Ndoshta, ju jeni prind i një apo dy fëmijëve, por keni sërish dëshirë që ta shtoni familjen dhe po mendoni për një tjetër pjesëtar të ri. Sipas Nan Wise, terapiste e certifikuar për çiftet dhe familjen, duket se ka disa pyetje të rëndësishme që duhet t’i bëni vetes përpara se të ndërmerrni hapin për shtatzëninë e radhës.
#1 Pse doni të keni një fëmijë tjetër?
Duket një pyetje kritike për t’ia bërë vetes, por në fakt planifikimi familjar duhet të ekzistojë në çdo çift. Siguria financiare, shtëpia, pritshmëritë e partnerit/es, të gjithë janë detaje që duhen analizuar.
#2 Si ndihet partneri/ja juaj për një fëmijë tjetër?
Kjo ndoshta është e vetëkuptueshme, por nëse e shtroni si ide te partneri/ja për të pasur një fëmijë tjetër, atëherë duhet të bëni biseda të rëndësishme përgatitore që janë tregues për qasjen ndaj zgjerimit të familjes.
#3 Pse ju (dhe partneri/ja juaj) dëshironi të keni një fëmijë tjetër tani?
Koha është gjithçka, kjo është arsyeja pse ekspertja sugjeron që t'ia bëni këtë pyetje vetes dhe partnerit/es tuaj përpara se të vazhdoni me ndonjë plan për fëmijën.
#4 Si e përballoni zgjidhjen e konflikteve dhe stresit si çift?
Debatet apo mosmarrëveshjet në çift janë normale dhe të pashmangshme, por rruga që ju si çift gjeni për t’i zgjidhur ato është tregues i qartë për shumë situata, sidomos pas idesë për shtimin e familjes.
#5 Si do të ndikojë në jetën tuaj një fëmijë tjetër?
E mbani mend se çfarë ndryshimi i madh ishte në jetën tuaj kur lindi fëmija i parë? Merrni pak kohë dhe mendoni, një tjetër fëmijë, të qara, net pa gjumë, angazhimi me fëmijët e tjerë më të rritur, punët e shtëpisë, sa kërcënohet siguria në punën aktuale që keni etj.
#6 A keni mjaftueshëm vëmendje për t’ia kushtuar fëmijës tjetër?
Le të flasim për boshllëqet e moshës dhe qëndrueshmërinë prindërore, pasi ju duhet të merrni parasysh nivelin tuaj të energjisë. Por, ekspertja Wise thekson rëndësinë e vëmendjes dhe përshtatjes për çdo fëmijë, diçka që është padyshim e vështirë për t'u siguruar kur je i/e ndarë në dy drejtime të ndryshme duke u përpjekur të plotësosh nevojat e një të porsalinduri dhe të një foshnjeje.
#7 A keni qëndrueshmëri fizike dhe emocionale për këtë?
Pyetja më direkte që mund t’i bëni vetes është pikërisht kjo: sa energji keni për të përballuar edhe një porsalindur në shtëpi, ndërsa keni një apo të tjerë fëmijë më të rritur që duan vëmendjen dhe angazhimin tuaj si prindër.