Vizitat te mjeku mund të jenë stresuese dhe ndonjëherë është e vështirë të shprehni shqetësimet shëndetësore siç duhet, qoftë nga frika, turpi apo mungesa e njohurive mbi terminologjinë mjekësore. Por ka disa hapa që mund t’ju ndihmojnë të merrni kujdesin më të mirë të mundshëm.
Bëjeni të qartë pse jeni aty
Shumë njerëz shkojnë te mjeku me një listë të gjatë shqetësimesh, por është e rëndësishme t’ia bëni të ditur mjekut që në fillim të vizitës. Nëse keni tre probleme për të diskutuar, thuajeni hapur, në mënyrë që të vendosni së bashku se cili është më urgjenti. Ndonjëherë mund të arrihet të trajtohen të gjitha, por ndonjëherë përqendrimi duhet të jetë tek një problem kryesor.
Theksoni simptomën më të rëndësishme
Truri ynë ka prirjen të përqendrohet më shumë te gjëja e parë që dëgjon. Kjo do të thotë se, nëse shqetësimi juaj kryesor është një dhimbje koke, përmendeni atë fillimisht dhe mos lini shqetësimet më të mëdha për fundin e vizitës. Një nga gabimet më të zakonshme është të thuash, kur je duke dalë: “Ah, edhe diçka, kam vënë re gjak, por s’besoj se është ndonjë gjë e rëndësishme, apo jo?” Në të tilla raste, mjeku mund të kërkojë një konsultë tjetër për ta adresuar siç duhet.
Mos u ndjeni në siklet
Pavarësisht se mund të keni siklet të flisni për disa simptoma, mbani parasysh që mjekët i kanë dëgjuar dhe parë të gjitha. Për ta, nuk ka asgjë të çuditshme apo të turpshme, ndaj sa më të hapur të jeni, aq më të saktë mund të jenë në diagnostikim. Nëse vizita lidhet me shëndetin seksual, jini të sinqertë për çdo detaj, pasi kjo ndihmon mjekun të kuptojë çfarë trajtimesh mund të jenë të përshtatshme për ju.
Vishuni në mënyrë praktike
Nëse vizita lidhet me një problem në gju, shmangni veshjet me shumë shtresa që do ta bënin të vështirë ekzaminimin. Sa më e lehtë qasja, aq më shpejt mund të përqendrohet mjeku në çështjen kryesore.
Flisni natyrshëm
Mos u shqetësoni nëse nuk dini terma mjekësorë. Përdorni fjalët që ju duken më të natyrshme dhe mos kini frikë të përdorni edhe zhargon, nëse kjo ju ndihmon të shpjegoni më mirë simptomat tuaja. Mjekët janë mësuar me terma të ndryshëm dhe do të dinë t’ju drejtojnë në mënyrë që të kuptojnë saktësisht çfarë po përjetoni.
Jini të sinqertë
Mjekët nuk janë aty për t’ju gjykuar, por për t’ju ndihmuar. Nëse nuk tregoni saktë sa alkool konsumoni, nëse pini duhan apo sa aktivë jeni fizikisht, diagnoza dhe këshillat e tyre mund të mos jenë të sakta. Sa më të sinqertë të jeni, aq më të vlefshme do të jenë sugjerimet që do të merrni.
Mbani shënime mbi simptomat tuaja
Përpara vizitës, mund të jetë e dobishme të mbani shënime mbi simptomat: kur filluan, çfarë i përkeqëson apo çfarë i lehtëson. Gjithashtu, nëse keni dokumente apo letra mjekësore nga vizitat e mëparshme, sigurohuni t’i sillni me vete.
Pyesni pa hezitim
Nëse keni lexuar diçka në internet dhe keni shqetësime, mos hezitoni ta diskutoni me mjekun tuaj. Për shembull, nëse keni dhimbje koke dhe mendoni se mund të jetë diçka serioze, mjeku mund t’ju shpjegojë simptomat tipike të një problemi më të rëndë dhe të qartësojë nëse shqetësimi juaj është i bazuar.
Mos kini frikë të kërkoni një mendim të dytë
Nëse nuk ndiheni të sigurt me diagnozën apo trajtimin e rekomanduar, është e drejtë të kërkoni një mendim të dytë. Mjekët nuk e marrin personale dhe në shumicën e rasteve e kuptojnë dëshirën e pacientëve për t’u siguruar për shëndetin e tyre.
Merrni dikë me vete nëse është e nevojshme
Nëse ndiheni të pasigurt ose mendoni se mund të harroni disa nga informacionet që do t’ju jepen, mund të jetë e dobishme të merrni një familjar ose mik me vete. Ata mund t’ju ndihmojnë të mbani mend detajet më të rëndësishme ose të shënoni informacione të nevojshme.
Mos u ngutni
Edhe pse shpesh vizitat mjekësore janë të shkurtra, koha që keni me mjekun është e juaja. Nëse nuk arrini të diskutoni gjithçka brenda një vizite, mund të caktoni një tjetër takim. Nuk ka arsye të ndiheni në faj për kohën që po shpenzoni.
Duke ndjekur këto këshilla, jo vetëm që do të ndihmoni veten për të marrë kujdesin më të mirë shëndetësor, por do ta bëni edhe vizitën më efektive dhe më pak stresuese.