Duke njoftuar për hyrjen e trupave të veta në Ukrainë me 24 shkurt 2022 Putini kishte thënë se kësisoj dëshiron «të parapengoj një gjenocid në realizim e sipër» në Donbas (i banuar me një pakicë ruse), në lindje të Ukrainës. Njëherit ai kishte shtuar se qëllimi i « operacionit të tij special » është që ta «denacifikojë Ukrainën». Pohimi i parë është një gënjeshtër e madhe, ngase nuk ka asnjë provë e dëshmi se ukrainasit kanë bërë një « gjenocid » mbi pakicën ruse në Donbas.
Kjo gënjeshtër ka për qëllim të maskoj krimet që ushtria e tij i bën çdo ditë në Ukrainë.
Do të shtonim se Putini manipulon këtu edhe me një realitet tjetër : me arsyetimin e tij ai mëton të denoncojë karakterin "e rremë" të argumentit të fuqive perëndimore që ndërhynë në Kosovë për ta penguar një gjenocid të regjimit serb mbi shqiptarët e Kosovës. Këtë pohim ai e ka shfaqur disa herë publikisht. Me cinizmin që e karakterizon ligjërimin politik të Putinit ai sikur don të nënvizoj : përse nuk është i vërtetë arsyetimi im për gjenocidin në Donbas nëse ju perëndimorët e arsyetuat kësisoj sulmin mbi një shtet sovran-Serbinë? Në rastin e Putinit një «gjenocid» i shpifur shërben si mjet për t’i justifikuar krimet masive mbi civilët ukrainas sot.
Disa politikanë e gazetarë e përshkruajnë ndonjëherë Putinin si «makiavelik» për t’i shpjeguar gënjeshtrat e tij lidhur me aksionet e tij ushtarake. Disa të tjerë thonë se edhe politikanët e vendeve që i kundërvihen politikës së tillë të Putinit vet përdorin gënjeshtra të ngjashme. Me këtë banalizim mjegullohet veçantia e aksioneve politike e ushtarake e presidentit të Rusisë.
Të përkujtojmë se në historinë politike të Evropës, e ngarkuar me luftëra dhe ideologji që i kanë shpjeguar ato, analizat lucide kanë evituar thjeshtëzimet e aksioneve politike e ushtarake.
Kësodore, në diskutimet e mëvonshme të historianëve të diplomacisë do të flitet për “gënjeshtrën shtetërore” si pjesë përbërëse e arsyes së shtetit. Mirëpo, nuk duhet harruar se pikërisht mbështetësi më i madh i politikës së arsyes së shtetit ("raison d'Etat") në Francë, Richelieu në tekstet e veta politike si edhe në disa biseda me sovranin e vet Luigjin e XIII, mbron mendimin se gënjeshtra mund t’i bëjë më shumë dëm një politike shtetërore se sa t’i sjellë dobi, e po kështu se “kredibiliteti i një sovrani, respektimi i fjalës dhe premtimeve të dhëna i jap më shumë fuqi sovranit se ushtria e tij.” Vetëm burrështetasit vulgarë e konsiderojnë si shprehje të mençurisë së vet gënjeshtrën si mjet të vazhdueshëm të politikës së tyre.
Shpesh, politikanët e tillë duke përdorë gënjeshtrat janë të bindur se imitojnë modelin e sundimtarit të Machiavelit. Mirëpo, teoria e Machiavelit mbi të vërtetën dhe gënjeshtrën në politikë është mjaft e ndërlikuar. Machiaveli zaten e shikon dinakërinë si pjesë e artit të qeverisjes, por kjo nuk nënkupton doemos gënjeshtrën. Ai nuk e ngrit gënjeshtrën në një parim të politikës së brendshme apo të jashtme. Dinakëria te Machiaveli është aftësi e sundimtarit që të ballafaqohet me ngjarjet dramatike, sfidat që rrezikojnë vet ekzistencën e shtetit. Është fjala për një aftësi që ndaj realitetit brutal e të rrezikshëm të jetë në gjendje të jap përgjigje, që nuk do të jenë peng i një aparence të moralitetit.
Në debatin bashkëkohor politik mbi raportin politika e gënjeshtra, janë përmendur shembuj që mëtojnë të ilustrojnë se në cilat rrethana dhe çfarë lloj rrene politike mund të jetë legjitime. Njeri nga shembujt karakteristik, është ai de Gaulleit lidhur me pavarësinë e Algjerisë. Në fillim të viteve 60, përballë situatës dramatike të luftës së Algjerisë që merrte viktima të shumta, ai u ballafaqua edhe me një kundërshti të fortë brenda shtetit të cilin e drejtonte, brenda shumicës së partive politike në vend (përfshirë edhe Partisë socialiste dhe Ministrit të punëve të brendshme nga radhët e saj, François Mitterand) e sidomos brenda ushtrisë franceze, në veçanti në radhët e oficerëve të lartë. Në këtë situatë de Gaulle vendosi të orientohet kah pranimi i pavarësisë së Algjerisë dhe kah tërheqja e trupave franceze nga Algjeria. Mirëpo, pikërisht për shkak të nevojës që me efikasitet të realizojë këtë objektiv politik, ai gjatë disa muajve, në njërën anë do të “gënjej” publikisht duke thënë se “nuk do të pranojmë pavarësimin e Algjerisë”, e në anën tjetër, duke u mbështetur te politikanët dhe te ushtarakët që pajtoheshin me qëndrimin e tij, i bënte të gjitha përgatitjet e nevojshme për t’i dhënë fund luftës në Algjeri.