Në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe punën që po e bënë në komunën e Drenasit, në një intervistë për “Bota sot” foli kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Si fillim, ai foli për projektet dhe sfidat në Drenas, derisa tha se Asambleja Komunale ka treguar unitet në momentet kur ishte interesi i qytetarëve ishte çështje kryesore, me përjashtim të ndonjë ngecje.
Gjithashtu, Lladrovci komentoi edhe zgjedhjet e 9 shkurtit dhe procesin se në tërësi, ku potencoi se është i lumtur që është në krye të komunës dhe partisë e cila nuk kishte asnjë dënim gjatë fushatës zgjedhore.
Po ashtu, ai nënvizoi se dukuritë e keqpërdorimit të votave nuk janë fenomen në Drenas.
Tutje, Lladrovci rezultatin e PDK-së e cilësoi si të suksesshëm, derisa foli edhe për procesin e formimit të qeverisë.
Në këtë pikë, mendon se “detyrë, obligim dhe përgjegjësi për krijimin e Qeverisë e ka Vetëvendosja si parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Madje, do të ishte mirë që edhe partitë opozitare, jo vetëm Nisma t’ia japin votën Qeverisë Kurti 3 në situatën e krijuar dhe ajo të fillojë të merret me Marrëveshjen e Ohrit dhe Brukselit si dhe zbatimin e zotimeve elektorale. Sjellja e Kurtit pas rezultatit të arritur, nuk lë përshtypje se i bëhet vonë për krijimin e Qeverisë dhe kjo është për brengosje. Gjendja globale nuk është shpresëdhënëse për ata që vonohen apo i kuptojnë vonë proceset”.
Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Lladrovci si është gjendja në komunën e Drenasit, sa keni arritur t’i realizoni projektet e parapara që nga rimarrja e mandatit?
Ramiz Lladrovci: Projektet e planifikuara të cilat varen nga komuna, në përgjithësi janë realizuar, mund të krenohemi me rrugë të shtruara, ndriçimin, trotuaret, urat, kanalizimin, parkingjet, infrastrukturën në shkolla, përmirësimi i kushteve në shëndetësi, ndërtimi i Sheshit “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, rritja e kapacitetit të furnizimit me ujë dhe projekte të tjera. Sfidë gjatë këtyre viteve ka qenë zbatimi i kontratës kolektive ku është bërë ekzekutimi i pagesave për vendimet përmbarimore për kontratën kolektive për Arsim dhe Shëndetësi, gjatë vitit 2024 janë marrë buxhet nga projektet kapitale me vlerë 1,879,133.20 euro, buxhet që prek projektet në vijim: Zgjerimi dhe ndërtimi i sheshit "Fehmi e Xhevë Lladrovci", ndërtimi i kolektorëve për grumbullimin e ujërave të zeza, ndërtimi, zgjerimi dhe rekonstruktimi i rrjetit të kanalizimit, ndërtimi i shtëpisë për komunitete shërbime komunale për persona me nevoja të veçanta, sinjalizimi vertikal dhe horizontal i rrugëve dhe vendbanimeve, asfaltimi i rrugës Llapushnik-Berishë, ndërtimi rrugës transit Drenas - Kroni i Mbretit, Vendosja e sistemit të adresave, ndërtimi i këndit të lojërave në Çikatovë të Re, vetura për vizitat mjekësore shtëpiake, fushat sportive e rekreacion në Arllat dhe Llapushnik, renovimin e stadiumit sintetik, digjitalizimi i shkollave, sistemi i ujitjes për parkun e qytetit, asfaltimi i rrugëve dhe kubëzimi në Drenas, 1, 2, 3 dhe 4, etj. etj.
Gazeta “Bota sot”: Duke marrë parasysh se ju vini nga një subjekt politik që ka qenë deri tani në opozitë, sa keni marrë mbështetje nga partia që ishte në pushtet, (LVV)në realizimin e projekteve?
Ramiz Lladrovci: Me keqardhje, projektet e filluara edhe nga qeveritë e kaluara, kanë vonesa edhe projektet e filluara nga kjo qeveri, siç është rruga me katër korsi Gllobar-Komoran, vonesa për vlerësimin e pronës për Ujëmbledhësin e Vërbocit, vonesa e fillimit të Stadiumit nacional i paraparë me strategjinë afatmesme të sportit, etj.
Gazeta “Bota sot”: A ka bashkëpunim në kuvendin komunal të Drenasit mes jush dhe partive opozitare?
Ramiz Lladrovci: Po, Asambleja ka treguar unitet në momentet kur ishte interesi i qytetarëve ishte çështje kryesore, me ndonjë ngecje. Ngecje e theksuar ka qenë dhënia në shfrytëzim e pronave për bizneset vendore e ndërkombëtare, por, në përgjithësi, bashkëpunimi ka qenë në nivel..
Gazeta “Bota sot”: Krahas kësaj, vendi po përballet me situata të ndryshme politike, si e keni parë procesin zgjedhor të 9 shkurtit dhe gjithë raportimet për manipulime dhe keqpërdorime të votave?
Ramiz Lladrovci: Jam krenar se jam në krye të komunës dhe partisë e cila nuk kishte asnjë dënim gjatë fushatës zgjedhore. Fushata është zhvilluar në mënyrë të shkëlqyer, pa ankesa apo dukuri që hasen në komunat tjera. Përgëzoj qytetarët për disiplinën e dëshmuar, kulturën politike dhe demokracinë. Zgjedhjet i vlerësoj si të shkëlqyera në komunën e Drenasit dhe konsideroj se mund të jenë shembull për fushatë dhe për rezultatin e zgjedhjeve. Në Komunën e Drenasit nuk kishte keqpërdorim të votave dhe kjo më bën të lumtur.
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni rezultatin zgjedhor të PDK-së, a mendoni se i është afruar synimeve që keni pasur si subjekt? Si partia e dytë më e votuar a jeni të gatshëm të merrni përsipër ta formoni qeverinë nëse LVV nuk arrin ta bëj këtë? Nëse po, a keni vija të kuqe për ndonjë subjekt politik?
Ramiz Lladrovci: Për nivelin qendror nuk do të deklarohem, por, konsideroj se PDK ka realizuar synimin e saj, kthimin në votën stabile të cilën e kishte nga themelimi. Mendoj se kaq ishte fuqia politike e PDK-së në terren, pas ngjarjeve që goditën subjektin shtet formues e shtet ndërtues, duhet marrë në konsideratë ky sukses i PDK-së dhe Bedri Hamzës si kandidat.
Gazeta “Bota sot”: Si i komentoni vonesat për formimin e qeverisë së re? Po ashtu, është përfolur për mundësinë e një koalicioni mes LVV-së dhe Nismës, pasi Fatmir Limaj ka shprehur publikisht gatishmërinë për të bashkëpunuar me partinë e Kurtit, si e komentoni këtë?
Ramiz Lladrovci: Unë mendoj se detyrë, obligim dhe përgjegjësi për krijimin e Qeverisë e ka Vetëvendosja si parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Madje, do të ishte mirë që edhe partitë opozitare, jo vetëm Nisma t’ia japin votën Qeverisë Kurti 3 në situatën e krijuar dhe ajo të fillojë të merret me Marrëveshjen e Ohrit dhe Brukselit si dhe zbatimin e zotimeve elektorale. Sjellja e Kurtit pas rezultatit të arritur, nuk lë përshtypje se i bëhet vonë për krijimin e Qeverisë dhe kjo është për brengosje. Gjendja globale nuk është shpresëdhënëse për ata që vonohen apo i kuptojnë vonë proceset.
Gazeta “Bota sot”: Marrë parasysh se dialogu është një nga temat më të përfolura në nivel qendror, sa besoni se do arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë?
Ramiz Lladrovci: Nuk pres që Serbia mund të pranojë aq lehtë diçka që e ka prolonguar më shumë se dy dekada. Ëndrrat shekullore të Serbisë për pushtimin e Kosovës nuk zbehen aq lehtë apo të pritet të heqin dorë nga prirjet okupatore, por, ne jemi këtu. Marrëveshja finale mendoj se mund të arrihet në rrethana kur raportet globale ndryshojnë në favor të aleatit tonë kryesor duke i parë në dritën e zhvillimeve të hovit të ri të Presidentit Trump.
Gazeta “Bota sot”: Gjithashtu, ish-udhëheqësit e PDK-së dhe UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli gjenden në Hagë. Si e komentoi procesin gjyqësor deri më tani, a është zvarritur tej mase ky proces?
Ramiz Lladrovci: Procesi është i rëndë, me sfida dhe me shumë vonesa. Aty nuk mendoj se po gjykohen vetëm drejtuesit e UÇK-së, akuzat janë të rënda. Gjyqi është krijuar nga Parlamenti i Kosovës dhe nuk kam pritur se mund të zhvillohet me lëshime të mëdha sa i takon zgjatjes së procesit dhe transparencës. Pres të triumfojë drejtësia dhe të gjithë të lirohen të pafajshëm.