Është e pakuptimtë se si një shqiptar ia mundëson Serbisë ndërhyrjen në punët e brendshme të Malit të Zi, ndërsa shqiptarët e këtij shteti kishin kontribuar fuqishëm në pavarësinë e Malit të Zi. Kjo ndodhi fillimisht me krijimin e qeverisë në vendin fqinj, ku Drian Abazoviç, një shqiptar nga Ulqini u rreshtua kundër shumicës parlamentare të udhëhequr nga kreu i shtetit Gjukanoviç, duke krijuar një shumicë me partitë serbe dhe pro-serbe dhe kështu duke bërë që për herë të parë që nga mbi dy dekada, në pushtetin malazez të vijnë forca politike që marrin instruksione në Beograd.
Është më se normale të ketë ndryshime në politikë dhe qeverisje në secilin vend demokratik, ama Mali i Zi paraqet rast tepër specifik, sepse atje popullata është shumë e përzier dhe se Serbia ka shumë interesa në ketë shtet, prandaj edhe investon shumë dhe çdo rritje të forcave pro-serbe atje do të mund të ndikojnë në prishjen e raporteve edhe me fqinjët, në radhë të parë me Kosovën dhe po ashtu edhe çështjen e NATO-s ku është anëtare pa dëshirën e serbëve të këtij vendi. Kështu në rajon do të krijohej edhe një problem më shumë, teksa edhe procesi i integrimeve në BE po duket tepër i ngadalshëm, për të mos thënë jo edhe aq shpresëdhënës.
Nga ana tjetër, Serbia gjithmonë ka prekur pikat më neuralgjike, sepse edhe kështu ia ka dalë të krijojë avantazhet e veta politike, prandaj edhe punë e patriarkut serb në Cetinje ishte qëllim keqe dhe shumë mirë e përgatitur në Beograd. Sikur të mos e mundësonte ketë lojë zëvendëskryeministri malazez Abazoviç, kjo mund të mbetej vetëm një dëshirë serbe dhe kaq, por në paraqitjet e tij u pa qartë së “shqiptari” nga Ulqini e kishte marrë për detyrë ketë punë, sepse donte të tregohej më militant se militantet anti-Gjukanoviç atje.
Faktori shqiptar në vendin fqinj edhe në zgjedhjet e fundit nuk lëvizi nga qasje tradicionale dhe mbeti në opozitë, por ky far djali, Abazoviçi i thënka vetes, i cili edhe për nga mbiemri nuk flet shumë se ka shumë shqiptarizëm në vete, e katandisi shtetin me më pak se një milion banorë.
E nga ana jonë nuk doli as kryeministri kosovar Albin Kurti, për ta thënë ndonjë fjalë, siç bënte gjithmonë kur ishte në opozitë. Kjo heshtje e këtij ulqinakut të tjetër, shpresoj të mos jetë me ndonjë prapavijë, sepse Serbia planifikon që një liturgji fetaro-politike ta bëjë edhe në Kosovë.
Populli thoshte “atë qe sheh në fqinjësi, prite në shtëpi”, prandaj kjo edhe po e shqetëson opinionin kosovar, për çka para syve të publikut po shihet shumë mjegull. Serbia e kë përdorur Kishën dhe fenë për çështje politike sa herë ka mundur, prandaj kjo e komplikon edhe më shumë situatën, sepse kisha serbe në Kosovë ka një status special dhe se në një situatë të tillë ardhja e klerikëve serb në Kosovë dhe thirrja për kthimin e ushtrisë serbe në Republikën e Kosovës, siç ndodhi në Mal të Zi, sigurisht se do të destabilizonte vendin dhe se përmasat e një konflikti tanimë do të mund të tejkalonin çdo parashikim. Për ta ndalur ketë gjë të mos ndodhë, na mbetet që vetëm të shpresojmë se ky ulqinaku tjetër, pra Albin Kurti, nuk do ta lejojë për veprime të tilla Serbinë.
Dikush edhe mund të mos pajtohet me ketë punën e shpresimit në kreun e qeverisë tonë, por duke qenë racional dhe duke e parë gjendjen në vend, ku kemi një opozitë të strukur dhe të shtrirë përtokë, me një shoqëri civile të kontrolluar nga pushteti dhe partia në pushtet dhe kur shohim se jo pak medie i janë vënë në shërbim partisë së ulqinakut që udhëheq me gjithçka në Kosovë, për fat jo të mirë na mbetet vetëm të shpresojmë.
Është interesante ky fakt, por për çudi sot dy ulqinak i kanë në dorë dy shtet të Ballkanit: njëri i dyti i qeverisë së vetë dhe për ketë nuk ka asnjë dilemë se është në shërbim të Serbisë, sepse përditë po e kthen rolin serb në shtetin e tij, ndërsa tjetri, pra ulqinaku ynë është i pari, më i fuqishmi, ose supremi dhe ky po duket shulmë anti-serb, madje me ketë gjë ka ardhur në pushtet, por për ketë nuk mund të jap një kualifikim të tillë, ndërsa ka shenja që na bëjnë të kemi dilema.
Për ketë shih vetëm dy veprime: njërin, kur qeveria e Kosovës ia hoqi të gjitha barrierat Serbisë në tregun kosovar, ndërsa rasti tjetër, kur zëvendësi t’i Kurtit, Bislimi e thotë me mburrje se janë dakorduar për hapjen e dosjeve duke përfshirë edhe ato të UÇK-së, gjë që jo se është joracionale por edhe krejtësisht antishqiptare, sepse UÇK-ja ka qenë organizatë vullnetare dhe nuk ka pasur arkiva me gjëra sekrete. E derisa punët nuk janë mirë hiç, për çka secili kemi nga pak faj, kush pse i qëndron pas kësaj klime politike, e kush pse nuk merr pjesë në lojë. Ajo që do të doja ta them për fund është se unë nuk kam asnjë lloj paragjykimi, as mbi baza gjeografike, as gjinore e as të çfarëdo lloje natyre tjetër, por nuk e di nëse është e rastit, apo e qëllimshme, por sot dy shtet mbahen peng nga dy persona që kanë origjinë ulqinake. Shpresoj që ky yni të na del më ndryshe se ai i malazezëve.