Insuficienca e zemrës/ Sëmundja që rrezikon të moshuarit, si mund të mbahet nën kontroll

Këshilla mjekësore

Insuficienca e zemrës/ Sëmundja që rrezikon të moshuarit, si mund të mbahet nën kontroll

Më: 8 korrik 2024 Në ora: 23:56
Ilustrim

Vështirësitë në frymëmarrje kryesisht gjatë natës, lodhje dhe ënjtje të kyçeve të këmbëve janë këto disa prej shenjave që shfaq insuficienca kardiake, një sëmundje e cila rrezikon jetën e të moshuarve.

Referuar statistikave zyrtare, afërsisht 140 mijë shqiptarë vuajnë nga kjo sëmundje, ndërkohë që numri i rasteve pritet të rritet gjatë dekadës së ardhshme. “Insuficienca kardiake kryesisht prek të moshuarit, 6-10% të popullatës së përgjithshme me moshë mbi 65 vjeç. Kjo përqindje është në rritje të vazhdueshme për shkak edhe të rritjes së jetëgjatësisë së popullsisë”, pohon mjeku kardiolog, Indrit Temali.

Përmes një interviste dhënë për gazetën, doktori ndalet në faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj patologjie, komplikimet që jep, si edhe metodat e trajtimit që aplikohen.

Doktor, çfarë është insuficienca kardiake dhe nga se shkaktohet?

Insuficienca kardiake ndodh atëherë kur zemra e ka të pamundur të mbajë fluksin e gjakut të nevojshëm për kërkesat e trupit, duke shkaktuar simptoma të tilla si marrje fryme në qetësi dhe/ose sforcim, lodhje dhe shenja fizike, si ënjtje të kyçeve të këmbëve dhe mbingarkesë në mushkëri. Insuficienca kardiake mund të shkaktohet nga sëmundje strukturore ose funksionale të zemrës si: Sëmundje të miokardit (muskulit të zemrës), si sëmundja iskemike e zemrës (shkaku më i shpeshtë i insuficiencës kardiake). Peshë kanë edhe dëmtimet toksike të miokardit, si abuzimi me alkoolin, kokainën, amfetaminat, ilaçet, si disa citostatike, antiaritmike, antidepresante, antiinflamtorët josteroid, rrezatimi, infeksione virale ose bakteriale, sëmundje autoimune, sëmundje malinje, sëmundje metabolike, sëmundje gjenetike. Në radhën e shkaktarëve renditet edhe ngarkesa e shtuar e zemrës si në hipertensionin arterial, defektet valvulare dhe kongjenitale, si defektet e septumit atrial dhe ventrikular, sëmundjet e valvulës mitrale, aortale, trikuspidale dhe pulmonare. Patologji të perikardit, anemia e rëndë, sepsisi, tirotoksikoza, shtatzania, insuficienca e veshkave. Së fundmi, aritmitë me shpeshti të lartë (takikaritmitë) dhe ato me shpeshti të ulët ventrikulare (bradiaritmitë).

Cilat janë disa nga shenjat apo simptomat me të cilat manifestohet?

Simptomat kryesore të insuficiencës së zemrës janë vështirësia në frymëmarrje në qetësi ose gjatë sforcimit, lodhja, ënjtja e kyçeve të këmbëve, kriza e frymëmarrjes gjatë natës. Sakaq, shenjat fizike kryesore janë fryrja e venave të qafës, ënjtja e këmbëve dhe prania e mbingarkesës në mushkëri.

Të ndalemi pak te moshat, cilat janë më të rriskuarat?

Insuficienca kardiake kryesisht prek të moshuarit, duke prekur 6-10% të popullatës së përgjithshme me moshë mbi 65 vjeç dhe kjo përqindje është në rritje të vazhdueshme për shkak edhe të rritjes së jetëgjatësisë së popullsisë.

Çfarë ndodh nëse nuk diagnostikohet në kohë, pra çfarë komplikacionesh mund të japë?

Rreth 50 për qind e të sëmurëve me insuficiencë kardiake vdesin brenda 4 viteve, 40 për qind e pacientëve me insuficiencë kardiake që hospitalizohen vdesin ose rihospitalizohen brenda 1 viti. Me përparimin e insuficiencës kardiake dëmtohet cilësia e jetës, pacienti bëhet simptomatik në qetësi dhe ka vështirësi në frymë- marrje, në qëndrimin shtrirë ose në sforcime minimale.

Cilat janë metodat e trajtimit për insuficiencën kardiake dhe kur aplikohet secila prej tyre?

Në trajtimin e insuficiencës kardiake përfshihet: kujdesi i vetë pacientit, trajtimi medikamentoz dhe ndë- rhyrjet invasive me vendosjen e pajisjeve dhe kirurgjisë së zemrës. Kujdesi i vetë pacientit përfshin kuptimin nga pacienti të shkakut të insuficiencës, modifikim i stilit të jetës, monitorim të simptomave dhe motivim për aderencë me terapinë. Trajtimi farmakologjik përfshin përdorimin e diuretikëve në varësi të edemave (lasiksi dhe të ngjashëm), Ace-inhibitorëve (enalaprili dhe të ngjashëm) dhe betabllokuesve (metoprololi dhe të ngjashëm). Në qoftë se ankesat vazhdojnë në një fazë të dytë, futen dhe antagonistët e aldosteronit si spironolaktoni dhe nëse ankesat vazhdojnë, shtohen medikamente të reja si Entresto. Nisur nga shpeshtia e rrahjeve, kur ajo është më shumë se 70 në minutë, shtohet ivabradinë. Trajtimi me pajisje përfshin vendosjen e pajisjes së resinkronizimit kardiak (CRT) nëse ankesat vazhdojnë pavarësisht terapisë së plotë mjekësore ose të defibrilatorit të implantueshëm (ICD) për zemrat me funksion shumë të ulur pompues. Trajtimet ndërhyrëse, revaskularizim me vendosje të stenteve ose kryerjen e Bypass, kirurgjia në valvulat e zemrës dhe transplanti i zemrës për insuficiencat kardiake në stad të fundit.

Te mosha e tretë është specifik fakti që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, si veprohet në këto raste?

Pra, cila është skema që aplikohet për trajtimin e tyre? Në moshat e treta, por jo vetëm, krahas fillimit të trajtimit të insuficiencës kardiake me ilaçe dhe metodat e sipërpërmendura, bëhen përpjekje për të zbuluar sëmundje të tjera jokardiovaskulare bashkëshoqëruese dhe faktorë përkeqësues. Sëmundjet kryesore bashkëshoqëruese janë anemia, sëmundjet e mushkërive, insuficienca e veshkave, dëmtimi i funksionit të gjëndrës tiroide dhe diabeti, të cilat trajtohen në bazë të skemave përkatëse për secilën sëmundje.

Së fundmi, çfarë do të rekomandonit për pacientët?

Së pari, vlen njohja nga pacienti i shkakut të insuficiencës dhe monitorimi i simptomave nga vetë ai duke u peshuar çdo ditë, duke qenë fleksibël në terapinë me shkarkues në varësi të mbingarkesës në lëngje. Rekomandohet të mos ndërpresë trajtimin medikamentoz të rekomanduar nga mjeku. Pacientët duhet të kuptojnë rëndësinë e ndërprerjes së duhanit, kontrollit të presionit të gjakut, diabetit dhe të evitojë obezitetin. Po ashtu të kufizojë marrjen e kripës dhe të lëngjeve me shumicë, të konsumojë alkool në mënyrë modeste, të evitojë kequshqyerjen, të kuptojë përfitimet e ushtrimit fizik sipas nivelit të rekomanduar nga mjeku dhe ta kryejë atë në mënyrë të rregullt. Duke qenë se jemi në prag të stinës së ftohtë, rekomandohet kryerja e vaksinimit kundër gripit dhe pneumokokut. Së fundmi, pacientët me insuficiencë kardiake duhet të kenë jetë sociale dhe suport social, sepse depresioni është i shpeshtë në këtë grupmoshë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat