Anemia te të rriturit dhe fëmijët, regjimi ushqimor që ju vjen në ndihmë

Këshilla mjekësore

Anemia te të rriturit dhe fëmijët, regjimi ushqimor që ju vjen në ndihmë

Më: 9 shtator 2024 Në ora: 23:48
Ilustrim

E cilësuar si një nga çrregullimet më të zakonshme të gjakut, anemia ndodh atëherë kur ka një numër në rënie të qelizave të kuqe. Në këtë situatë, simptomat që mund të shfaqen janë: dhimbje koke, dhimbje gjoksi dhe lëkurë të zbehtë. Sipas nutricionistes, njëherazi edhe mjeke laboratori Albana Daka, ka shumë forma të anemisë, pas secilës qëndrojnë shkaqe të ndryshme.

Ajo mund të jetë e përkohshme ose afatgjatë dhe mund të variojë nga forma të buta në të rënda mbi bazën e të cilës bëhet edhe trajtimi. Krahas kryerjes së procedurave mjekësore me rëndësi është edhe marrja e suplementeve.

“Ju mund të parandaloni disa lloje të anemisë duke konsumuar një regjim ushqimor të shëndetshëm dhe me variacion”, pohon Daka, e cila veç dietës na njeh edhe me faktorët e riskut me qëllim parandalimin e kësaj sëmundjeje, njëherazi komplikacioneve që ajo mund të shfaqë nëse nuk trajtohet në kohë. “Nëse nuk trajtohet, anemia mund të shkaktojë shumë probleme shëndetësore të tilla si: lodhje të vazhdueshme, komplikime të shtatzënisë, probleme të zemrës”, shton doktoresha.

SHKAKTARËT

Mungesa e disa vitaminave në regjimin ushqimor. Konsumimi i një diete të varfër me hekur, vitaminë B12 dhe folate rrit riskun tuaj për anemi. Çrregullimet intestinale. Të pasurit e një çrregullimi intestinal që ndikon përthithjen e elementëve ushqimorë në zorrën tuaj, p.sh sëmundja e Crohn ose celiakia, rrisin riskun për shfaqjen e anemisë. Menstruacionet shkaktojnë humbjen e qelizave të kuqe të gjakut. Shtatzënia. Nëse jeni shtatzënë dhe nuk po merrni multivitamina me acid folik, jeni të rriskuar nga anemia. Sëmundje kronike.

Nëse jeni të prekur nga kanceri, sëmundje të veshkave apo të tjera sëmundje kronike, të cilat pakësojnë rruazat e kuqe të gjakut, risku për të zhvilluar anemi është i lartë. Historia familjare. Nëse familja juaj ka anemi te trashëguar, risku juaj për t’u prekur nga kjo sëmundje është i lartë. Faktorë të tjerë. Histori infeksionesh, sëmundje të gjakut dhe çrregullimet autoimune, alkoolizmi, ekspozimi ndaj kimikateve toksike dhe përdorimi i medikamenteve mund të afektojë prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut. Mosha. Personat mbi 65 vjeç janë të rriskuar nga anemia.

PARANDALIMI

Konsumoni i një dietë të pasur me vitamina. Shumë tipa të anemisë nuk mund të parandalohen. Por, anemitë që vijnë si pasojë e mungesës së hekurit dhe vitaminës B12, mund të shmangen duke pasur një dietë të pasur me vitamina dhe elementë ushqimore si: Hekuri. Ushqimet e pasura me hekur përfshijnë mishin e kuq, fasulet, thjerrëzat, drithërat e fortifikuara me hekur, perimet me gjethe jeshile të errëta dhe frutat e thata. Folatet.

Ky element ushqimor dhe forma e tij sintetike, acidi folik, mund të gjendet në fruta, perime me gjethe jeshile të errët, bizele, fasule, arra dhe produkte të pasuruara me folate si: buka, drithërat (cereal), makaronat dhe orizi. Vitaminë B12. Ushqimet e pasura me vitaminë B12 përfshijnë mishin, bulmetin dhe produktet e sojës. Vitaminë C. Ushqimet e pasura me vitaminë C përfshijnë frutat citrike, lëngjet e frutave, speca, brokoli, domate, pjepër dhe luleshtrydhe.

Këto ushqime ndihmojnë në përthithjen (absorbimin) e hekurit. Nëse jeni të shqetësuar se nuk po merrni mjaftueshëm vitamina nga ushqimi që po konsumoni, pyesni doktorin tuaj nëse mund t’ju rekomandojë multivitamina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat