Shqiptari i parë deputet në Bernë, Korab Rashiti flet për angazhimin politik dhe prespektivën për të ardhmen

Intervista

Shqiptari i parë deputet në Bernë, Korab Rashiti flet për angazhimin politik dhe prespektivën për të ardhmen

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 25 shkurt 2025 Në ora: 14:06
Korab Rashiti

Deputeti i Kantionit të Bernës, Korab Rashiti, në një intervistë për “Bota Sot” ka treguar për veprimtarinë e tij në politikën zvicerane. Ai flet për raportet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe për punën që bën politika e Kosovës në këtë drejtim.

Rashiti vlerëson edhe politikën që bëhet në Kosovë dhe zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai ka disa këshilla për politikanët e Kosovës dhe, ndër të tjera, shpjegon pse deri më tani nuk është bërë pjesë e politikës në Kosovë.

Mirëpo, ai tregon se ka në plan të sjellë një parti të re që mund të bëhet një urë lidhëse ndërmjet shqiptarëve të diasporës dhe atyre të Kosovës.

Deputeti Rashiti, po ashtu, ka disa këshilla për të rinjtë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër.

“Bota sot”: Jeni ndër shqiptarët e parë që jeni zgjedhur si deputet në Parlamentin e Kantonit të Bernës. Si ndiheni për këtë fakt?

Image
Korab Rashiti

Korab Rashiti: Së pari, dua t’i falënderoj redaksinë e Bota Sot për vëmendjen që ma kanë dhanë. Është e vërtetë që jam shqiptaro-zvicerani i parë që jam zgjedhë deputet në Parlamentin e Kantonit të Bernës. Në fillim, kur i kam nisë hapat e mi të parë në parlament, nuk e kam kuptu sa i madh ka qenë ky moment. Por me kalimin e kohës, e kam pa që kjo është një përvojë e jashtëzakonshme që ma ka mundësu me fitu një njohuri të thellë për funksionimin e demokracisë në Zvicër. Si anëtar i komisionit për çështje të jashtme dhe çështje politike, kam arritë me kriju një rrjet lidhjesh që shtrihet përtej Kantonit të Bernës. Një gjë është e sigurt: e kam shkrua emrin tim në historinë e Parlamentit të Bernës, veçanërisht duke pas rrënjë nga Kosova. Në një farë mënyre, ndihem krenar që po e nderoj edhe komunitetin e madh shqiptar këtu, edhepse zgjedhja ime nuk ka ardhë prej mbështetjes së shqiptaro-zviceranëve të Kantonit të Bernës.

“Bota sot”: Sa e ndjekni politikën që bëhet në Kosovë? Cili është vlerësimi juaj?

Korab Rashiti: Në të kaluarën, politikën në Kosovë e kam ndjekë shumë pak. Por gjatë 8 muajve të fundit, i kam kushtu një analizë të madhe, jo veç personalisht, por edhe bashkë me grupe të mendimit dhe institute liberale, sidomos për çështjet ekonomike të politikës në Kosovë. Politikën në Kosovë e shoh si një demokraci të re që, në formë, funksionon mirë, edhepse KQZ-ja po tregon disa shenja shqetësuese. Megjithatë, Kosova duhet me ndërtu një demokraci me përmbajtje të vërtetë. Me fjalë të tjera, nëse e krahasoj sundimin e ligjit liberal të Zvicrës me atë të Kosovës, ka ende shumë rrugë për me bë përpara, dhe kjo do të vijë përmes reformave të domosdoshme. Për shembull, qarqet zgjedhore për zgjedhje duhet me u nda në 7 rajone, sepse në një sistem parlamentar, deputetët duhet me përfaqësu fillimisht interesat e popullsisë lokale. Pastaj, kryetarët e partive nuk duhet me qenë njëherësh edhe në qeveri, sepse interesat e qeverisjes për të gjithë dhe orientimi politik i partisë nuk përputhen. Qeveria qeverisë për krejt, kurse partia shtyn linjën e vet politike. Gjithashtu, listat e hapura – ku qytetarët në rajonet e tyre munden me zgjedhë 15 kandidatë sipas dëshirës, pavarësisht partisë – do të mundeshin me kriju një përfaqësim më të mirë, me qetësu atmosferën politike dhe me i dhanë fund klaneve politike. Politika në Kosovë tash është shumë “nga lart-poshtë”, kurse në një republikë si Kosova, ajo duhet me qenë “nga poshtë-lart”. Politika duhet me iu përgjigj shqetësimeve të drejtpërdrejta të problemeve të popullsisë, e jo me u mbyllë brenda një nomenklature të partive. Përveç kësaj, për mua ka edhe një dimension historik: Babai im ka qenë shumë i angazhuar për Kosovën, dhe kur isha i vogël e i ri, kam përthithë shumë nga ky angazhim. Jam edhe një dashnor i historisë dhe kam studiu shumë, sidomos nga këndvështrimi ekonomik, ish-Jugosllavinë, për me kuptu disa fenomene të së kaluares dhe për me pa ma qartë të ardhmen e rajonit.

“Bota sot”: Kosova sapo ka mbajtur zgjedhjet e reja dhe rezultatet tashmë janë publikuar, ndonëse jo zyrtarisht. A e keni pritur këtë rezultat?

Korab Rashiti: Po, e kam pritë këtë rezultat, por jam jashtëzakonisht i zhgënjyer me fushatën zgjedhore. Në Kosovë, VV-ja dhe Albin Kurti i kanë refuzu debatet televizive me opozitën, që votuesit me pas mundësi me i pa propozimet e secilit. Kjo situatë, sipas meje, është jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse demokracia mundet me ekzistu vetëm nëse ka debate dhe përballje idesh, dhe qytetarët me vendosë me mendje të hapun. Personalisht, nuk jam çuditur nga kjo – madje, pak para zgjedhjeve, kam bërë një thirrje që televizioni publik, RTK-ja, me organizu debate. Por, fatkeqësisht, kjo nuk është ndjekë dhe RTK-ja nuk e ka përmbushë misionin e saj kryesor, që është me qenë platformë për debate zgjedhore. Gjithashtu, kam vërejtë që baza elektorale në Kosovë është e ngurtë dhe ka shumë pak mundësi për ndryshime të mëdha. E vetmja bazë për ndryshim në të ardhmen janë rreth 20% e elektoratit të VV-së, që munden me ndryshu me kalimin e kohës.

“Bota sot”: Sa keni bashkëpunim me deputetë shqiptarë nga Kosova?

Korab Rashiti: Nuk kam asnjë bashkëpunim me deputetët shqiptarë nga Kosova. Siç e kam përmend më lartë, gjatë 8 muajve të fundit kam bërë një vëzhgim të hollësishëm të sistemit politik dhe funksionimit të tij, dhe prej deputetëve të Kosovës kam mësuar disa gjëra. Së pari, në faqen e internetit të Parlamentit të Kosovës nuk mundesh me ditë cili deputet ka propozu cilën mocion apo amendament – kjo është problem në demokraci, sepse nuk e dinë çka po bajnë realisht deputetët. Së dyti, kam vërejtë që deputetët në Kosovë nuk dalin fare jashtë vijës apo ideve të diktueme nga partitë politike, veçanërisht te VV-ja. Së treti, u kam dhanë 2-3 ide ose propozime drejtpërdrejt, të bazueme në atë çka bëhet këtu në Zvicër për çështje legjislative, por nuk kam pas asnjë reagim. Dëshira për bashkëpunim duket se nuk ekziston shumë te deputetët në Kosovë, për arsye të ndryshme – qoftë sepse nuk munden me vepru lirisht kundër partisë, qoftë thjesht prej dembelisë.

“Bota sot”: A keni menduar ndonjëherë të jeni pjesë e politikës në Kosovë?

