim.

Çfarë po ndodh me projektin e rrugës Pizren – Tetovë? A ka gatishmëri të plotë tek pala maqedonase për realizimin e punimeve?

Bilall Kasami: Studimi i fizibilitetit për rrugën Tetovë - Prizren është që nga viti 2010. BDI-ja nuk e lëvizi këtë projekt për 15 vjet dhe u desht që unë të vij në krye të komunës së Tetovës dhe t’i ‘povokoj’ me atë që unë ndërtova një rrugë 7 kilometra deri afër kufit me Kosovën dhe bashkë me kryeministrin (Albin) Kurti të promovojmë këtë si një alternativë të rrugës Tetovë – Prizren, në mënyrë që pastaj qeveria e BDI-së të aktivizohet dhe të bëjë disa marrëveshje e veprime. Sot ky projekt është me prioritet edhe për qeverinë e Maqedonisë edhe për atë të Kosovë. Veçmë është formuar grupi i punës për shpalljen e tenderit për projektimin e tunelit, që është pjesa më e rëndësishme dhe kryesore e gjithë këtij projekti. Kosova ka nisur punimet në aksin që do të vijë deri te hyrja e tunelit. Në Maqedoni nga Tetova deri në hyrje të tunelit veçmë ekziston traseja. Ne duhet të bëjmë zgjerimin e rrugës, kështu që tani më kjo rrugë është në projekt të qeverisë dhe jo vetëm një premtim i harruar i qeverisë paraprake.

 Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori së fundmi një kredi prej 500 milionë eurosh nga Hungaria. A është caktuar shuma që do të përfitojë Komuna e Tetovës nga kjo kredi?

Bilall Kasami: Patjetër. Është një ndër projektet më të rëndësishme të kësaj qeverie apo atyre të kaluara, duke pasur parasysh faktin që pushteti lokal nuk është i prërkrahur në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha shpenzimet janë për pagat dhe shpenzime të përditshme. Nuk kas pasur shumë mundësi zhvillimore. Për herë të parë komunat kanë buriume të sigurta të financimit të projekteve kapitale. Komuna Tetovës më 2024 ka marrë rreth 4 milion euro, me çka janë projektuar dhe do të ndërtohen rrugë, shkolla dhe projekte të rëndësishme të infrastukturës së qytetit. Më 2025 komuna e Tetovës pret të realizojë projekte mbi 11 milionë euro nga këto mjete të qeverisë. Pra, është një ndër projektet që unë e përshëndes dhe besoj të vazhdoj edhe më tutje.

Propozimi juaj për emërtimin apo riemërtimin e rrugëve në komunën e Tetovës ka ngjallur debate. A do të bëhet kjo gjë me konsensus?

Bilall Kasami: Ne kemi hyrë guximshëm në ndërtimin e Tetovës, jo vetëm në infrastrukturë por edhe në modernizimn e saj. Tetova ka qenë ndër qytetet e rralla që vetëm rreth 30 përqind të pjesës urbane i ka pasur me rrugë zyrtare (adresa); pjesa tjetër ka qenë me numra e pa numra dhe në një kaos të vërtetë. Sot më njoftuan nga komuna se Komisioni për emërtimin e rrugëve ka mbajtur mbledhje dhe është shpallur thirrja publike që qytetarët të mund të bëjnë propozime nga dita e hënë. Ë shtë një proces gjithpërfshirës; për të gjitha partitë, si shqptare e maqedonase dhe për qytetarët dhe besoj që në fund të këtij procesi Tetova dhe çdo tetovar do të ketë rrugë me emër dhe me numër të shtëpisë dhe të vendbanimit të tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat