Oferta e zhurmshme prej 44 miliardë dollarësh e Elon Musk-ut për të blerë kompaninë e medias sociale Twitter po shkon në prag të dështimit, pasi shefi ekzekutiv i Tesla-s i dërgoi një letër bordit të kompanisë Twitter, ku kërkonte të hiqte dorë nga blerja.
Ai rendiste si arsye dështimin nga ana e Twitter-it për t’i dhënë informacion të mjaftueshëm mbi numrin e llogarive false në këtë platformë.
Twitter u përgjigj menjëherë, duke thënë se do të padiste zotin Musk në mënyrë që ai t'i përmbahej kushteve të marrëveshjes.
Kompania mund të ishte mjaftuar me një gjobë prej 1 miliard dollarësh, në rast prishjeje të marrëveshjes, që zoti Musk u shfaq i gatshëm ta paguaje në këto rrethana, por në vend të kësaj, Twitter-i njoftoi se "të luftojë" për të përfunduar blerjen, të cilën bordi i kompanisë e ka miratuar dhe shefi ekzekutiv i saj Parag Agrawal ka këmbëngulur se dëshiron ta realizojë.
Në një letër drejtuar bordit të Twitter-it, avokati i zotit Musk, Mike Ringler, ankohej se klienti i tij kishte kërkuar për gati dy muaj të dhëna rreth llogarive "të rreme ose të padëshiruara" në platformën e medias sociale.
“Twitter-i ka dështuar ose ka refuzuar ta japë këtë informacion. Ndonjëherë Twitter-i i ka injoruar kërkesat e zotit Musk, ndonjëherë i ka refuzuar ato për arsye që duken të pajustifikuara dhe ndonjëherë ka pretenduar se është pajtuar me to, duke i dhënë zotit Musk informacion të paplotë ose që nuk hyn në punë fare”, thuhet në letër.
Zoti Musk tha se informacioni ishte thelbësor për rendimentin e kompanisë Twitter si dhe i nevojshëm për të përfunduar blerjen.
Si përgjigje ndaj këtij vendimi, kryetari i bordit të Twitter-it, Bret Taylor, shkruante se bordi është "i përkushtuar të mbyllë transaksionin për çmimin dhe kushtet e rëna dakord" me zotin Musk, dhe se kishte në "plan të ndiqte veprime ligjore për të mbyllur marrëveshjen e bashkimit”.
“Ne kemi besim se do të triumfojmë në Gjykatën e Delaware-it”, shkruante zoti Taylor në Twitter.
Ky është zhvillimi më i fundit i një sage mes njeriut më të pasur në botë dhe një prej platformave më me ndikim të medias sociale. Pjesa më e madhe e dramës është zhvilluar në Twitter, ku zoti Musk, i cili ka rreth 100 milionë ndjekës, është ankuar se kompania nuk po arrinte të përmbushte potencialin e saj si një platformë e fjalës së lirë.