Është jo e rastësishme që Kancelarja Gjermane Angela Merkel ka zgjedhur kryeqytetin Shqiptar për t’u takuar me krerët e qeverive të shteteve të Ballkanit perëndimor. Janë disa çështje që flasin për rolin që Tirana zyrtare po e luan në raportet politike në regjionin e Ballkanit, ku si më konkretja mund të merret projekti “Ballkani i Hapur”, pavarësisht se Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina, nuk i janë bashkuar kësaj nisme.
Deklaratat e Zonjës Merkel, se procesi i Berlinit është rruga që nuk mund të zëvendësohet dhe as ndryshohet, por të plotësohet dhe projektet tjera mund ndihmojnë ketë proces por jo ta devijojnë atë, flasin qartë për porosinë që Zonja e Madhe u dha liderëve të 6 vendeve të rajonit, të cilat vende aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Fillimisht duhet pa si një përkushtim i saj për rajonin tonë, por natyrisht edhe si një porosi për liderët e këtyre vendeve, të cilët ende pa u anëtarësuar në BE kanë filluar që agjendat e tyre politike të brendshme t’i përdorin edhe në raport me orientimin dhe rrugën që këto vende kanë drejt Bashkimit Evropian.
Së pari, në Tiranë iu bë e qartë qeverisë së Serbisë se pa i normalizuar raportet me Kosovën nuk mund të ketë integrime evropiane, gjë kjo që rrjedhimisht kuptohet se qeveria në Beograd duhet ta njoh shtetin e ri, pra Republikën e Kosovës dhe pastaj të vazhdojë me plotësimin e standardeve për integrime.
Së dyti, aty u bë e qartë se kapriçot e Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Serb Aleksandër Vuçiq për krijimin e një mini Evrope nuk mund të kenë primat në politikat rajonale, sepse nuk ka BE për këto vende nëse nuk ndjekin kursin drejt integrimeve, por natyrisht duke pasur në objektiv procesin e Berlinit, nismat rajonale duhet të jenë në dakordancë me linjën evropiane. Thënë më shkurt nismat rajonale të Ballkanit nuk mund të bëhen objektiva, por duhet të jenë në shërbim të procesit të Berlinit. Kjo edhe u pa qartë për secilin që sheh drejt e jo sipas dioprisë politike të qasjeve joracionale të dikuj që dëshiron kështu apo ashtu.
Çështja e tretë, për mua kishte të bënte me tri vendet jashtë kësaj nisme: Kosovën, Malin e Zi dhe Bonjën, por sidomos me Kosovën dhe me kryeministrin Albin Kurti, i cili gjithnjë po vazhdon të jetë në një linjë, e cila shtetin e ri po e nxjerr nga loja, pothuajse në secilën nismë, qoftë edhe nga ato me interes për vet Kosovën. Sa i përket Kosovës, mendoj se edhe vet Kryeministri Kurti shfaqi pasigurinë e tij në raport me porosinë e Kancelares Merkel, por si zakonisht duke e mbështjellë dhe kamufluar me një pjesë të fjalimit të Kancelares, ku thotë se nuk mund të ketë proces tjetër me fokus orientues, pos atij të Berlinit. Pra, këtu nuk kemi të bëjmë me një porosi të thjeshtë ose thënë shkurt bardh e zi, por me një porosi për një qasje ndryshe për të gjithë krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit. Sigurisht se ky vit është edhe vit zgjedhjesh në disa nga shtetet e rajonit, pra zgjedhje lokale siç është puna me Kosovën dhe natyrisht se partitë në pushtet bëjnë kalkulime që gjithçka tentojnë ta lidhin me interesat e partive të tyre politike, por vizita në Tiranë duhet pa si një qasje thelbësore për secilin vend, ndërsa Kosova dhe Shqipëria sot kanë ulur bashkëpunimin sa kurrë më parë, që nga vitet e 90, kur fillojë demokracia. Edi Rama sivjet ka fituar në zgjedhje edhe mandatin e tretë në Shqipëri, ndërsa që nga ardhje në pushtet e Albin Kurtit në Kosovë, kryeministri shqiptar është njeri shumë i padëshiruar në Kosovë, gjë që flet për një ndarje të thellë ndër shqiptarë. Edhe nëse dikujt i duhen çfarëdo syzesh, shumë lehtë mund ta sheh se Rama e gëzon një mbështetje nga aleatët sidomos nga ShBA, por pavarësisht ngecjeve me procesi e integrimeve në BE, ashtu sikur edhe vendet tjera të rajonit, as me vendet e Bashkimit Evropian nuk e ka keq, prandaj edhe po e konsiderojnë një farë lideri në rajon, ndërsa kryeministri Kosovarë Albin Kurti, përveç mbështetjes që mori nga votuesit në zgjedhjet e fundit që u mbajtën ketë vit, ai nuk ka mbështetje as nga BE, dhe shumë më pak nga aleati më i madh i shqiptarëve, pra ShBA-të.
Si për dreq, Kurti u gjend keq sa u përket raporteve ShBA-BE dhe vendet e Bashkimit Evropian në qeverinë Kurti 1, ndërsa në ketë qeveri, pra Kurti 2 sigurisht se nuk e ka përdorur të njëjtën taktikë, por nuk është se ka ndikuar në përmirësimin e gafave të tija, prandaj edhe shikohet me rezerva nga aleatët. Nga ana tjetër edhe media edhe shoqëria civile është shumë e ndarë në dy pole: me Albinin apo me Ramën teksa të dyja shtetet po humbin kohë dhe po stagnojnë në proceset e integrimit, por më keq edhe në hendeqet që po krijojnë ndërmjet dy shteteve shqiptare, gjë kjo që e dëmton në thelb materien shqiptare. Mu këtu e shoh edhe qëllimin e kësaj vizite, pra që krerët e qeverive të te dyja shteteve shqiptare të kenë raporte tjera e jo këso siç janë, përndryshe pse Merkel nuk e bëri ketë vizitë në Beograd, Podgoricë, Shkup, Sarajevë apo edhe Prishtinë.
Dhe edhe një gjë duhet përmendur tek rëndësia e vizitës së Merkel në Tiranë, pra në këto takime u bë e qartë se pavarësisht dallimeve ndërmjet ShBA-ve dhe vendeve të BE-së dhe këtu me theks të veçantë Gjermanisë, aleatët perëndimorë nuk ndahen në çështje të tilla. Pra Gjermani edhe nëse nuk e mbështetë fuqishëm ta zëmë sa ShBA-ja nismën për Ballkanin e Hapur, ajo nuk e përjashton dhe nuk e ndalon, vetëm se duhet të jetë si pjesë që derivon tek procesi i Berlinit, e jo të bëhet një mini BE. Kësi soji mendoj se duhet pa përkushtimin e zonjës Merkel, por edhe të vendit të saj në raport me vendet e Ballkanit perëndimorë, ama mandati i saj është në fund dhe siç dihet ajo nuk do të jetë më në politikën gjermane dhe se gjërat nuk janë edhe aq të lehta për tu parashikuar, sepse lëvizjet politike dhe disponimi i qytetarëve mund të jetë edhe ndryshe dhe si refleksion edhe mund të ndryshojnë gjërat edhe në vet Bashkimin Evropian dhe gjithsesi edhe në vendet e Ballkanit.
Pikërisht duke u mbështetur tek tërheqja nga jeta politike e Kancelares Merkel, duhet të marrim model dhe ta konsiderojmë se edhe Rama edhe Kurti do ta kenë një fund në jetën politike, ndoshta jo si Merkel, por gjithsesi do ta kenë një fund, prandaj të shikojmë për Shqipërinë dhe për Kosovën e jo për Edin apo për Albinin.