Për shumë vite me radhë një grua iu kishte lutur zotit Brahma që ta bënte gruan më e pasurën në Indinë e lashtë. Dhe pas një kohe të gjatë asaj i erdhi një zë nga qielli: "Për të qenë më e pasura duhet të shkosh në Shpellën e Kuqe, aty gjendet një thesar". Gruaja me fëmijën e saj të vogël në shpinë shkoi te shpella. Çfarë të shohe !!! Brenda një thesari të madh ari, diamante dhe gurë të çmuar. Ajo menjëherë filloi të mbushte strajcat që kishte marrë me vete. Pas pak u dëgjuan një zë nga qielli: "Nxito sepse shpella do të mbyllet së shpejti". Gruaja me duart e saj të afta vazhdoi të mbushte. Zëri sërisht: "Vëmendje, shpella ka filluar të mbyllet"! Por gruaja lakmitare, e rrëmbyer t’i merrë edhe disa diamante të çmuar që shkëlqenin si dielli. Por shkëlqimi iu kthye në terr kur pa se fëmija e saj kishtë mbet brenda prapa gurit të madh të (pa)luajtshëm që pakthyeshëm mbylli shpellën!
Ky tregim i mençur nga hindusët e lashtë më kujton shumë nga veprimet tona politike nga qeveria, opozita, analistë dhe media, të cilët në garën e sëmurë për pushtet e pasurim, "harruan" vendin dhe popullin prapa gurit të madh të (pa)lëvizshëm në shpellë. Dhe tani veprojmë me logjikën fataliste, duke përfunduar akoma më fatalisht. Që në fillim, autoritetet tona kishin humbur shansin për të ndërtuar vendin mbi baza të shëndosha. Po të kishim udhëheqës të përgjegjshëm, ne do të ishim anëtar e UE-së që nga viti 1999, madje lëshuam edhe vitin 2010, dhe vazhdojmë të lundrojmë pa qëllim, pa ide, pa busull e me një ekuipazh të dehur. Për tre dekada, në vend që të përqendroheshim në reforma dhe zhvillim ekonomik, ne përdorim turbo-folk patriotizëm të rremë dhe ja tani kemi arritur te ferri së bashku me djallin! Siç jemi, s’do na pranonin as në Unionin Afrikan, sepse ne tani jemi bërë një pasqyrë në të cilën të gjithë shohin shëmtimet e tyre.
Për fat të keq, edhe tani ne vazhdojmë të kërkojmë me logjikën fataliste negociata (konferencë ndërqeveritare), edhe ate, jo për shkak të nevojës për reforma, sepse ne komplet jemi një anti-reformë kronikishtë e sëmurë, por për për marketing të thjesht kur në çdo sferë na ndjek dështimi. Pasi, aty ku s’ka mund vet djalli, ka anagzhua udheheqës tanë!
Në një rast, një ish-ambasador në Shkup me të drejtë tha: "Ju sikur na thuani - ejani këtu të punoni për ne, sepse ne nuk dijmë, nuk duam të mësojmë, madje as që na punohet, kështu që edhe plehrat ua mblodhëm ne diplomatët”! Duket se na kanë vërejtur se ne flasim si një engjëll, por veprojmë si një djall.
Realisht, zgjerimi në Bruksel perceptohet si një këngë shumë e bezditshme, refreni i së cilës është "mos ngordh gomar sa të del bar". Fakt është se UE është lodhur nga zgjerimi. Ka problemet e veta të mëdha të brendshëm - si me funksionimin e mëtejshëm? Si me Brekzit-in? Çka me Poloninë, Hungarinë dhe Slloveninë, udhëheqësit e të cilave urinojnë mbi demokracinë evropiane, por duan paratë e saj? Si me radikalizmin dhe populizmin e brendshëm që është në rritje? Si me presionet amerikane për tubacionet e gazit lindor? Andaj, këtu zgjerimi është vrima e fundit e fyellit.
Kurse ne, si të çmendur - "negociata e negociata", ndërsa Brukseli mund të na ofrojë vetëm aktrim-negociata. Kur Serbia pat filluar me negociatat shtatë vjet më parë, Vuçiç tha se Serbia do të kyqet në UE në vitin 2020. Gjer tani Serbia ka hapur 18 nga 35 kapituj negociatash, nga të cilat vetëm dy janë mbyllur përkohësisht. Kohë më parë mbërriti një njoftim nga Këshilli Evropian se Serbia nuk do të hapë Kapitullin 2 (për lirinë e lëvizjes së punëtorëve)! Tani, Ministrja Serbe e Integrimit Evropian, Jadranka Joksimoviq thotë se Serbia do të kuqet në UE deri në vitin 2027! Ekspertët thonë se para vitit 2030 s’ka gjasa. Kjo do të thotë 20 vjet negociata. Situata është e ngjashme edhe me Malin e Zi, i cili ka negociuar për 9 vjet dhe ka mbyllur vetëm tre kapituj. Ekspertët thonë se negociatat për këte shtet janë në gjysmë të rrugës! Kjo do të thotë 18 vjet negociata! Nëse është kështu, atëhere pse po nxitojmë për një tren që do të vonojë aq shumë!? Edhe nëse negociatat fillojnë dhe nëse nuk fillojnë fare, ne kemi 20 vjet punë për të bërë deri në anëtarësimin e plotë. Por, çfarë deri atëherë?!
Ka ilaq!
Shpëtimi është në integrimin ekonomik dhe doganor të Ballkanit Perëndimor i të gjashtë vendeve në rajon - Serbisë, Shqipërisë, BeH, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Një treg i tillë do të kishte rreth 20 milion banorë, me objektiva të mirë për të ringjallur industrinë, tregtinë, bujqësinë, blegtorinë, turizmin, etj. Investimet e huaja do të rriteshin ndjeshëm, infrastruktura rajonale do të forcohej dhe besimi i ndërsjellë poashtu. Popujt do të pajtoheshin, gjë që do të forconte paqen rajonale. Këtu per fat të keq sikur akoma ndërtohet tolerancë rajonale me ndihmën e urrejtjes. Vendet perëndimore, vetëm për disa vjet pas luftës, formuan disa organizata (për qymyr dhe çelik, për bashkëpunim ekonomik, për energji atomike…) dhe filluan me integrimet, kurse në këte rajon tonin, edhe pas 25 vjetësh nga luftërat, politikanët e paaftë vazhdojnë t’i gërvishtin plagët e vjetra për t’u dukur të freskëta. Atë gjë e kanë të vetmin talent, madje njerëzit e ktuit sikur krenohen me këso udhëheqësish nga të cilët bota normale turpërohet.
Duhet theksuar se pa dilemë se segmenti shqiptar do të ishtë faktor kyq i një tregu të tillë. Së pari, Kosova dukshëm më shpejtë do të përfundonte procesin e vet të kyqjes në Bashkësinë Ndërkombëtare si shtet i pavarur dhe permanent do të përfitonte nga tranziti i komunikacioneve rajonale, kurse Shqipëria me detin e saj, në shumë sfera do të ishte çelsi i atij tregu rajonal. Mbi të gjitha, dukshëm do zvoglohej ekzodi faktik rajonal, sidomos ai shqiptar, i cili në Maqedoni rrezikon ta zhduk tërësisht mbarr popullatën. Me paaftësinë e garniturave udhëheqëse në Maqedoni, rrezikohet të shkruhet një tragjedi e përmasave golgote ebraike.
Me integrimin rajonal s’do zbulojmë një planet i ri. Vende të shumta si Danimarka, Suedia, Finlanda, Austria, Britania e Madhe, etj. së pari ishin anëtarë të EFTA (Asociacioni Evropian i Tregtisë së Lirë), pastaj pas shumë vitesh u kyqën në UE. Edhe ne, në një treg tonin rajonal, vetëm se mund të përshpejtojmë integrimin tonë në UE. Me këta fqinjë (të mire apo të këqi) edhe ashtu do takohemi në UE. Pra, së pari të integrohemi në tregun rajonal të përbashkët, si tërësi e përbashkët ekonomike, si politikë e përbashkët energjetike, si politikë e përbashkët e telekomunikimit, e transportit etj, të gjitha këto të shoqëruara me zhvillimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të së drejtës. Madje, edhe vet marrëveshja ekzistuese rajonale e tregtisë së lirë - CEFTA, me gjitha vështirësitë e saja, prapëseprapë ka ndihmuar që eksportet brenda vendeve anëtare të rriten për 75 përqind.
Pra, nëse realizohet "Mini-Schengen-i", kjo do të zvogëlojë presionin nga vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim të shpejtë në UE, ku tani për tani as që jemi të dëshiruar. Brukseli madje është i gatshëm të paguajë para të mëdha vetëm për të vonuar pranimet e reja për dhjetë vitet e ardhshme. UE është e gatshme të mbështesë fuqimisht pjesën tonë të rrjetit të transportit TEN-T (veçanërisht korridoret X, VIII, V-b, V-c, autostradat, hekurudhat, rrugët ujore, portet, etj.), me kusht ta zvoglojë presionin nga antarsimet e reja.
Faktorët tanë politikë, po të kishin një gram përgjegjësi, do duhej të vepronin shumë ndryshe. Ata duhej ta ndalonin partizimin e gjithçkahit që merr frymë, si një plagë serioze kancerogjene. Punësimet, avansimet, emërimet partiake duhej që moti të ndërpriten. Çdo gjë duhet bazuar në merit-sistem dhe meritokraci. Përndryshe, çfarë kërkojmë në UE, nëse këtu nuk jemi në gjendje t'i zbatojnë ato parime! Njëherit, opozita duhet të pushojë që çdo dështim në shtet ta përjetoi si sukses të vetin. Ajo nuk duhet t’i "vajtojë" apo aktrojë gjithë kohës do interesa “mëdhore nacionale”, si kompenzim i paaftësisë së vet. Ajo në bashkëpunim me ekspertë të fushave duhet të ofrojë visione, ide, programe dhe projekte serioze zhvillimore. Ajo duhet të bëjë një front nacional me shumë struktura. Patriotizëm më i madh është mbajtja e njerëzve këtu. Çdo gjë tjetër që shitet si "mjaltë e qumësht" është thjesht një "bukë e ujë". Nëse këte nuk e dinë, le të shkojnë nga politika që të vijnë të tjerë, sepse kështu vetëm se u ndihmojnë partive në pushtet për të na e zgjat mjerimin individual e kolektiv. Fatkeqësisht, edhe pas shumë humbjeve (madje edhe në rrethet e tyre), ende kemi udhëheqës që vazhdojnë të thirren në emër të popullit! Ata nuk e shohin se shpella së shpejti do të mbyllet! Me aspiratat e tyre joreale mbajnë peng ndryshimet në vend. Madje akoma s’kanë kuptuar, se ata që shiqojnë pas, humbin rrugën përpara. Madje edhe ilaqi i tyre është më i dëmshëm se sa vet sëmundja. Nëse edhe mëtej vazhdojmë normalen ta bëjmë të pamundshme, së shpejti katastofën do ta bëjmë të pashmangshme.