Është interesante kjo puna e patriotave dhe patriotizmit tek shoqëria jonë. Një herë të gjithë vraponin pas patriotizimit, madje disa shkuan deri në at shkallë saqë filluan ta konsiderojnë vetën si pronarë të patriotizmit, për të mos thënë se patriotizmi lindi nga ta, ose kishte të tillë që edhe pulat e dikujt dikujt i shpallnin patriotike!. E kjo punë shkoj për dy dekada, pra nga përfundimi i luftës, deri më 2020, kur gjërat filluan të shkojnë në kahjen e kundërt, thjeshtë moti ndryshoj për ketë kategori. Tanimë patriotët nuk trajtohen si më pare, edhe pse janë po ata persona, me po atë biografi që kishin, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Patriotët tani janë shpatriotizuar, e për çudi disa “notues” të mirë në vërshimet politike vetëm kanë “ditur” të zgjedhin drejtimin e tyre dhe interesant janë rreshtuar serish me patriotët, madje ndoshta janë patriotizuar edhe më shumë. Kështu pra ndryshimet kanë ndodhur dhe kjo është duke u pa nga afër, por të shikojmë pak rrugëtimin e tufës së njerëzve, nga patriotizimi, deri tek shpatriotizimi.
Pas përfundimi të luftës çlirimtare me 1999, jo pak persona kishin telashe me biografitë e tyre dhe natyrisht se koha ishte për biografizime. Mjaftonte të rreshtoheshe me njërën palë: djathtas ose majtas, mirëpo duhej vetëm ‘vurmak’ t’i jepej.
Por si në fakt zhvillohej e tërë kjo?
Thjeshtë, këta persona jo se e mbështesnin liderin dhe kauzat e shefave politik, por shanin, baltosnin dhe shpifnin me sa kishin mundësi e fuqi kundër liderit dhe mendimit rival. Kjo ju jepte atyre jo vetëm rehabilitim, por edhe pushtet, madje deri në at shkallë, sa as vet nuk kishin mundur ta imagjinon, e besa disa edhe vet e deklaronin se nuk kishin ditur as të kërkonin kaç shumë sa kishin marrë. Kështu, ata dhe ato ishin përmbushur në çdo aspekt e më së shumti ishin patriotizuar. , çka ndodhte me një kategori tjetër, pra personat që veç kishin dhënë prova në shërbim të atdheut, e në njëfarë mënyre ishin anatemuar, ose injoruar krejt, kuptohet nëse nuk ishin të partishëm. Ngjarjet dukeshin sikur në ndonjë telenovelë dhe disa luteshin ‘zgjat Zot kësi moti’ siç thoshin dikur pleqtë në Dukagjin, kurse disa ishin mbyllur në zhgënjimin e tyre, e disa ikën dhe u larguan nga vendi. E gjithë kjo zgjati derisa do ligshtana u trashën, disa fukara u pasuruan dhe disa të vegjël u rritën...
Kur ndodhën të gjitha këto, filloi një cikël i ri, të cilin sot e njohim si procesi i shpatriotizimeve. Të gjithë, ama krejt u futën në një thes dhe u veshën me petkun e ri, i cili i shpatriotizoi, i largoi nga pushteti dhe tani mbetën të dobët, të pafuqishëm, të anatemuar dhe më së shumti të shpatriotizuar. Para disa vitesh, ta zëmë para 10 viteve, sikur ta thoshte dikush se do të vinte kjo kohë, nuk jam i sigurt nëse do të mund të gjenim ndonjë person që mund t’i besonte kësaj, por edhe kjo mbase nuk është çështja me rëndësi. Me rëndësi mendoj është njohja e të vërtetës, por si shkohet tek e vërteta, cila rrugë na çon deri tek e vërteta dhe kush janë ata dhe ato që e dinë at rrugë, kjo mbase do të mund të na orientonte dhe jo vetëm kaç, por do të na ndihmonte të dalim nga këto vërshime kohësh të turbullta, do të mund të ua kthjellojë mendjet jo pak njerëzve që po shohin turbullt drejt të ardhmes tonë dhe çka është më kryesorja të mos pështyhet e shkuara jonë, sepse ka diçka të bardh edhe përkundër jo pak gjërave, që për fat të keq u shpërfytyruan. Teksa po bëj ketë shkrim – opinion të shkurtër, më erdhi ndërmend se nëse e lexojnë patriotët e ri, do ta kuptojnë se ata kanë bërë një punë markante duke i shpatriotizuar rivalët e tyre, madje pse jo edhe do të mund t’i besojnë vetes se tani e tutje edhe koha do të matet me kohën e tyre!...
E nëse eventualisht, ketë shkrim e lexojnë të shpatriotizuarit edhe këta do ta kuptojnë, por si ata të parët. Për këta do të kuptohet se paska edhe dikush që nuk i përket asnjërës kategori dhe se nuk po na shajka dhe as nuk po na shpatriotizojka siç bënë këto dy vjet argatët e patriotëve të ri. Mbase këto do të mund të ishin vetëm një reflektim nga palët, por çka do të mund të mendonte një palë tjetër, e cila nuk i përket as kësaj e as asaj (as të patriotizuarve e as të shpatriotizuarve)? Me pak qetësi dhe shikim në retrospektivë kësaj pune shumë lehtë do të mund t’i gjendet e vërteta. Edhe të shpatriotizuarit edhe të patriotizuarit janë si mielli i një thesi, dhe dallimi është se njëra palë është më e tharbur, natyrisht me ‘mëlmesa’ nga jashtë, por shqetësim është koha, e cila na e ka humbur orientimin dhe derisa ta kuptojmë se ky lloj patriotizmi dhe ky lloj shpatriotizmi është një M... i madh dhe se nuk i duhen shoqërisë shqiptare as njëra e as tjetra, qe në fakt janë e njëjta dhe të njëjtit ideolog, por për dallim nga ne të tjerët këta njerëz i kanë shumë vete në veten e tyre. Qe kjo qasje të jetë më bindëse, lexuesi ka mundësi sa të dojë t’i ilustrojë me raste, ku i njëjti person shahet e përshahet derisa nuk e ndërron ‘torishtën’ politike, ndërsa në momentin e “reflektimit” të personit të caktuar gjithçka ndryshon për të mirë. Për ketë gjë nuk do të shkruaj unë me emra e mbiemra, atë po ua lë ju lexues të dy kategorive të para, ndërsa kategorisë së tretë u them priteni trenin që do ju sjellë kohën normale.