E pabesueshme, por e vërtetë, në vendin tonë demokracia tanimë i ka tejkaluar kufijtë e vet dhe gjërat ndodhin aq çuditshëm sa që as imagjinata nuk e ka të lehtë t’i ideojë. Nuk bëhet fjalë për një individ të rëndomtë apo një grup njerëzish të cilët po eksperimentojnë në laboratorët e tyre, për të gjetur ndonjë ilaç të ri për ndonjë sëmundje, apo për në laboratorët e tjerë shkencorë, por për një person hiç më të vogël se ministre e drejtësisë. Se ndodhin krime të rënda të natyrave të ndryshme, madje edhe krime brenda familjes, siç edhe ndodhi kohët e fundit, ku burri bandit e vret gruan në një qytet të Kosovës, kjo natyrisht se e tmerron logjikën e një njeriu normal, mirëpo përveç organeve të drejtësisë dhe policisë, ne të tjerëve, pra qytetarëve të vendit, nuk na mbetet tjetër pos ta mbështesim drejtësinë, ndërsa organeve qeveritare natyrisht ta kryejnë punën sipas Kushtetutës që i obligon.
Kjo mbase është fare e thjeshtë për një vend normal, mirëpo kur shoqëria civile organizohet dhe proteston për t’i bërë presion organeve të drejtësisë që të mos përgjumen institucionet e drejtësisë kur bëhet fjalë për dënimin e akterëve të krimeve, mirëpo kur vet ministrja e dikasterit të drejtësisë del nga zyra e vet dhe u bashkohet protestueseve, të cilët i hedhin ngjyrë të kuqe objektit të ministrisë dhe vet ministrja sikur e sulmon zyrën e vet, kjo nuk e di si duhet të quhet?...të thuash se kjo është demokraci mbase nuk ia qëllon, sepse deri më sot nuk di raste kur njeriu proteston kundër vetes, pra ketë veprim nuk e njeh demokracia, e besa nuk e di se cili sistem e njeh dhe nëse ka diçka që mund ta emërojë si veprim.
Nëse shikohet nga aspekti normal, ky veprim nuk ka asgjë normale në vete, por nëse shikohet nga aspekti socio-psikologjik, gjëja më e afërt që mund të thuhet për këso veprimesh është hutim i personit dhe kur personi ndodhet në huti, mbase veprimet mund të jenë të çakorduara dhe më duket edhe qesharake si ky rast. Të dalësh kundër vetes, vetëm këtu mund të shohësh, por kur ketë veprim e bën një person me shumë pushtet, madje një person shumë i votuar në zgjedhjet e fundit, një person që tash e disa mandate është deputete, kurse tani ministre, nuk mund të shpjegohet ndryshe, pos rrugëtim përtej demokracisë, në drejtim të askundit, që po mendoj se më së lehti mund të etiketohet si huti.
Pra, pozita ku gjendet kjo far ministre qenka huti, ndërsa veprimet e saj mund të quhet si veprime të hutuara, mirëpo ajo që shumë i intereson opinionit është ku iu ka ndalur ora ministres dhe besa edhe goxha disa njerëzve afër saj e afër partisë së saj, se vërtet e kanë specializuar protestën dhe demonstratat si veprime, por tani janë në pushtet dhe kjo nuk e di çka iu duhet më, pra tani është viti 2021 dhe nuk është kohë kur Lëvizja e tyre demonstronte, rrëzonte kamionë, shante e etiketonte secilin që nuk mendonte si ata dhe ato.
Sigurisht se kjo hyn në domenin e lirive të njeriut, ama a është normale një veprim i tillë, jo dhe aspak jo, por në një dehje masive të personave që duan mjegull, kjo do të shihet si diçka e madhe, ashtu sikur edhe kolegët e ministres së kësaj qeverie të cilët e lavdërojnë ministrin e shëndetësisë, kur Kosova hyn në tri vendet me më së shumti raste me COVID 19 dhe po ashtu numër tejet të lartë të vdekjeve, habia vazhdon.
Nuk është punë për mua të shkruaj për aspektet tjera profesionale të ministres, sepse nuk e njoh ketë fushë, ama sa i përket veprimeve që bënë kjo ministre, natyrisht se duhet thënë diçka, sepse jemi qytetarë të këtij vendi, besa ne disa edhe mund e sakrifica bëmë, që vendi të çlirohej së pari, e pastaj edhe të pavarësohej, prandaj kur shoh këso veprimesh në shtetin tim, jo se kam diçka të keqe me këtë ministre, apo me cilindo nga ta, por duke qenë veprime të gërditshme, më zhgënjejnë thellë me shoqërinë tonë, prandaj edhe qëllimi është fisnik që të kthjellohemi si komb dhe t’i lëmë çoroditë që na kanë kapluar.