Hendeqet brenda qeverive të majta shqiptare: Personaliteti i Albin Kurtit përballë Edi Ramës

Kolumne

Hendeqet brenda qeverive të majta shqiptare: Personaliteti i Albin Kurtit përballë Edi Ramës

Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Nga Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot Më 30 shtator 2021 Në ora: 12:20
Edi Rama dhe Albin Kurti

Edhe pse të lirë dhe në një situatë më të mirë se kurdoherë shqiptarët e të dyja shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës sot qeverisen nga majtistët. E nëse e analizojmë pse fituan të majtit këndej dhe andej kufirit, sigurisht se kemi të bëjmë me dy qasje krejt të ndryshme dhe natyrisht edhe modele diametralisht të kundërta. Së pari, qeveria e majtë në Shqipëri ka fituar mandatin e tretë, që është hera e parë ku njëri krah politik fiton tri herë radhazi, ndërkohë e djathta atje është udhëhequr nga një lider pakurriz dhe pa ide për të fituar zgjedhjet. Për më tej, Lulzim Basha që kur erdhi në krye të Partisë Demokratike pati vetëm humbje, kurse edhe veprimet e tij dhe opozitës ishin jashtë krejt normave demokratike, prandaj edhe i shërbyen Partisë së Edi Ramës për të fituar edhe mandatin e tretë. Me një fjalë kishte një lidership shumë të dobët e djathta, por edhe tani sikur pa kokë ka ngelur, mirëpo duke mos e përjashtuar faktin, duhet potencuar se shqiptarët në Shqipëri kanë prirje të majta më shumë.

Kosova, që pas çlirimit u drejtua për një kohë të shkurtër nga majtistët e dalë nga krahu i luftës dhe me raporte të mira me të majtën shqiptare, por përballë një lideri të fuqishëm dhe një dijetari të shquar Ibrahim Rugova, në secilën palë zgjedhjesh humbi thellë, prandaj edhe këto parti pra PDK dhe AAK u riorientuan djathtas, pastaj edhe erdhën në pushtet. Kjo mbase ka arsyen e vet, ku e majta, Kosovës i solli vetëm të këqija. Në radhë të parë partia Komuniste Jugosllave, dihet se çfarë marifetesh u bëri shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi në përgjithësi, prandaj kosovarët deri sivjet nuk e deshën të majtën, ndërsa sot e duan shumë!!!?

Shkurt, sa për të dalë te problemi kryesor, mbase edhe i vetmi që po na krijon hendeqe brenda politikës së dy shteteve tona shqiptare. Së pari, çështja del dhe nuk paraqitet shumë si delikatesë ideologjike, por si një katandisje për primat në skenën politike gjithëshqiptare, gjegjësisht si ndeshje ndërmjet dy liderëve majtist Edi Rama dhe Albin Kurti. Vizita që kreu i qeverisë shqiptare i bëri Kosovës këto ditë shpërfaqi, jo vetëm dallime por edhe qasje, që në fakt nis e sos janë çështje të sajuara nga këta dy persona. Albin Kurti është i ri në moshë, por i pjekur me ideologji moskovite, prandaj edhe e ka gjetur vendin për ta zbatuar atë frymëzim që e ka marrë nga sistemi lindor, ku krejt jetën e vet përpiqet të lë përshtypje se ai di shumë, se ai është i pazëvendësueshëm, se ai është nacionalist dhe për më tutje krejt fokusin e ka se si po duket, sepse e di mirë se nuk është askund as me dije në asnjë fushë, këtu argumenti qëndron se kurrë në jetë e tij nuk ka punuar në profesion, as me vepra, sepse është vonuar ta dëshmojë veten kur ishte koha, prandaj edhe tërë kohën investon në kampanjat e propagandës se si duket ai.

Edi Rama nga ana tjetër dallon nga majtisti i Prishtinës, sepse ky ka studiuar për arte, madje edhe ka punuar në fushën e vet, për të vazhduar me drejtimin e ministrisë së kulturës shqiptare, kryebashkiak e tani për të tretin mandat në krye të qeverisë. Rama, duke qenë se me profil vije nga bota e kulturës, natyrisht se e ka për qëllim jo të lë përshtypje, sepse tanimë ka vepra dhe atë jo të pakta, prandaj mëton ta bind opinionin me qëndrimet e tij, pavarësisht se a jemi ne dakord apo jo me të, por realisht ka argumente të fuqishme, siç edhe ia tha Albinit në sy këtu në Prishtinë. Pra, derisa Albini mëton të lë përshtypje, Rama tenton ta bind popullin në vizionet e tij dhe kjo në konferencën e përbashkët e la në hije kreun e ekzekutivit kosovar, sepse përshtypja dhe bindja kanë një dallim të madh. Edhe fjalori i Ramës ishte larg më i ngritur se sa i Kurtit dhe duke qenë njeri me bindje të djathta provova t’i analizoj veprimet e të dy personaliteteve, madje edhe personalitetet e tyre, për ta kuptuar hendekun që politikat e të dyja qeverive kurrë më keq nuk kanë qenë në raportet mes tyre.

Shqiptarët janë një komb dhe normalisht se një shekull ndarje ka lënë një dallueshmëri, por kjo për dy dekada nuk shfaqej, sepse liderët e të dyja shteteve kishin kujdes në raportet ndërshqiptare, derisa Albin Kurti bëri një precedent, ku doli në fushatë me disa pinjollë të tij në Shqipëri, për çka edhe mori përgjigje, zero mbështetje atje. Dikush në Shqipëri nga djathta atje, për një kohë të caktuar mbështeti majtistin kosovar duke menduar se vetëm lloji i njëjtë mund ta shkatërronte Edi Ramën, por kjo u pa se nuk bëhej fjalë për lloj të njëjtë, por për dy personalitet krejt të ndryshme. Thjeshtë ky është kryehendeku ndërmjet raporteve Shqipëri-Kosovë. Dhe kur jemi të hendeqet ndërshqipëtare, duhet theksuar edhe një fakt, ku në Prishtina jo pak persona përditë e sulmojnë Edi Ramën, kinse për Ballkanin e Hapur, e që në fakt jo për ketë çështje, por për ta ulur majtistin shqiptar dhe për ta ngritur majtistin kosovarë, por këtu kemi një dallim të madh, sepse Rama i ka tejkaluar përmasat e një lideri në Shqipëri, për çka foli populli për të tretën herë, ndërsa Kurti pasi e përçau thellë politikën në Kosovë, po mendon se duke e përçarë edhe në Shqipëri do t’ia dalë të fitojë edhe atje. Ky pra është hendeku i dytë, ndërsa pothuajse edhe hendeqet tjera janë mu te kjo qasje, prandaj duke mos u pasur lakmi në qasjen ideologjike majtiste asnjërit, por duke e pranuar se jemi nën tutelën e të dyve, detyrohem ta them të vërtetën se Rama është njëfarë lideri rajonal, për çka po përpiqet ta bind opinionin edhe jashtë Shqipërisë, kurse Kurti vetëm kësaj here ka fituar dhe qasja e tij prej bajraktarit të katundit, është në rënie të lirë, prandaj vetëm prisni dhe shikojeni ketë rol që i ka dhënë vetës për ta përçarë politikën ndërshqiptare, pa asnjë dilemë se do ta humb ketë primat në Kosovë, ndërsa me keqardhje i them se nuk do ta fitojë kurrë në Shqipëri.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat