Garoi me koalicionin ‘Lista për Familje’, Ferid Agani flet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit – parashikon krizë institucionale

Intervista

Garoi me koalicionin ‘Lista për Familje’, Ferid Agani flet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit – parashikon krizë institucionale

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 19 shkurt 2025 Në ora: 10:13
Ferid Agani

Në një intervistë për “Bota sot”, ka folur kandaidati për deputet nga Koalicioni Lista për Familjen, Ferid Agani.

Sa i përket numërimit të votave ai thotë se në rast të mosprezencës së Koalicionit për Familje në Kuvendin e Kosovës do të ishte indikator se qytetarët e vendit ende nuk janë mjaftueshëm koshient për rrezikun nga agjendat prezente anti-familje.

Tutje, Agani thotë se, në rast të mosarritjes së statusit parlamentar mund të veçoj konstituimin dhe fillimin shumë të vonë të aktiviteteve zgjedhore nga ana e Koalicionit.

Derisa, për Vetëvendosjen e cila prin deri tani, thotë se ka qenë e pritshme, por që e sheh brengosëse sjelljen e saj të vetmjaftueshmërisë politike në rrethanat tejet komplekse vendore dhe ndërkombëtare.

Intervsita e plotë:

“Bota sot”: Z.Agani, ende nuk është përfunduar numërimi i votave për të pas një rezultat final, por a prisni të jeni pjesë e Kuvendit?

Ferid Agani: Do të kisha preferuar që në këtë pyetje të përgjigjem pas çertifikimit të rezultateve nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) ndonëse rezultatet preliminare sugjerojnë se kjo nuk do të jetë e rastit. Mosprezenca e Koalicionit për Familje në Kuvendin e Kosovës do të ishte indikator se qytetarët e vendit ende nuk janë mjaftueshëm koshient për rrezikun nga agjendat prezente anti-familje në diskursin publik deri te ai qeveritar, si dhe që ende nuk janë kah e kuptojnë rëndësin e vazhdimit të reformës së ndërprerë shëndetësore në vend në vitin 2015.

“Bota sot”: Keni pasur tubime të mëdha në disa vende, pse mendoni se ju keni këtë rezultat?

Ferid Agani: Personalisht mendoj se ka shumë paqartësi rreth këtij rezultati veçanërisht në rrethanat aktuale të rënjes, sa të palejueshme aq të çuditshme, të sistemit elektronik të KQZ në momentet më kritike të procesit zgjedhot, dhe faktit që koalicioni ynë ka pas numër ekstrem të vogël të komisionerëve zyrtar dukeqenëse nuk ishim subjekt politik parlamentar. Nga faktorët e tjerë relevant në rast të mosarritjes së statusit parlamentar mund të veçoj konstituimin dhe fillimin shumë të vonë të aktiviteteve zgjedhore nga ana e Koalicionit.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje prin në këto zgjedhje, si e keni parë ju?

Ferid Agani: Konsideroj se ky rezultat ka qenë i pritur dhe reflekton bindjen e rreth 40 % të qytetarëve që kanë dalë në votime se duhet vazhduar me qeverisje që ka ardhë në pushtet në vitin 2021 në bazë të sentimentit antiestablishment të deriatëhershëm. Rënja prej rreth 10% e partisë në pushtet ka qenë e pritur nga njohësit e fushës. Brengos sjellja e saj e vetmjaftueshmërisë politike në rrethanat tejet komplekse vendore dhe ndërkombëtare.

“Bota sot”: Tash duhet të formohet edhe qeveria, shihni një koalicion apo ndryshim opozitë me pozitë?

Ferid Agani: Për të dhënë përgjigje meritore në këtë pyetje domosdoshmërisht duhet pritur çertifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Por pavarësisht nga ky fakt jam i bindur se Kosovën e pret periudha një-vjeçare e krizës politike dhe jostabilitetit qeveritar. Personalisht mendoj se partia fituese do të prolongoj krizën qeveritare deri në vjeshtë kur do të mundohet t’i shtyen proceset kah zgjedhjet e njëkohshme parlamentare dhe lokale në vend, me qëllim të shmangies së rezultatit të dobët në zgjedhjet komunale siç ndodhi në zgjedhjet e kaluara.

“Bota sot”: Si e keni parë qeverisjen 4-vjeçare të Kurtit, a mendoni se ka nevojë Kosova për ndryshim apo…?

Ferid Agani: Vlerësoj se pritjet kanë qenë shumë më të mëdha. Arritjet pozitive në fushën e sigurisë në veriun e vendit për fat të keq janë shoqëruar me: agjendë shkatërrimtare qeveritare për promovimin e legjislacionit kundër të drejtave të fëmijëve dhe kundër familjes; dëmtim serioz të marëdhënieve me partnerët strategjik; dhe për mua shumë me rëndësi moszbatimin e legjislacionit reformues shëndetësor që është në fuqi nga fundi i mandatit tim si ministër i shëndetësisë në vitin 2014. Ndryshimi është i domosdoshëm, dhe ai duhet të vjen me ardhjen në skenën parlamentare të vendit të Koalicionit për Familje me programin e tij substancial reformues, si dhe shkallën shumë më të lartë të bashkëpunimit ndërpartiak ndërmjet subjekteve politike, parlamentare dhe jashtëparlamentare, në vend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat