Dhoma e Tregtisë përmbyll vitin me sukses, Krasniqi: Duhet të jemi të hapur ndaj inovacionit

Biznes

Dhoma e Tregtisë përmbyll vitin me sukses, Krasniqi: Duhet të jemi të hapur ndaj inovacionit

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 20:08
Skënder Krasniqi

Qeveria e Kosovës është një partner i rëndësishëm në përmirësimin e mjedisit të biznesit duke ndihmuar në hartimin e politikave dhe ligjeve, gjë e cila kërkon një komunikim të hapur dhe të vazhdueshëm me bizneset vendore, me qëllim të rritjes ekonomike.

Kështu u tha në një event të organizuar sonte nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK), në të cilin janë përmbledhur sukseset, aktivitetet e zhvilluara gjatë këtij viti që po lëmë pas, në bashkëpunim me bizneset e saja anëtare, si dhe partnerët nga vendi dhe rajoni.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK), Skënder Krasniqi, ka thënë se gjatë këtij viti është punuar me sukses në zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat janë përballur bizneset, si dhe kanë vazhduar me mbështetjen e tyre në çështje të ndryshme.

“Në bashkëpunim me ambasadat kemi përkrahur bizneset anëtare për t’u pajisur me viza në afat rekord...Kemi arritur me sukses që të ndryshojmë vendimin e kryeshefit ekzekutiv së Agjencisë së Pyjeve përmes të cilit nuk lejohej pagesa e garancisë që bëhej në kompanitë e sigurimit, por vetëm në bankat komerciale edhe pse me udhëzim administrativ lejohej kjo. Kemi rikthyer aktivitetin “Kafja mëngjesit” duke filluar me komunën e Pejës, Gjilanit, Ferizajt dhe shumë e shumë të tjera”, ka thënë Krasniqi.

Teksa ka përgëzuar bizneset si një komunitet i fuqishëm dhe vizionar, kryetari i DhTIK-ut ka folur edhe mbi ndikimin e teknologjisë, zhvillimet ekonomike dhe ndryshimet në zakonet e konsumatorëve, të cilat, siç u shpreh ai, po e ndryshojnë mënyrën e të bërit biznes.

“Ne, si komunitet i biznesit duhet të jemi të përgatitur për të përballuar këto sfida dhe të shfrytëzojmë shansin që ato sjellin. Është e rëndësishme që të përkujtojmë se ndryshimet globale shpesh herë sjellin mundësi të reja për biznesin tonë. Në këtë kontekst, është e nevojshme që edhe ne të jemi më shumë pro-aktivë dhe të ndajmë nevojat tona me qeverinë. Qeveria është një partner i rëndësishëm në përmirësimin e mjedisit të biznesit duke ndihmuar në hartimin e politikave dhe ligjeve që reflektojnë realitetin tonë. Kjo kërkon një komunikim të hapur dhe të vazhdueshëm... Shpresojmë që ky bashkëpunim të ketë rritje edhe gjatë viteve tjera. Si komunitet i bashkuar duhet të delegojmë nevojat tona specifike dhe rekomandimet tona në lidhje me ndryshimet ligjore. Kjo përfshin një bashkëpunim të ngushtë me dhomat e tjera të biznesit vendor, të jashtëm, organizatat shoqërore dhe përfaqësuesit tjerë të industrisë. Në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një zë të fortë dhe të qëndrueshëm që tërheq vëmendjen e autoriteteve. Për të qenë konkurrues në këtë periudhë të shpejtë ndryshimesh duhet të jemi të hapur ndaj inovacionit”, ka thënë Krasniqi.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka shprehur mbështetjen e ministrisë që ajo drejton për bizneset vendore dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

“Qeveria jonë përmes MINT-it për herë të parë prej periudhës së pasluftës ka hartuar strategjinë për zhvillimin e industrisë dhe mbështetjen e biznesit 2030, pra politika industriale me vizion të qartë për deri në vitin 2030, e cila është miratuar në qershor të këtij viti dhe nesër së bashku me kryeministrin do ta lansojmë së bashku edhe ju. Strategjia jonë synon të përmirësojë mjedisin e biznesit në Kosovë, të promovojë zhvillimin industrial, ta adresojë deficitin tregtar, të krijojë vende pune, si dhe të sigurojë efikasitet të burimeve të një ekonomie. Përmes kësaj politike ne synojmë që deri në vitin 2030 industria e Kosovës të transformohet në një industri më të integruar globalisht”, ka thënë Hajdari.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra, ka folur mbi sfidat me të cilat përballen bizneset.

“Problemi i cili e prek Kosovën është ai i fuqisë punëtore. Te ne ka filluar më herët me liberalizimin e vizave, kurse besoj që në Kosovë është pjesërisht, por besoj nga 1 janari do të jetë shumë prezentë dhe ne si afaristë, si punëdhënës, duhet të mendojmë më shumë që punëtorët të kenë tretman të ligjshëm”, tha ai.

Këshilltari i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Bekim Brestovci, ka thënë se kjo komunë dhe kryetari Përparim Rama ka shprehur interesin e shtrimit të bashkëpunimit me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dhe anëtareve të saja.

“Ne kemi shumë projekte të cilat mund të shtyheshin përpara bashkërisht dhe do ta përshpejtonim vizionin e kryetarit Rama dhe transformimin e Prishtinës si një metropol evropian”, ka thënë Brestovci.

Në këtë takim drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Zana Beqiri, ka bërë një prezantim rreth punës së DhTIK-ut, si dhe janë përmendur raste suksesi nga bizneset e saja anëtare.

Ndryshe, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë synon të jetë organizatë lidere e biznesit për të përfaqësuar interesin e biznesit përmes rrjetëzimit, këshillimit, ofrimin e shërbimeve dhe avokimin, si dhe ka për mision promovimin dhe shërbimine komunitetit të biznesit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat