Vota e diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri përbën një moment historik, thotë drejtoresha e Rrjetit të Grave për Barazi në Vendimmarrje, Edlira Çepani. Por, ajo theksoi se procesi duhet garantuar që të shkojë mirë deri në fund.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës ajo nënvizoi se të gjithë elementët që lidhen me regjistrimin e votës së diasporës janë tejet të rëndësishme për të garantuar që “vota të shkojë aty ku duhet dhe në mënyrën e duhur”. Në këtë kuadër, sipas saj, duhet marrë një vendim i peshuar mirë nga partitë politike sa i përket mundësisë për të lejuar ose jo që të votojnë emigrantët që nuk disponojnë një dokument identifikimi shqiptar, por një dokument të huaj.
Ndër të tjera zonja Çepani tha se vota e diasporës duhet të shihet jo vetëm si votë, por si një mundësi për një kulturë të re politike dhe për të forcuar llogaridhënien e partive dhe autoriteteve përballë qytetarëve.
Zonja Çepani, për zgjedhjet e 11 majit për herë të parë do të votojë edhe diaspora, shqiptarët kudo që jetojnë nga vendet ku jetojnë, një çështje për të cilën ju jeni angazhuar prej një kohe shumë të gjatë, prandaj doja t’iu pyes: Çfarë do të thotë për ju ky moment? Si e shini ju votën e diasporës?
Edlira Çepani: Unë mendoj se është një arritje e madhe, që shqiptarët e diasporës jo vetëm të kenë një zë një vendimmarrjen politike në Shqipëri, por në fakt do të doja shumë që kjo të mos trajtohet vetëm si një votë, por të trajtohet si një mundësi, që të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, të sjellin një kulturë tjetër në politikën shqiptare, jo vetëm përmes votës, por edhe përmes kërkesës së llogarisë, kërkesës së më shumë programeve të partive politike nëpër fushata, të cilat fatkeqësisht ne nuk i shohim shpesh, kërkesës së llogarisë edhe si votues, pra një kulturë politike të cilën e kanë marrë në vendet ku jetojnë. Nga ana tjetër pres të sjellin edhe një angazhim më shumë në realitetin shqiptar jo vetëm si votues, pse jo edhe si kandidat, pse jo edhe si njerëz, të cilët duan t’i mbajnë lidhejt me vendin e tyre. Prandaj është një arritje më shumë se sa një votë e vetme, por është një arritje që i mban shqiptarët të lidhur me vendin e tyre, dhe ne kemi treguar që Shqipëria ka shumë nevojë për diasporën dhe gjërat më të mira që kanë ndodhur në Shqipëri kanë ardhur gjithmonë nga diaspora. Kështu që kjo është një arritje historike do të thoja, dhe është shumë ë rëndësishme për të gjithë ne.
A ka interes nga diaspora për t’u bërë pjesë e këtij procesi, dhe a mendoni se shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë informuar sa duhet për sa i përket gjithë procesit deri në momentin kur do të shprehin vullnetin e tyre?
Edlira Çepani: Për pjesën teknike, mendoj se po bëhet një punë e mirë për informimin mbi të gjithë procedurën, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ndjek. Procedura teknike mendoj se po kryhet në mënyrën e duhur. Mendoj se ka interes. Nëse e shihni, ka dhjetëra mijëra shqiptarë që u regjistruan qysh ditët e para për të votuar. Mendoj se procesi do të vazhdoj i rregullut deri në fund, ndonëse është një proces që bëhet për herë të parë, dhe ne nuk e dimë se si do të shkojë, ndaj uroj që të vazhdojë mirë deri në fund. Nga ana tjetër, uroj që interesi të jetë edhe më i madh dhe ne do të vazhdojmë ta monitorojmë deri në minutën e fundit, që gjithçka të shkojë në mënyrën e duhur. Është një proces që nuk sjell vetëm një votë, por është një proces, që do të sjellë një mundësi ndryshe dhe një kontribut ndryshe në politikën shqiptare nga votues, të cilët kanë një përvoja nga më të ndryshmet në vende të ndryshme të botës, kudo ku jan shqiptarët.
A mendoni se ndërlikimet e ndryshme që lidhen me procesin e regjistrimit dhe hapa të tjerë mund ta dekurajojnë diasporën që të bëhet pjesë e zgjedhjeve?
Edlira Çepani: Unë kam qenë një nga njerëzit që kam shkruar një pjesë të ligjit për sa i përket votës së diasporës. Janë ndërlikime të nevojshme do të thoja, sepse çështja është tek identiteti, tek siguria e votës, të cilat duhen ndjekur në mënyrën e duhur, që vota të shkojë aty ku duhet dhe në mënyrën e duhur. Janë burokraci, që duhen ndjekur. Po e monitorojmë procesin, edhe punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë organizmat, të cilat po merren me këtë gjë, për ta çuar këtë proces në mënyrën e duhur përpara. Unë mendoj që do të shkojë mirë. Kjo është arritje, e cila duhej bërë, i kishte ardhur koha dhe shpresoj e uroj që në vitet në vijim të jetë edhe një kulturë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Ju përmendët çështjen e identifikimit dhe përplasja më e fundit politike në Shqipëri lidhet me faktin nëse duhet lejuar votimi i emigrantëve që nuk kanë një dokument identifikimi të Shqipërisë, por një dokument identifikimi nga vendi që jetojnë. Partia Demokratike thotë që kjo është një e drejtë kushtetuese, ndërsa Partia Socialiste thotë se kjo është një gjë, që mund t’u hapë udhë abuzimeve. Cili është mendimi juaj?
Edlira Çepani: Ka një problematikë, që lidhet me distancat e mëdha dhe për faktin që është një proces, që bëhet për herë të parë. Ka problematika teknike të këtij lloji. Mendoj se palët duhet të ulen dhe të bien dakord për ato teknikalitete, që garantojnë pjesën e identifikimit sa më të mirë dhe pjesën e vendndodhjes sa më të mirë të personave, që jetojnë jashtë. Kishte një ide për t’u dhënë të drejtën e votës edhe atyre që jetojnë në një hotel, apo që nuk kishin një adresë etj. Meqenëse është hera e parë, mendoj që duhet bërë në një mënyrë shumë kritike dhe të detajuar, që të mos krijojmë më pas probleme teknike, që na sjellin problematika të tjera. Mendoj se janë gjëra, për të cilat palët duhet të bien dakord, ashtu si ranë dakord për votën e diasporës, gjë që thuhej se nuk do të arrihej, por u arrit.
Zonja Çepani! Ju jeni përfshirë në advokimin e votës së diasporës përmes Lëvizjes Shqipëria Bëhet, për çka keni qenë në studion tonë në intervistën e fundit. A vazhdon angazhimi juaj politik?
Edlira Çepani: Së bashku me grupime të tjera, të cilat kishin kohë që advokonin për votën e diasporës, unë për këtë isha vitin e kaluar në këtë studio, duke advokuar për këtë proces, për të cilën na thuhej nga të gjitha palët, që është i pamundur, nuk do të ndodhë, se nuk do të ndodhë asnjëherë në Shqipëri, madje patëm edhe krerët e shtetit dhe partive që thoshin se jo, nuk bëhet, dhe ja ku jemi sot; është bërë dhe ne po diskutojmë teknikalitetet. Ajo që ndodh shpesh në Shqipëri, është që ne mendojmë që asgjë nuk ndryshon, se nuk mund të arrihen gjërat, por kemi treguar që me këmbëngulje dhe me mënyrën se si ne i duam gjërat, ato kauza që duam realisht mund t’i arrijmë kur bëhen gjithë bashkë, grupime të ndryshme, që punojnë nga anë të ndryshme. Ja ku jemi sot dhe ndodhi.
Një pyetje të fundit; një mendim tuaj lidhur me vendimmarrjen e fundit të administratës së re për të ndërprerë përkohësisht fondet për vendet e tjera, një vendim që prek edhe vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Çfarë ndikimi ka patur tek shoqëria civile?
Edlira Çepani: Rrjeti që unë drejtoj, Rrjeti për Barazi në Vendimmarrje, me 50 për qind me vajza e gra nga parti politike të majta dhe 50 për qind nga parti politike të djathta, i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, me të cilin ne kemi mundësi, që të sjellim kontribute të tilla si vota e diasporës, si angazhimi i grave në politikë, si kuotat, duke punuar me të gjitha partitë politike të reja apo tradicionale, është një rrjet që është krijuar nga Amerika, nga NDI nga NED, është mbështetur nga IRI, nga institucionet amerikane, nga Departamenti i Shtetit. Për ne ka qenë një mbështetje kritike për të arritur këtu ku kemi arritur, dhe mendoj se përtej të gjitha vendimmarrjeve që merren nga një shtet i caktuar në një moment të caktuar, lidhja që Shqipëria dhe Kosova kanë me Amerikën duhet të jetë fokusi i të gjitha politikave dhe i të gjithë marrëdhënieve që ne bëjmë dhe kemi në afatgjatë. Patjetër që do të ketë një ndikim, dhe mendoj se do të ketë edhe një rrugëdalje, e cila do ta vazhdojë marrëdhënien, ndoshta në mënyra të ndryshme, por edhe me marrëdhënie më të forta, sepse Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet më proamerikane në rajon dhe mendoj se kjo duhet të vazhdojë në këtë mënyrë dhe mbështetja duhet të jetë në këtë mënyrë.