Lufta Rusi-Ukrainë, deputeti ukrainas flet për zhvillimet e fundit – nuk përjashton takimin Trump-Putin!

Intervista

Lufta Rusi-Ukrainë, deputeti ukrainas flet për zhvillimet e fundit – nuk përjashton takimin Trump-Putin!

ARIFE MORINA Nga ARIFE MORINA Më 23 shkurt 2025 Në ora: 17:32
Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko

Deputeti i Parlamentit të Ukrainës Oleksiy Goncharenko në një intervistë ekskluzive për “Bota sot” ka folur në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, si dhe zhvillimet e fundit që po ndodhin në shtetin e tij.

Deputeti komentoi bisedimet mes Rusisë dhe SHBA-së, ku presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky refuzoi të marrë pjesë.

Sipas tij, ajo që u pa në bisedimet në Arabi Saudite, ishin një përpjekje për të përshkruar marrëveshjet e mundshme, por pa ndonjë specifikë konkrete. Në këtë pikë, beson se ka gjasa të arrihet një takim mes Trump dhe Putin.

Po ashtu, Goncharenko shprehu shqetësimet e tij në lidhje me zhvillimet e fundit.

Ndër të tjera, komentoi edhe lidhjet Rusi-Serbi dhe kërcënimet që i vijnë Kosovës dhe rajonit të Ballkanit nga këto dy shtete.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Gocharenko si është situata aktuale në Ukrainë?

Oleksiy Goncharenko: Situata në Ukrainë mbetet jashtëzakonisht e vështirë. Lufta vazhdon dhe Rusia nuk ndalet. Por Forcat e Armatosura të Ukrainës po mbajnë mbrojtjen.

Gazeta “Bota sot”: Si i keni parë bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në Arabinë Saudite, ku Trump ka kritikuara Zelenskyn për mospjesëmarrje në këto bisedime?

Oleksiy Goncharenko: Marrëveshjet përfundimtare në Arabinë Saudite pa Ukrainën nuk do jenë kurrë një rezultat realist. Ajo që po shohim tani është një përpjekje për të përshkruar marrëveshjet e mundshme, por pa ndonjë specifikë konkrete. Por të gjithë duhet të kuptojnë se Ukraina po përpiqet për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, jo vetëm një armëpushim të përkohshëm që mund të lejojë Rusinë të rigrupohet dhe të sulmojë përsëri.

Gazeta “Bota sot”: Po ashtu, është diskutuara për një takim eventual mes Trump dhe Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sa besoni se një gjë e tillë mund të ndodhë?

Oleksiy Goncharenko: Një takim mes Putinit dhe Trump është i mundur, siç mund të konstatojmë nga deklaratat e presidentit amerikan. Por ne duhet të kuptojmë se nuk do të ketë marrëveshje reale pa Ukrainën.

Gazeta “Bota sot”: Duke parë këto zhvillime gjeopolitike, a po i bëhet padrejtësi shtetit ukrainas dhe sa ka mbështetje nga Bashkimi Evropian?

Oleksiy Goncharenko: Unë gjithashtu nuk jam i shqetësuar për vetë faktin e takimit, por me palën ukrainase që paraprakisht ka përcaktuar vijat e kuqe të Ukrainës në negociatat e mundshme. Gjegjësisht: 1. Asnjë reduktim i ushtrisë. 2. Asnjë ndalim i prodhimit të armëve. 3. Nuk ka kufizime ekonomike. 4. Nuk ka kufizime për sovranitetin. 5. Asnjë njohje e territoreve të pushtuara si ruse. Nuk mund t'i kthejmë tani, por janë tonat dhe do të vijë dita që do t'i kthejmë. 6. Konfiskimi i aseteve të ngrira ruse në favorin tonë

Gazeta “Bota sot”: Gocharenko, ashtu si Ukraina edhe Kosova po po shpreson t’i bashkohet NATO dhe BE, në mënyrë që të ketë garancitë e nevojshme, e kërcënuar nga fqinjët agresive, pas luftës ruse në Ukrainë. Ai shihni ngjashmëri mes dy rasteve? Dhe a mendoni ju se NATO dhe Europa do t’ia hapin dyert dy vendeve…?

Oleksiy Goncharenko: Ka ngjashmëri të qarta mes Ukrainës dhe Kosovës. Ne të dy luftojmë kundër fqinjëve agresivë dhe e kuptojmë rëndësinë e anëtarësimit në NATO dhe BE. Sa i përket NATO-s dhe BE-së, si Ukraina ashtu edhe Kosova duhen mirëpritur, pasi siguria e tyre ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e Evropës.

Gazeta “Bota sot”: Serbia po bëhet gjithmonë e më e afërt me Rusinë dhe Kosova ndihet e kërcënuar nga Serbia. Mendoni se Rusia mund të ketë interes në shkaktimin një lufte këtu në Ballkan?

Oleksiy Goncharenko: Absolutisht. Rusia ka një interes të madh në krijimin e destabilitetit në Ballkan. Serbia, duke parë se çfarë po bën Rusia në Ukrainë, mund të përdorë edhe veprime agresive. Fatkeqësisht, vitet e ardhshme mund të jenë të mbushura me konflikte dhe Ballkani mund të mos jetë përjashtim. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta marrë seriozisht këtë kërcënim dhe të veprojë në mënyrë proaktive për të parandaluar një luftë të madhe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat