Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna, ka thënë se Kosova është duke vuajtur për investime të huaja direkte dhe se vendi duhet që të punojë shumë për përmirësimin e ambientit e të bërit biznes.
Ai ka thënë se deklarimet e institucioneve për rritje të investimeve të huaja, janë të pasakta, pasi investimet e huaja janë kryesisht në patundshmëri. Këto investime sipas tij nuk mund të quhen të tilla nëse nuk ka hapje të linjave të prodhimit ose sektorëve të prodhimit.
“Ne kemi ngritur zërin gjatë këtyre viteve që duhet të punojmë shumë për përmirësimin e ambientit e të bërit biznes, ta bëjmë një ambient miqësor për të ardhur investitor të huaj për të investuar në Kosovë. Kemi bërë edhe kërkesa që të kemi kujdes në pëlqimin e mesazheve sidomos nga udhëheqësit tanë, për arsye se nuk po janë mesazhe që po motivojnë një investitor për të ardhur për të investuar në Kosovë. Po ashtu nuk po janë edhe motivuese edhe për investitor të brendshme që i kemi për ti zgjeruar bizneset e tyre ose për të bërë një biznes të ri brenda Kosovës. Ne jemi dëshmitar që jemi duke vuajtur për investime të huaja direkte. Kur them për investime të huaja direkte për ata që dinë drejtpërdrejt të themelojnë një linjë prodhimi, ose një sektor të prodhimit, ose një që punësojnë ndoshta jo një mijë punëtorë por së paku 100 punëtorë, 100 jo por 10 punëtorë që e kanë për qëllim me e ngrit prodhimin, e kanë me qëllim me rrit eksportin dhe me ndal importin”, ka thënë Rafuna.
Ai ka kërkuar që investimet në patundshmëri të mos konsiderohen investime të huaja. Rafuna tha se investime e huaja llogariten në numrin e hapjes së fabrikave e linjave tjera të prodhimit.
“Ne jemi dëshmitarë që krejt kjo çka quhet prej institucioneve publike investim është në patundshmëri. Është diaspora jonë më së shumti që po kontribuon në blerjen e banesave e shtëpive. Nëse i shohim të dhënat zyrtare të institucioneve kompetente që i kanë lëshuar në Kosovë që është BQK-ja, Agjencia e Statistikave të Kosovës e kështu me radhë, por edhe të dhënat e OEK-ut, shohim që në vitin 2021 ose vitin 2020, ka qenë vit i mbyllur, ka qenë pandemia. Në vitin 2021 kur ishte ai ‘bom’ pas pandemisë kur u hap ekonomia, zinxhiri i furnizimit kur filloj që të funksionoj. Ne në Kosovë kishim 91 për qind të investimeve, këto që po quhen investime të huaja direkte që në fakt janë patundshmëri. 91 për qind e tyre në 2021 i kemi pasur në patundshmëri. Në vitin 2022 ka rënë në 80 për qind, në vitin 2023 kjo ka rënë në 60 për qind. E para ne nuk e nxjerrim si OEK mesataren me i mbledh në mënyrë matematikore. Ne investime e huaja si OEK i masim se sa fabrika ose sa linja të prodhimit janë hapur në Kosovë, sa njerëz janë punësuar, sa ka ndikuar në rritjen e eksportit”, u shpreh ai.
Kreu i OEK-ut thekson se situata në veri të vendit largojnë investitorët e huaj. Ai konsideron se kontribuues të mungesës së investitorëve janë edhe deklaratat e krerëve institucional për sulm nga Serbia.
“Deshëm apo nuk deshëm, çështjet e hapura që i kemi më Serbinë janë një pengesë. Tensionet në veri, një investitor para se të vije të investoj në Kosovë gjithmonë e bënë një konsultim me zyrtarët e qeverisë se vetë, dhe e matin riskun. E dyta pak i kemi kontribuar edhe ne nëpërmjet deklaratave të institucioneve tona se ne do të sulmohemi nga Serbia, pritet që të sulmohemi nga Serbia këto deklarata për një kohë shumë të gjatë qarkulluan në media, në opinion kjo nuk i ka motivuar investitorët. Ne kemi pasur thirrje telefonike në OEK duke pyetur se a do të ketë luftë në Kosovë, ka qenë një absurd i vete kur Kosova është vend i vetëm në Ballkan i cili i ka trupat e NATO të vendosur”, u shpreh Rafuna.