Korab Rashiti: Kjo është nji pyetje me vend, por realiteti është që partitë politike aktuale në Kosovë janë të mbylluna në vetvete dhe drejtohen nga grupe shumë të ngushta mes vete. Në terma akademikë, oligarkia përkufizohet pikërisht kështu – grupe të vogla që kontrollojnë pushtetin shtetëror. Në Kosovë, kjo mishërohet te kryetarët e partive dhe rrethi i tyre i ngushtë politik. Duke e pa këtë, e kam kuptu shpejt që, në kushtet e tanishme, angazhimi im atje do të ishte humbje kohe. Por, m’ka lindë një ide tjetër: me kriju një parti të regjistrueme në Kosovë, që fokusohet në mbrojtjen e interesave të diasporës. Kjo do të sillte një qasje të re dhe pozitive për politikën kosovare. Diaspora, veçanërisht në Zvicër ku jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë, ka një peshë të madhe – qoftë në planin e pronave, qoftë në atë të bizneseve. Një aleancë me partitë e djathta në Zvicër do të ofronte një mundësi unike: një rrjet të organizuar komunë pas komune, që kjo parti e ri mundet me shfrytëzu për me u lidhë me diasporën në mënyrë edhe ma efektive. Partitë e djathta, që dominojnë shumicën e kantoneve dhe nivelin federal historikisht – ndryshe nga socialistët që kurrë nuk kanë qeverisë këtu – mund të krijojn një urë të fortë mes Kosovës dhe komunitetit shqiptar këtu, duke e bërë këtë parti një forcë të rëndësishme elektorale. Unë besoj që një parti Liberale Klasike është e domosdoshme për të ardhmen e Kosovës. Tani jam duke e studiu me kujdes faisabilitetin e kësaj ideje, me synimin fillestar që partia me arritë mes 5 % dhe 8 % të votave. Kjo është plotësisht e realizueshme në peizazhin politik të Kosovës brenda 4 vjetëve, sidomos kur merr parasysh zhgënjimet e vazhdueshme me partitë aktuale dhe politikat e tyre. Një iniciativë e tillë do të ishte një frymë e re dhe një mundësi për me ristabilizu interesat e Kosovës në një mënyrë më të fortë dhe më të strukturume, me ide dhe qasje të reja, të mbështetura nga persona me kualifikime të larta ndërkombëtare në fushat e tyre përkatëse. Por, kjo parti e ri nuk do të jetë një “përzierje e çdo gjëje” – linja do të jetë qartësisht liberale, me një thellësi idesh të qarta dhe të prera, të bazueme në një bazë ideologjike solide. Kjo është pikërisht çka i mungon Kosovës për zhvillimin e saj të sigurt, ekonomik dhe shoqëror. Mjaft me politika populiste! Mendoj që politika në Kosovë duhet me u ba me realitetin në mendje: një vend i vogël me 1.7 milionë banorë dhe me një PBB prej 4400 euro për kokë banori, çka e bën vendin ma të varfër në Evropë. Kosova duhet me zhvillu politika të brendshme unike për me nxjerrë përparësi në skenën ndërkombëtare në aspektin ekonomik, e jo me u shtu si një shtet që ka 700 vjet ekzistencë dhe ku PBB-ja për banor arrinë 88 mijë euro për kokë. Kosova ka nevojë për një qasje realiste dhe të guximshme për me dalë nga kjo gjendje.

“Bota sot”: Sa është e gatshme Zvicra të përkrahë dhe mbështetë Kosovën në politikën ndërkombëtare?

Korab Rashiti: Së pari, duhet me qartësu që nuk është Zvicra si shtet që vepron, por personat që janë në krye të saj – dhe ky dallim është shumë i rëndësishëm me u mbajtë parasysh. Në Zvicër jetojnë rreth 300 mijë kosovarë, dhe çdo parti politike këtu e di mirë këtë dhe e kupton që ky elektorat do të jetë vendimtar në të ardhmen. Pikërisht për këtë arsye, unë jam angazhu gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë. Qeveria e udhëhequn nga Albin Kurti është vetizolu dhe ka lidhë marrëdhënie veç me një parti këtu – Partinë Sozialiste. Mirëpo, siç e kam shpjeguar ma herët, në shumicën dërrmuese të kantoneve dhe në nivel federal, socialistët kanë shumë pak pushtet ekzekutiv. Kjo krijon një pengesë të madhe për ndërtimin e lidhjeve të forta mes Zvicrës dhe Kosovës, sepse qeveria që sapo i përfundoi 4 vjet nuk ka pasë kurrë dialog informal me komitetet e partive kryesore që e mbajnë pushtetin prej kohësh në Zvicër. Partia ime, SVP/UDC-ja, që përfaqëson rreth 30 % të popullsisë këtu, jo veç që nuk ka pasë kurrë një afrim – çka unë e shoh si një mungesë të rëndë – por, përmes Partisë Sozialiste dhe aktivistëve të VV-së, janë kriju edhe tensione që mendoj se janë tejet të rrezikshme. Personalisht, kam provu disa herë me ia thanë këtë ambasadorit këtu, se jam i gatshëm me organizu një takim mes partive të djathta dhe figurave të rëndësishme me ministren e punëve të jashtme dhe të diasporës së Kosovës, por kjo nismë kurrë nuk ka lëvizë. Më shqetësuese është që të njëjtit aktivistë socialistë, që janë edhe aktivistë të VV-së, protestojnë kur ndonjë udhëheqës serb takon një gazetar dhe ish-anëtar të SVP-së, por në të njëjtën kohë janë të parët që duan me i ndërpre çdo lidhje që na ofrohet për me dominu skenën politike në Zvicër dhe me pas marrëdhënie miqësore me çdo parti. Këto 4 vjet të fundit kanë qenë një katastrofë në këtë drejtim. Unë po provoj përmes rrjetit tim të brendshëm këtu me mbajtë gjallë disa lidhje dhe me punu për një bashkëpunim ma të mirë në të ardhmen. Por, mendoj se ka mangësi të mëdha në diplomaci dhe në kuptimin e jetës politike në Zvicër nga ana e autoriteteve të Prishtinës. Kjo duhet me ndryshu shpejt dhe rrënjësisht, që të mos i izolojë shqiptarët e Kosovës, por edhe ata të Zvicrës, në një parti të vetme – Partinë Sozialiste. Kjo ghettoizim politik është një rrezik që i dëmton si marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, ashtu edhe pozitën e komunitetit shqiptar këtu.

“Bota sot”: Cili do të jetë pikësynimi juaj në rrugëtimin si deputet në Parlamentin e Kantonit të Bernës?

Korab Rashiti: Tash më ka mbetë edhe një vit në Parlamentin e Kantonit të Bernës. Brenda disa muajve do të vendos nëse do të vazhdoj apo jo. Është me rëndësi me theksu që politika në Zvicër funksionon si sistem milicie – ne paguhemi veç kur jemi të pranishëm, jo si në Kosovë ku politika është punë me kohë të plotë. Jeta ime profesionale më merr shumë kohë dhe kombinimi i saj me politikën është sfidë e madhe, prandaj, me thanë të drejtën, ende nuk e kam të qartë vendimin. Megjithatë, kam studiu një pistë shumë serioze për të ardhmen. Me rrjetin e gjerë politik dhe ekonomik që kam ndërtu në Zvicër, po e shoh veten në një formë tjetër angazhimi – si konsulent në Zvicër për qeveritë e Ballkanit Perëndimor për çështje të politikës së brendshme, në tema të caktueme dhe specifike, siç është ndikimi politik dhe ekonomik. Besoj se ky shërbim mund të jetë shumë i dobishëm, sepse ambasadorët shpesh nuk e kanë kohën apo mundësinë me i kuptu nga brenda dinamikat e politikës zvicerane. Ky rrjet dhe kjo njohuri mund të jenë një urë e fortë për rajonin. Për momentin, çdo gjë mbetet e hapun, por ky drejtim po më duket gjithnjë e më interesant.

“Bota sot”: Sa janë të integruar të rinjtë shqiptarë në politikën zvicerane dhe cili është roli i tyre?

Korab Rashiti: Angazhimi politik i të rinjve shqiptaro-zviceranë mbetet i kufizuem dhe është shumë i përqendruem te Partia Sozialiste. Kjo vjen kryesisht për arsye kulturore dhe për shkak të mungesës së njohurive të thella për vlerat e partive të tjera në Zvicër. Unë i bëj thirrje të rinjve shqiptarë në Zvicër me u angazhu politikisht – qoftë në nivel lokal, kantonal, e pse jo edhe federal ma vonë – por, mbi të gjitha, me qenë të larmishëm në çdo parti politike, sipas vlerave të tyre personale, e jo me u udhëheqë nga anë emocionale. Ata duhet me qenë persona që sjellin një vlerë të vërtetë për shoqërinë këtu, me ide të bazueme në logjikë dhe sens të shëndoshë, që i shërbejnë si komunitetit, ashtu edhe vendit ku jetojnë. Besoj se diversiteti i angazhimit të tyre politik mund të forcojë jo veç pozitën e shqiptarëve në Zvicër, por edhe ndikimin e tyre në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të balancueme. Kjo kërkon guxim dhe një qasje më të hapur ndaj mundësive që ofron sistemi politik zviceran. Dhe për ata që e kanë lexu këtë artikull, mos harroni: unë jam zgjedhë deputet nga SVP-ja në nivel të Kantonit të Bernës nga votuesit zviceranë të SVP-së, e jo nga shqiptarët këtu. Mësoni me dalë nga dogmat se disa parti nuk i duan shqiptarët – ky është një mendim i gabuem, dhe shembulli im e dëshmon qartë që kjo nuk është e vërtetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat