Pse udhëhiqemi nga e keqja

Kolumne

Pse udhëhiqemi nga e keqja

Nga: Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Më: 15 gusht 2021 Në ora: 14:33
Jeton Kelmendi

Është interesante se si njeriu ynë është i prirur të udhëhiqet nga e keqja, madje zakonisht edhe e zgjedh të keqen për model të inspirimit.

Në shoqërinë tonë janë tri kategori personash, të cilët funksionalisht veprojnë. Një grup udhëhiqen nga parime bazike të normave normale, e që për fat të keq ky grup nuk është edhe aq i madh, edhe pse do të duhej të ishte grupi kryesor, ose të përbënte shumicën absolute të njerëzve.

Grupi tjetër është grupi i cili nuk ka edhe aq parime, pra një kategori personash, të cilët as nuk udhëhiqen nga koncepte të mirëfillta, por as nga koncepte apo ide të këqija, thjeshtë këta janë njerëz pa parime dhe udhëhiqen nga veprimet e atypëratyshme, për të mos thënë se udhëhiqen nga joparimësia dhe edhe ky grup nuk është grupi më i madh edhe pse me numër mund ta kalojë të parin e lartpërmendur këtu.

Grupi i tretë në ketë qasje paraqet kategorinë më të madhe numerikisht të personave. Ky grup, ku çuditërisht janë shumica e personave, sidomos atyre që shfaqen në opinion (këtu argumentohet më së miri tek personat e rrjeteve sociale, të cilët vetëdeklarohen) për konceptet e tyre nga të cilat udhëhiqen. Nga aq sa kemi mundësi t’i përcjellim sidomos në Facebook dhe Twitter, janë shumë persona, që deklarohen për çdo gjë, madje edhe për asgjë dhe për tu dhënë vetës së tyre arsye për të thënë diçka, fillimisht krijojnë një armik publik, pra njëfarë armiku të popullit, pastaj e gjuajnë dhe e gozhdojnë si Krishtin, anipse zakonisht pa të drejtë.

Kjo far pune tejkalon përmasat e një çudie, kur e vështrojmë ndikimin që kanë në opinion, pra nuk është e shëmtuar vetëm veprimtaria e tyre, të cilën po e quajmë si udhëheqje e keqe, por edhe besimi që masa e ka tek këta persona.

Vetëm ideja e demonizimit të subjekteve dhe individëve të ndryshëm dëshmon se kemi të bëjmë me një kategori që me dëshirë udhëhiqet nga e keqja, por qe këtu kjo kategori ndahet në dy drejtime: njëri drejtim prodhon ide të një udhëheqje të keqe, ndërsa tjetri drejtim merr ose absorbon ide dhe koncepte keqqeverisëse, për çka mendoj se qe të dyja janë të dëmshme, si për nga qasja humane, po ashtu edhe për nga ndërtimi i vizioneve për të ardhmen.

Ta zëmë se një person publik i ikën ngapak opinionit, ndërsa është i madh numri i atyre që besojnë, e besa edhe flasin e pse jo edhe shkruajnë se personi në fjalë ka ketë problem me ligjin, apo me ketë apo atë person dhe nuk po dëshiron të përballet me të vërtetën. E këso rastesh përditë e përnatë kemi në shoqërinë tonë, si në Prishtinë, si në Tiranë, ashtu edhe gjithandej ka jetojnë shqiptarët, prandaj kjo del të bëhet fenomen dhe jo më raste të shumta.

Liri është vërtet gjë shumë e shtrenjtë dhe natyrisht se ua lejon secilit të udhëhiqet nga çfarëdo ideve dhe koncepteve, mirëpo kjo assesi nuk do të duhej që të keqorientojë dikë dhe në fakt askënd, për tu udhëhequr nga e keqja. Dihet se para së gjithash ne e udhëheqim vetën nga ide dhe parime, për të vazhduar me udhëheqjen kolektive dhe institucionale nga titullarë dhe liderë, prandaj kur e udhëheqim vetën keq në veprimet tona, është më se normale që edhe udhëheqësin institucional ta zgjedhim person, apo në shumës t’i zgjedhim udhëheqës të këqij, të cilët jo se nuk na orientojnë drejt në rrugën e duhur, por na nxjerrin krejt nga udha, prandaj kjo është një logjikë që mendoj se me të drejt duhet konstatuar si udhëheqje nga e keqja.

Dikush mund të thotë se si mund ta di se po udhëhiqem nga e keqja, kur ajo na mbështillet dhe paketohet me ide të lakmueshme. Jo pra, kjo nuk parqet problem për një person me një kapacitet mesatar të mendimit, sepse vetëm mendo pak për mosparagjykimet, për sterotipet, për inatet dhe xhelozitë dhe pa asnjë problem të del formula e saktë se ti po e kundërshton të keqën dhe se po udhëhiqesh nga parime të shëndosha, të cilat çojnë në një të ardhme normale.

Është e pamundur që nëse nuk udhëhiqesh nga e keqja që ke brenda vetës ta orientosh vetën keq dhe në qasje të gabuara. Me një fjalë, duhet që fillimisht ta largosh të keqën nga vetja, që pastaj at të keqe të mos e kesh në nivel më të gjerë dhe kësi soji, duke e çliruar vetë nga udhëheqja e keqe e çliron edhe shoqërinë dhe mendoj se ky jo se është një veprim parimor, por edhe patriotik, sepse kështu ndërton udhëheqje të mirë dhe nga e mira ka vetëm të mira, edhe pse kjo nuk i shkon përshtati secilit dhe secilës.

Një ditë kur njeriu ynë nuk e shikon tjetrin me zemër dhe emocione, por me sy dhe mendje në mënyrë racionale, padyshim se do të udhëhiqet nga e mira, teksa e mira nuk ka kandar siç thotë populli me u mat, por e mira serish duhet ta dominoj të keqën dhe mbi ketë parim njeriu mundët sigurt të shkoj drejt së ardhmes.

E derisa të vije kjo ditë, ne nuk na mbetët shumë për të thënë, veç se Zot bekoje njeriun tonë, i cili me ose pa dashje udhëhiqet nga e keqja. Konica i madh thoshte më merr Zot shpirtin pak para se të bëjë një veprim të keq, ndërsa unë nuk mendoj dhe as që e guxoj ta them ketë, sepse atëherë do të ishte jo i vogël numri i atyre që do të vdisnin, pra fillimisht do na vdisnin liderët politik dhe institucional e qeveritarë, e nuk e di pastaj se ku do të mund të ankoheshim, ashtu siç nuk e di se ku do të mund të merrnim shembuj se si nuk duhet bërë, kur nuk do t’i kishim politikanët që kemi sot. Dhe krejt për fund, duhet potencuar se kemi dy shtresa të udhëheqjes: njëra nga brendia jonë e që është kryesorja dhe e dyta udhëheqja nga politika, e cila po ashtu del nga ne, por se ketë edhe mund ta ndryshojmë, madje goxha më lehtë se të parën.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat