“VVota”

Kolumne

“VVota”

Nga: Fadil Lepaja Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 12:33
Fadil Lepaja

Para këtyre zgjedhjeve PDK kishte mbetur pa kreun e saj, e LDK pa flamur. Të parët shkuan në Hagë “me mbrojtë lirinë tonë”, e të dytin, pra “flamurin e rugovizmit” e mori Vjosa me vete, në rrugëtimin e saj me “Vetvendosjen”. E mori për me e mbrojtë nga rugovistët. Prej këtij pshtjellimi, si pasojë, LDK u rrënua, PDK ra në gjunjë dhe u dorëzua, ndërsa vota qytetare shkoi te Albini dhe Vjosa. U quajt shkurt: “Vvota”. Për shembull një vajzë duke qeshur, po thoshte: “unë VVotova”. Një tjetër po shkruante në profilin e saj: “VVota ime”...

Përndryshe, nuk kam pasur titull më të shkurtë ndonjëherë për një shkrim. Nuk kam pasur as shkrim që duket kaq i anshëm, edhe pse nuk është i anshëm. Thjesht ndonjëherë është e vështirë të mos shprehet damari popullor që po rrahë nën rrobat e trasha të dimrit. Përpiqem me ndjekë logjikën e argumenteve e jo vrullin e emocioneve edhe pse shkrimet pa emocione janë sikur përkthimet në google . E shkrimet e tilla lexohen veç prej zori, e jo me afsh, jo ashtu si hahet një hamburger për shembull. Kuptohet, nuk po e promovoj ushqimin e shpejtë këtu, as mediat me çasje jo të shëndetshme, por...t’i kthehemi titullit se populli është në dietë.

S’ka dyshim se titulli është me dy kuptime. Në rregull, ndoshta i ka më shumë kuptime, por ka potencë me shprehë frymën. Mënyra më e mirë për me e bë frymë dikë është me e kontestue kur ti vet publikisht je i denoncuar si i keqi në rrëfim. Ishte bartës i listës dhe ndaluan, kështu e bënë frymë. Rrëfimi për të pastaj ishte përfolur gjatë nëpër kafene, oda, zyra, shëtitore, nëpër ara të bukës, pra kudo, përveç në mediat “e lira” dhe në institucione.

Pra, është veç një fjalë që i përshkruan zgjedhjet e kaluara, sidomos atmosferën dhe përmasat e kësaj lëvizjeje e cila u formësua pa ndonjë fushatë kushedi çfarë elektorale, madje nuk kishte as shkuarje nëpër mediat “e mëdha” sidomos te disa, të cilat u përfolën edhe nëpër raporte ndërkombëtare. Vet i quajtën mediat e tyre, të lira, sepse edhe atyre ua sollën lirinë sikurse edhe ne. U kuptua se lirinë nuk e patën gjete mes nesh, por e patën sjellë. Prandaj ata që na e sollën lirinë, tash po i marrin nëpër gjykata dhe ne na mbeti vetëm liria. Ata që shkuan “Me Çlirimtarët”, nuk e kaluen pragun. Ka konfuzion të përgjithshëm lidhur me pyetjen e famshme, kadariane: Kush e solli....lirinë!

Thjesht, populli e ndjeu frikën dhe panikun e tyre, preku pulsin e tyre të shqetësuar, i cili rrahu çmendurisht kur morën vendim me (keq)përdorë shtetin për pushtetin. Rrahën gjoksin e mbushur me medaljet për paqen dhe luftën e së kaluarës dhe me fushatën e mbushur me premtimet se do të ndreqnin krejt atë që dikush e kishte prishur derisa ata ishin në pushtet nxorrën në fushatë edhe gjykatat. Tjerat pastaj rrodhën vet. Ndalimi solli çlirimin.

Ishte një fushatë kundër “Vvotës”, e përmasave të papara ndonjëherë ndër ne, ku të gjitha partitë përpiqeshin të hidhnin një gurë mbi mëkatarët të cilët na kishin prishur me ndërkombëtarët dhe po na kthenin në komunizëm. Kështu po na “ndihmonin” me kuptue rrezikun që sillte liria, me të cilën nuk jemi mësuar ende këto njëzetë vite dhe mund të lëndoheshim me të si me një lodër të rrezikshme. Mohimi i të drejtës për kandidim për bartësin e listës së LVV, ishte veç guri i parë, drejt mëkatarëve, por padyshim ishte guri i fitores së tij. Prej udhëheqësit të listës për ndryshime,e bënë udhëheqës shpirtëror të ndryshimeve.

Tash, ishte ndihmë e pritur. Na kanë “nimue”, qe 20 vjet! Nejse, këtë titull, me që e nisëm me të, nuk e solla unë. E gjeta në rrjetet sociale, si një status, i cili njëkohësisht fshihte dhe tregonte se për kë kishte votuar autorja. “Vvota ime”e kishte shkruar ajo, shoqëruar me një zemër të kuqe! A do të mbetet vota e saj, ehoja e një fushate, një mbrojtje me heshtje para sulmeve të atyre që historia po i tërhiqte teposhtë, dhe tjerët po i ngriste, mbetet të shihet! Gjithësesi një faqe e re e historisë tonë më të re është hapur dhe shpejt do të shohim rreshtat e parë të shkruar...!

Ndërkohë, nëpër rrjete shumëkush ka ide që 14 shkurti të shpallet si data e çlirimit të dytë të Prishtinës. Apo ishte i tretë?

comment1 koment
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat