Në udhëkryq apo në qarkore!

Kolumne

Në udhëkryq apo në qarkore!

Nga: Mersel Bilalli Më: 11 prill 2021 Në ora: 16:57
Mersel Bilalli

Frika e Ramës nga humbja e pushtetit pa kusht është po aq e rrezikshme sa edhe vërsuljet e Berishës e Metës për pushtet me çdo kusht

Zgjedhjet parlamentare të radhës, të 25 prillit, në Shqipëri, duket se më shumë se rëndom e kanë polarizuar ambientin politik në këtë shtet me demokraci të brishtë. Derisa Edi Rama me Rilindjen e tij pretendon mandatin e tretë, opozita e konsideron atë si të keqen më të madhe që mund t’u ketë ndodhë shqiptarëve këto tri dekada. Edhe pas tetë vjetësh pushtet, Rama sikur vazhdon të flasë me fjalorin e një opozitari se çka do të duhej të ishte bërë, e njëherit duke servuar të arriturat e tij me një peshore aq të ndryshkur.

Kriza morale, politike e kulturore, e krijuar nga një kapitalizëm i egër neoliberist në Shqipëri, që në masë të madhe e mban vulën e pushtetit aktual, e përcjellë me deformime serioze sistemore – korrupsion, dhunim të shtetit të së drejtës, favorizim të ekonomisë së drogës, kontroll të mediave, sikur e ka shndërruar pushtetin në servis të djallit. Në tetë vite që shkuan, Rama dukshëm e bipolarizoi shoqërinë shqiptare, jo vetëm në kuptimin politik, por edhe në atë ekonomik, social e psikologjik. U shtua varfëria dhe u rrit përqendrimi i pasurisë në pak duar oligarkësh, gjendje që kudo në botë do të bëhej shkak konfliktesh të thella sociale. Madje edhe World Justice Project, potencon se Shqipëria është një prej vendeve me një zbatueshmëri të drejtësisë më të ulët në Ballkan, Azi dhe Afrikë.

Avullimi i politikave të punësimit të 300.000 personave, që si premtim duhej realizuar gjatë mandatit që po skadon, duket se përjetohet si një mega-mashtrim, nga i cili edhe virusi di të skuqet. Problemi i narkoshtetit e ka shndërruar Shqipërinë në shtet të kapur dhe autoritar, me rreziqe edhe për rajonin. Madje, edhe atë ekonomi që ka, kryesisht është e përqendruar në pak duar sa i përket aftësisë për prodhim, konkurrencës dhe respektim të së drejtës dhe, në instancë të fundit, degjeneruese nga ekonomia e narko-trafiqeve. Kjo e ka dëmtuar rëndë demokracinë, meritokracinë, sundimin e së drejtës dhe ekonominë legale.

Fushatë joproduktive!

Nevoja për ndryshime është jo vetëm imediate, por edhe shpëtimtare. Tani tri dekada shqiptarët qëndrojnë ose në udhëkryq ose në qarkore. Por, opozita sikur nuk e ka mësuar leksionin se zgjedhjet vështirë se fitohen me fushatë negative. Thelbi i strategjisë elektorale opozitare sot nuk është aq ofrimi i një alternative pozitive, sa theksimi i përmasave negative të qeverisjes Rama. Platforma e do udhëheqësve opozitarë niset nga ajo që vendi të “shpëtojë nga komplotistët e huaj, që e kanë rekrutuar Ramën si agjent të tyre në Shqipëri”. Ilir Meta, ditë më parë, pati thënë se Rama është bërë ministër nëpërmjet një telefonate në vitin 1998. Kush me kë ka folë, do ta thotë “në kohën e duhur”! Se aty paska zë fill përbetimi i madh kundër Shqipërisë. Se, pasi ai u bë ministër, “çdo gjë që ka ndodhur më pas ka ndjekur një skenar të shkruar nga të huajt”! Se e gjithë kjo paska pas për qëllim t’ia falë Serbisë gjysmën e Kosovës! “Edi Rama është Esad Toptani i shekullit XXI” – poenton Meta. Por, në çdo rast është shumë vështirë që opozita politike dhe mediatike ta rrëzojë Ramën duke argumentuar se PS-ja është e keqja më e madhe dhe se PD-ja dhe LSI-ja janë e keqja më e vogël.

Fushata negative e opozitës (bashkë me lëvdatat e Metës se “ai nuk është sorrë, por shqiponjë”), nuk mund të jenë produktive, aq më tepër kur pas saj qëndrojnë politikanë të konsumuar në 30 vite tranzicion. Skenën alternative vështirë se mund ta zbukurojnë Berisha, Meta ose Kryemadhi, andaj nuk është çudi që edhe ata analistë që mbështesin rotacionin e qeverisjes, vazhdojnë të mbeten skeptikë. Problem tjetër është fakti se fushatat negative nuk janë efikase në mobilizim të elektoratit. Një ligjërim që i thotë elektoratit se Rama është diktator (madje duke e krahasuar me diktatorin Pinoçet, që në Kili vrau me mijëra intelektualë e studentë), se ai kontrollon gjithçka, se do i vjedhë votat, se ka mbështetjen e grupeve më të fuqishme kriminale e finasiare, në fakt krijon mitin e Ramës së gjithëfuqishëm. Kjo, pa dilemë, e dekurajon votuesin opozitar, i cili fillon ta ndjenë opozitën më tepër si viktimë e pafuqishme sesa si fuqi ndryshimi.

Koalicione të çuditshme!

Më e pritura është që edhe sikur Rama të dalë në avantazh, ai të mos ketë mundësi për formimin e qeverisë. Fare e mundshme është që këtë ta bëjë e gjithë opozita bashkarisht. Por, në kuloare diplomatike sikur flitet edhe për mundësinë e një koalicioni të zgjeruar midis PD-së e PS-së, që do mund të bëhej pas zgjedhjeve! Shumëkush e vë në dyshim vërtetësinë e këtij plani, por do indikacione bëjnë se megjithatë ka diçka këtu. Shqetësimi tej mase i Ilir Metës sikur nuk e përjashton këtë mundësi. Plani për të ikur nga Presidenca dhe për t’u vënë në krye të një opozite që do humbë zgjedhjet është gjëja më inteligjente që truri i tij mund të ketë prodhuar ndonjëherë. Meta nuk do e kishte vështirë ta realizojë këtë plan opozitar në të ardhmen në koordinim me Berishën. Njëherazi në kushte humbjeje, Basha nuk do mund të qëndrojë më tej në krye të PD-së. Tani shihet se Meta e Berisha duken si dy miq për kokë ose si binek siamez, ku çdonjëri e ka hesapin e vet të cilët hesape diku, në një pikë, bashkohen. Në fakt, ata për momentin janë dy miq nga interesi, e kjo lloj miqësie qëllon të jetë më e forta që mund të ekzistojë.

Por, gjërat mund të ngatërrohen në rast se në datën 26 prill dikush nga jashtë e lanson idenë e koalicionit të zgjeruar, madje të udhëhequr nga Basha! Në këtë rast, LSI-ja do mbetej e vetmuar jashtë pushtetit, ndërsa kjo është njësoj si peshku të mbetej jashtë ujit. Për çdo parti tjetër të qenit e vetme në opozitë do të ishte një ngjarje fatlume, pasi kjo do t’i jepte shansin të bëhej një parti goxha e madhe opozitare, por LSI-ja nuk është si çdo parti tjetër dhe asaj nuk i pret puna. Ajo është mësuar që gjërat t’i ndodhin tani, këtu dhe menjëherë. Anëtarësia e saj është mësuar me pushtet, andaj askush nuk e sheh Metën si një udhëheqës opozitar që mund ta mbledhë rreth vetes gjysmën e kombit politik. Ai nuk do mund të mbetej më tej me po atë LSI të shpartalluar që do t’i mbijetonte 25 prillit. Shkurt, një koalicion PD-PS është vdekjeprurës për partinë e tij dhe të bashkëshortes së tij. Por, për fatin e mirë të Metës, koalicioni PD-PS nuk i pëlqen Berishës. Ky i fundit, mu për shkak të këtij koalicioni, do të mbetej në rastin më të mirë pa ndonjë rol në politikë, e në rastin më të keq i kërcënuar e i rrezikuar ndoshta nga drejtësia. Në fakt, është hera e parë që këta dy emra (Berisha e Meta) t’i kenë gjërat disi jashtë kontrollit.

Berisha rezulton tejet nervoz nga ideja e koalicionit të zgjeruar. Para do ditësh, ai u shfaq në një televizion pikërisht për këtë qëllim. “Nuk ka për të pasur kurrë koalicion midis Socialistëve e Demokratëve” deklaroi ai. Ishte një sinjal për Bashën, i cili e ka tepër zor nga ky plak irracional që ka harruar ta shohë veten në pasqyre. Madje, edhe po fitoi Basha, ai do vazhdojë të mbetet nën hijen e mentorit agresiv plak. Por, po humbi, do t’i duhet të largohet nga politika. Ndoshta zgjidhje më e mirë për të do të ishte koalicioni i zgjeruar, që do ta prishte njëherë e përgjithmonë me Berishën dhe definitivisht do ta bënte lider fuqiplotë faktik partiak. Në këso situate, të shumtët e demokratëve do t’i shkonin pas Lulit të joshur nga zyrat e postet. Mirëpo, deri tani Basha nuk shquhet se di të marrë vendime të forta. Berisha dhe Meta nuk i zënë shumë besë Bashës, pasi kanë frikë se ai mund të kandiset nga të huajt, që i pëshpëritin në vesh vazhdimisht se vetëm koalicioni i gjerë mund t’ia japë atij fuqinë politike dhe ta çlirojë nga Berisha.

Nuk përjashtohet as ndonjë “mrekulli e rastit”, që nëse PS-ja nuk e fiton shumicën e deputetëve për të formuar qeveri, Rama të merret vesh me LSI-në e Metës për qeverisje të përbashkët. Të gjithë e dimë se Meta dhe Rama kanë qeverisur bashkërisht më parë, madje pasi janë sharë e përplasur publikisht. Madje, mos të harrojmë se Rama e bëri Metën president. Votat që LSI-ja i merr sot kundër Ramës, nesër shumë lehtë mund të vihen në shërbim të tij. Arsyetimet, me interesa të mëdha nacionale ka sa të duash. Madje, nuk është në harresë pazari PS-LSI në vitin 2013, i quajtur “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Nëse diçka nuk shkon si duhet, nuk përjashtohet as mundësia e destabilizimit. Me fjalë të tjera, Rama, Meta e Berisha (secili nga këndi i tij), janë duke përgatitur një skenar, klimë ose frymë, që do t’u lipsen nesër, për ta legjitimuar aksionin destabilizues. Sepse, ndryshe, do t’i binte që destabilizimi të lindte nga hiçi ose nga kapriciet personale. Frika e Ramës nga humbja e pushtetit pa kusht është po aq e rrezikshme sa edhe vërsuljet e Berishës e Metës për pushtet me çdo kusht. E Basha në këso situate si duket nuk do të kishte kah t’ia mbajë.

Ditëve të fundit edhe te Rama sikur lexohet një nervozizëm i tepruar. Artur Zheji do të thotë: “E keni vënë re?! Mareshali, vërejnë edhe formatuesit e gazetave, nuk e ka më atë vetësigurinë fodulle!… Atë vetësigurinë pikante dhe plot batuta, ku njomej si kotëleta në vezë të rrahur, për t’u fërguar më pas plot shije…”

Sidoqoftë, ndryshimet, që në ndonjë formë pritet të ndodhin edhe në Shqipëri pas zgjedhjeve, pa dilemë se do të ishin pozitive, në rend të parë si qasje se definitivisht në shoqërinë shqiptare vazhdojnë të lindin trende të reja, të cilat do t’ia kthejnë logjikën elementare politikëbërjes, duke mposhtur egoizmin, krimin dhe padijen. Është kjo logjikë që duhet bazuar në interesin publik, pra në zhvillimin e shtetit dhe mirëqenien e shoqërisë. Sepse, lumturia funksionon afatgjatë vetëm nëse është kolektive. Ka ardhur koha që secili t’i marrë frytet e punës që e kryen, ndërsa këto fryte mos t’i zhvaten nga askush. Shqipëria ka një bregdet fantastik dhe fokusin duhet ta përqendrojë rreth tij, se si të zhvillojë një turizëm kompetitiv botëror.

commentKomento
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat