Për kë do të votojë Shën Valentini

Kolumne

Për kë do të votojë Shën Valentini

Nga: Fadil Lepaja Më: 27 janar 2021 Në ora: 10:59
Fadil Lepaja

Paramendojeni se çfarë mesazhi do të ishte për qytetarët e Kosovës sikur dita e shpalljes së pavarësisë të ishte përzgjedhur të jetë një prilli. Me gjasë nuk do të ishte aq ftohtë, sa pat qenë me 17 shkurt 2008, kur edhe u shpall pavarësia. Duke marr parasysh procesin e pafund të (ç)njohjes, (mos) pranimit nëpër organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe në fund fare (mos)liberalizimin e vizave për qytetarët tonë, nuk do të kishim të drejtë të ankoheshim. Evropa, por edhe SHBA do të na thoshin: “Ju kemi treguar”!

Data e shpalljes, e cila asokohe mbahej sekret dhe pretendohej se dihej vetëm nga një person, ishte përzgjedhur me kujdes. As një prilli , as 14 shkurti. As nuk ishte rren, as shpallje dashurie. Sidoqoftë, ishte acar... dhe nuk na patën paralajmëruar!

Sigurisht, janë marrë parasysh edhe parashikimet meteorologjike për acarin e madh të 17 shkurtit dhe ky ishte mesazhi i cili jepej me këtë përzgjedhje. “Do të jetë vështirë por ju duhet të e sillni pranverën me entuziazmin tuaj, me punë dhe me përkushtim, sikur sugjeronte kjo datë. As rren , as dashuri! Ku ka dashuri në politikë? Po flasim për politikën ndërkombëtare, sepse për politikën ton, një prilli do të ishte datë më e qëlluar. Nuk ka dashuri, as ndaj qytetarit, as ndaj shtetit, as ndaj miqve ndërkombëtar...

Çfarë ndodhi pastaj, që sot njerëzit të cilët e dinin sekretin, datën e shpalljes së pavarësisë pra, janë në Hagë duke u gjykuar për krime lufte, ndërkohë që garnitura e re politike e cila po e mbushë boshllëkun dhe po përgatitet të marrë pushtetin, në rrethanat konfuze krejtësisht, i shpalli zgjedhjet pikërisht në ditën e të dashuruarëve. Mesazhi i ndryshimeve dhe ai i dashurisë në një pako promovuese u ofrua si datë e zgjedhjeve të reja, pasi ato të fundit kishin dështuar, me një shkurorëzim zhgënjyes të “martesës” politike mes LVV dhe LDK dhe përplot emocione që e përcjellin. Dashuria u shndërrua në një urrejtje, u folën fjalë të rënda.

A mund të ketë dashuri, pas akuzave për tradhti? A mund të ketë sërish koalicion shprese, koalicion ndryshimesh? Çka do të sjellë dita e të dashuruarëve në skenën tonë politike?

Pra, viti i fundit na dha një mësim të mirë, të cilin “duhet pasur ndërmend ditë e natë”: nuk ka dashuri në politikë, ka vetëm interesa. Pati një përpjekje strategjike nga administrata e Presidentit Trump për të ndërruar aleatët, dhe për të ndërruar parimet bazike mbi të cilat ishte mbështetur rendi aktual botëror dhe krejt kjo përpos që rezultoi me rebelët që ngjiteshin mureve të kongresit amerikan dhe gardën kombëtare e cila flinte në korridore të institucioneve, pati pasoja edhe në përmasa planetare. Në Kosovën e vogël, kjo shkaktoi termet të fuqishëm, përmasash gati apokaliptike. Ra një qeveri dhe nuk bëhej dot tjetra. Një koalicion i ngritur mbi entuziazmin rinor dhe frymën e ndryshimeve u thye me një arsyetim banali cili qytetarët e këtij vendi i ndau në dy grupe, në ata që SHBA e quanin Amerika, dhe në ata që e quanin “Amelika”. Të parët pretendonin se e duan dhe respektojnë Amerikën më shumë dhe me një dashuri dhe devotshmëri të përkryer, ndërsa të dytët i shanin se ishin kundër Amerikës, duke e identifikuar atë me personalitetet drejtuese të saj. “Ai që nuk e do Presidentin Trump dhe ambasadorin Grenell, nuk e do as Amerikën”, klithnin mediat e varura, dhe e gjithë kjo po trajtohej si një çështje dashurie . Kjo u bë aq banale, sa nga krejt kjo dashuri neve na mbeti vetëm liqeni me emrin Trump dhe brohoritja e famshme “Amelika, Amelika”. Mbetën edhe marrëdhëniet kurrfarë mes partive që pretendonin ndryshime dhe konfuzion i përgjithshëm në vend.

Kur jemi te Shën Valentini, dhe politizimi i kësaj feste, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një intervistë të ditëve të fundit, pak si me shaka e më shumë si përnjëmend premtoi se kjo parti me 14 shkurt nuk do të dashurohet në askënd. Kjo deklaratë, mund të shqetësojë elektoratin e kësaj partie por edhe të gjithë ata qytetarë që janë për ndryshime.

Duke u nisur nga historia e deklaratave parazgjedhore, deklaratën e kryetarit të LDK, nuk duhet si kuptuar si idhnake. Ju kujtohet deklarata e tij e dikurshme se LDK-ja nuk do të bëjë kurrë koalicion me SHIK-un, vetëm pak muaj përpara koalicionit me PDK-në?

Është e ditur tashmë se në politikën kosovare, kur thuhet “kurrë” ajo është definitive! Kujtojeni vetëm slloganin: “Kurrë nuk ndahet Mitrovica”. Pra LDK, definitivisht nuk dashurohet me 14 shkurt!

Po, Shën Valentini për kë do të votojë?

commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat