Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka pranuar shqetësime të shumta nga anëtarësia e saj rreth mungesës dhe implementimit të planeve zhvillimore, rregullative dhe miratimin e hartave zonale në nivelet lokale.
Nga kjo lidhje thuhet se në mungesë të tyre ka stagnuar ndërtimi i objekteve të larta në shumë komuna.
“Stërzgjatja dhe burokracia e cila dominon në nivelin lokal dhe atë qendror, ka prodhuar probleme të njëpasnjëshme, themi një domino efekt në tregun ndërtimor dhe në investimet e huaja kapitale”, thuhet në kumtesë.
“Duke pasë parasysh lëvizjen e fuqisë punëtore nga tregu i Kosovës, sektori i ndërtimtarisë është më i prekuri, ku në dritën e kësaj, ky sektor ka probleme ekzistenciale. Gjithashtu, mosmiratimi i planeve rregullative dhe hartave zonale, përbën problem serioz në këtë treg”.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon urgjentisht që të zbatohet ligji në fuqi, dhe gjithashtu kërkon që të shmanget burokracia ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror.